2020.11.11 Udienza Generale 2020.11.11 Udienza Generale 

Françesku: të krishterit që lutet, nuk i trembet syri nga asgjë

Në audiencën e sotme të përgjithshme, duke vijuar ciklin e katekizmit kushtuar lutjes, Papa pohoi se ngulmi, guximi e përvujtëria janë elementet që duhet ta karakterizojnë çdo dialog me Zotin: “Nëse nuk lutemi, nuk do të kemi forcë të shkojmë përpara në jetë”.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku ia kushtoi edhe audiencën e sotme të përgjithshme lutjes. E nisi duke kujtuar një vërejtje, që ia kish bërë dikush: “Ju flisni tepër për lutjen. Është kaq e nevojshme?”. Po, shumë e nevojshme - theksoi që në fillim Papa - Sepse po të mos lutemi, nuk kemi forcë të shkojmë përpara në jetë. Lutja është si oksigjeni për jetën. Të lutesh, do të thotë të tërheqim praninë e Shpirtit Shenjt mbi ne. Prandaj flas kaq shumë për lutjen!

Këtë theksoi Françesku që në fillim të katekizmit, për të vijuar me shembullin e Krishtit. Jezusi - theksoi - na dha shembullin e lutjes së vazhdueshme, të praktikuar me ngulm.  Misioni i Tij kryesor është dialogu me Atin, në heshtje. Këtë ua kujton edhe dishepujve. E po këtë na e kujtojnë edhe tri shëmbëlltyra të Ungjillit sipas Lukës.

Si duhet të jetë lutja

Por, si duhet të jetë lutja? – pyeti që në fillim Papa. - Duhet të jetë këmbëngulëse - shpjegoi- si lutja e personazhit të shëmbëlltyrës - lutja  e njeriut që shkon t’i kërkojë bukë një miku e i troket në derë në pikë të mesnatës. I troket e i troket, derisa e detyron t’ia hapë portën e t’i japë bukën e kërkuar me aq ngulm. Kërkesë kjo, si kërkesa e bërë me ngulm në portën e Zotit, që është më durimtar se ne e nuk e zhgënjen kurrë atë, që i troket në portë me besim të plotë. Trokit! E Zoti do të të përgjigjet! Ai e di mirë për çka ke nevojë. Ngulmi duhet për të ushqyer në shpirtin tonë dëshirën e pritjes!

Feja  nuk është  hov i një çasti

Shëmbëlltyra e dytë është ajo e vejushës, që i drejtohet gjykatësit duke i kërkuar ta ndihmojë për zgjidhjen e drejtë të çështjes së saj.  Po gjykatësi është i korruptuar, njeri pa skrupuj. E megjithatë, duke parë këmbënguljen e vejanes,  detyrohet ta dëgjojë:

“E mendon:  ‘më mirë  t’ia zgjidh problemin e ta heq qafe, se të  vijë çdo ditë e të ankohet para meje!”.

Kjo shëmbëlltyrë na kujton se feja  nuk është  hov i një çasti, por dëshirë  guximtare për të “diskutuar” me Zotin, pa u dorëzuar kurrë para së keqes e padrejtësisë.

Lutja duhet të jetë e përvujtë

Në shëmbëlltyrën e tretë takohemi me një farize e një publikan, që shkojnë në tempull për t’u lutur. I pari i drejtohet Zotit duke u mburrur për meritat e veta. Tjetri e ndjen veten të padenjë edhe për të shkelur në shenjtërore. Zoti nuk e dëgjon lutjen e të parit, krenarit - kujtoi Papa - por  atë të njeriut të përvuajtur:

“Sepse nuk ka lutje të vërtetë, pa frymën e përvujtërisë. Është pikërisht përvujtëria që na nxit t’i kërkojmë ndihmë Zoti në lutje”

