Situata në Etiopi Situata në Etiopi 

Françesku lutet për paqen në Libi e në Etiopi

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, mendimi i Françeskut shkoi në Barcelonë, ku dje u lumnua Joan Roig y Diggle, laik martir, e, më pas, tek ngjarjet e ditës në Etiopi, me nxitjen që të dialogohet, larg çdo tundimi për ndeshje të armatosur. Për Libinë, më pas, uroi përfundimin e vuajtjeve të popullsisë dhe respektimin e armëpushimit të përhershëm.

R. SH. - Vatikan

Dje, në Barcelonë - kujtoi Françesku pas lutjes së Engjëllit - u shpall i Lum Joan Roig y Diggle, laik martir, i vrarë kur ishte vetëm 19 vjeç gjatë luftës civile spanjolle. Qe dëshmitar i Jezusit në mjediset e punës dhe mbeti besnik i Zotit deri në fund të fundit, deri në dhurimin më të lartë, atë të jetës. Shembulli i tij - uroi Papa - ngjalltë në zemrat e të gjithëve, posaçërisht të të rinjve, dëshirën për ta jetuar plotësisht thirrjen e krishterë.

E më pas, i ftoi besimtarët të duatrokisnin për këtë të Lum kaq guximtar.

Një mendim për Amerikën Qendrore

Shikoj një flamur, që më bën të mendoj për popullsitë e Amerikës Qëndrore - shtoi Papa - e mendimi i tij shkoi menjëherë tek uragani i  fuqishëm, që shkaktoi shumë viktima e dëme në këtë vend, duke e bërë edhe më të rëndë situatën e krijuar nga pandemia:

“Zoti i pranoftë të vdekurit në banesat e amshuara, i ngushëlloftë familjarët e tyre e i ndihmoftë të gjithë ata që vuajnë, si edhe ata, që po përpiqen t’i ndihmojnë”.

Nga Amerika, në Etiopi e në Tunizi

Ndjek me shqetësim  lajmet që më vijnë nga Etiopia -  kujtoi më pas Papa - ndërsa  nxis të mposhtet tundimi për ndeshje të armatosur dhe i ftoj të gjithë për lutje, respekt vëllazëror, dialog e zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve.

E menjëherë pas Etiopisë, Françesku kujtoi Tunizinë, ku nisën  takimet e “Forumit të dialogut politik libik”, në të cilat marrin pjesë të gjitha palët. Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj ngjarjeje, Papa uroi nxehtësisht që në këtë çast kaq delikat, të gjindet një rrugëzgjidhje për vuajtjen e gjatë të popullit libik e që marrëvshja e fundit për armëpushim të respektohet e të konkretizohet. Lutemi për delegatët e Forumit, për paqen e stabilitetin në Libi – nënvizoi Papa.

Në Itali, Dita e Falënderimit me temë:“Uji, bekim i tokës”

Së fundi Françesku kujtoi se sot, në Itali, kremtohej Dita e Falënderimit me temë: “Uji, bekim i tokës”. Uji është jetik për bujqësinë,  e jetik edhe për vetë jetën - kujtoi - e më pas i shprehu botës fshatare afërsinë, duke e siguruar se i kujton gjithnjë bujqit në lutje. Puna e tyre - nënvizoi - është më e rëndësishe se kurrë, në këtë kohë krize.

Papa bashkoi zërin edhe me ipeshkvijtë italianë, në nxitjen për ta mbrojtur ujin, parë si pasuri e përbashkët, me përdorim universal.

Së fundi, përshëndetja drejtuar romakëve e shtegtarëve, familjeve e grupeve famullitare, shoqatave e besimtarëve. Të gjithëve Papa u uroi të diel  të gëzuar, shoqëruar me ftesën: “Mos harroni të luteni për mua!”.

08 nëntor 2020, 14:09