Mësimi i Ungjillit: duhet të lutemi gjithnjë

Mësimi i Ungjillit është i qartë: “Duhet të lutemi gjithnjë, edhe kur gjithçka duket boshe, edhe kur Zoti na duket shurdh e memec e koha që kalojmë duke u lutur, krejt e kotë. Po edhe atëhere kur qielli errësohet, i krishteri nuk duhet reshtë kurrë së luturi. Lutja e tij ecën me të njëjtin hap me fenë. Edhe atëhere kur feja mund të na duket iluzion e mundim i kotë:

“Në jetën tonë ka disa çaste të errëta, kur feja  duket shpresë boshe. Por të praktikosh fenë, do të thotë ta pranosh edhe këtë shpresë: ‘Atë, unë po shkoj të lutem, por nuk ndjej asgjë… ndjehem  kështu, me zemër bosh, të thatë”.

Gjithsesi duhet të shkojmë edhe kështu, në çaste e rënda, kur zemra ligështohet deri në atë masë, sa nuk pret më asgjë nga jeta. Eshtë nata e fesë! Shumë  shenjtorë e kanë provuar natën e fesë e heshtjen e Zotit, kur trokasim e Zoti nuk na përgjigjet. Po këta shenjtorë  ngulmuan!

Në natën e errët, kush lutet nuk është kurrë vetëm

Në këto netë të fesë, kush lutet nuk ndjehet kurrë vetëm. Jezusi nuk është vetëm dëshmitar e mësues i lutjes. Është shumë më tepër! Ai na mirëpret në lutjen e Tij, që ne të mund të lutemi në Të e përmes Tij. E kjo është vepra e Shpirtit Shenjt. Prandaj Ungjilli na fton t’i lutemi Atit në emër të Krishtit:

“‘Çkado që të kërkoni në emërin tim, do ta bëj, që Ati të lumnohet në Birin’ - na kujton Krishti. Kështu lutja na jep ato flatra, që njeriu i dëshiron me gjithë zemër’. ‘Zoti do të mbulojë me flatrat e veta, nën krahët e tij do të gjesh strehim; besnikëria e Tij do të jetë për ty mburoje e pancir!  Tmerrin e natës nuk do ta druash, as heshtat që ditën vringëllojnë, as murtajën që endet ndër terrina, e as shfarosjen që shkreton kah mesdita”(Ps 91).  Kjo lutje mahnitëse - shpjegoi Papa -  përmbushet në Krishtin; në Të gjen  të vërtetën e plotë.

Jezusi e dëgjon çdo britmë, çdo rënkim njerëzor

Po, kjo lutje mahnitëse pëmbushet në Krishtin. Pa Jezusin, lutjet tona  rrezikojnë të shndërrohen në përpjekje njerëzore, të paracaktuara të dështojnë. Po Ai e mori mbi vete çdo britmë, çdo gjëmë, çdo ngazëllim, çdo përgjërim, çdo lutje njerëzore:

“E nuk duhet të harrojmë Shpirtin Shenjt, që lutet për ne, është Ai, që na nxit të lutemi, Ai, që na çon te Jezusi. Eshtë dhurata,  që na bënë Ati e Biri për të vijuar ecjen drejt takimit me Zotin. Kur ne lutemi, është Shpirti Shenjt, që lutet në zemrat tona”.

Krishti është gjithçka për ne, edhe në jetën tonë të lutjes. E thoshte Shën Agostini, me një shprehje  ndriçuese, që e gjejmë edhe në katekizëm:

“Jezusi lutet për ne si meshtari ynë; lutet në ne, si kryetari ynë; lutet nga ne, si Zoti ynë!”.

Ta dëgjojmë, pra në Të, zërin  tonë, e në ne, zërin e Tij.

Prandaj i krishteri që lutet nuk ka frikë nga askush. Ia beson veten Shpirtit Shenjt, që na u dha si dhuratë e lutet në ne, duke na e ngjallur në shpirt lutjen.

“I njëjti Shpirt Shenjt, Mësues i lutjes, na e mësoftë udhën e uratës!”.

11 nëntor 2020, 12:07