Kërko

Françesku: Kisha nuk është treg, as parti, por fryt i Shpirtit Shenjt

Në audiencën e sotme të përgjithshme Papa foli për bashkësinë e parë të krishterë, që lutet me ngulm, ashtu siç përshkruhet në Veprat e Apostujve. Nuk ka bashkësi besimtarësh, nëse mungon predikimi, bashkimi vëllazëror, bamirësia dhe Eukaristia. “Kishën e bën Zoti, jo buja”.

R. SH. - Vatikan

Një Kishë për udhë, aktive, ngulmuese në lutje: “Kjo është figura e bashkësisë së lashtë të krishterë të Jeruzalemit”, ashtu siç përshkruhet në  Veprat e Apostujve, “pikë reference për çdo përvojë tjetër të krishterë”. Papa Françesku ia kushoi katekizmin e sotëm lutjes në Kishën e të krishterëve të parë, duke u nisur nga  fragmenti i Veprave të Apostujve, ku na tregohet sesi Pjetri e Gjoni, si u liruan, u takuan menjëherë me vëllezërit e tjerë në fe  e, pasi kryen lutjen, “vendi ku ishin tubuar u trand e të gjithë u mbushën përplot me Shpirtin Shenjt”.

Fjala, bashkësia dhe Eukaristia në Kishën e parë

Rrëfimi i Shën Lukës ungjilltar na njeh me  katër karakteristikat themelore të jetës kishtare: “dëgjimin e mësimit të Apostujve, ruajtjen e bashkimit reciprok, thyerjen e  bukës e lutjen”. Karakeristika këto, që na kujtojnë  se Kisha “ka kuptim vetëm nëse mbetet e bashkuar fuqimisht me Krishtin”. Në të gjithçka  merr jetë nga mësimet dhe gjestet e Jezusit, që Eukaristia e bën të pranishëm në mes të bashkësisë, ndërsa lutja është hapësira e dialogut me Atin. E Papa vijoi:

“Gjithçka që në Kishë rritet jashtë këtyre ‘koordinatave’, është pa themel. Për ta njohur një situatë,  duhet të kërkojmë këto katër koordinata, duhet të dimë si janë në këtë situatë këto katër koordinata: predikimi, kërkimi i vazhdueshëm i bashkimit vëllazëror, bamirësia, thyerja e bukës - domethënë, jeta eukaristike - dhe lutja. Çfarëdolloj situate duhet vlerësuar në dritën e këtyre katër koordinatave. Jashtë tyre gjithçka është pa natyrë kishtare, nuk është kishtare, është si shtëpia e ngritur mbi rërë. Kishën e bën Zoti, jo buja e veprave (…). Kisha nuk është treg: Kisha nuk është grup sipërmarrësish, që e çojnë përpara këtë sipërmarrje të re. Kisha është vepër e Shpirtit Shenjt, të cilin Jezusi e dërgoi për të na bashkuar”.

Pa Shpirtin Shenjt nuk ka Kishë

Françesku pohoi se të gjitha përpjekjet e Kishës marrin kuptim  nga fjala e Jezusit e më pas, duke folur lirisht, jashtë tekstit zyrtar, e shpjegoi mendimin e tij hollësisht:

 “Nganjëherë ndjej një trishtim të thellë, kur shikoj ndonjë bashkësi që, me vullnet të mirë, po duke gabuar rrugë, mendon ta bëjë Kishën me mbledhje, si të ishte parti politike. E pastaj nis diskutimi ‘jo po pakica… jo po shumica… çka mendon ky e çka ai tjetri… E unë po ju pyes: ‘Po Shpirti Shenjt, ku është aty? Ku është lutja? Ku, dashuria komunitare? Ku është Eukaristia?’. Për ta vlerësuar një situatë nëse është apo nuk është kishtare, duhet të kujtojmë katër koordinatat (…). Nëse mungojnë, mungon Shpirti Shenjt, e nëse mungon Shpirti Shenjt, ne jemi një shoqatë e bukur humanitare, bamirëse, mirë, s’ka më mirë… ose një parti, po e quajmë kishtare. Po sigurish nuk jemi Kishë!”.

Kisha  nuk rritet përmes prozelitizmit - kujtoi përsëri Papa - për të cituar, më pas, një frazë nga Benedikti XVI: “Kisha nuk rritet përmes prozelitizmit, rritet përmes forcës së saj tërheqëse”. E vijon: “Nëse mungon Shpirti Shenjt, i cili të tërheq kah Jezusi, aty nuk mund të jetë Kisha. Mund të jetë një klub miqsh, me ndjete të mira, por nuk ka Kishë, nuk ka sinodalitet”.

Është Shpirti Shenjt motori i Kishës

Për të krishterët e bashkësisë së parë, takimi me Jezusin nuk përfundoi kur Zoti u ngjit në Qiell, por vijoi gjatë gjithë jetës së tyre - vërejti Françesku - e kështu, duke treguar veprat që kreu Zoti për ta, gjithçka bëhej e gjallë. E në lutje gjenin dritë, ngrohtësi, afsh. Për këtë Papa citoi një fragment të Katekizmit, në të cilin thuhet se Shpirti Shenjt është motori i çdo gjëje  në Kishë, të cilën e çon drejt “së Vërtetës së plotë”:

“Ja pra, kjo është vepra e Shpirtit Shenjt në Kishë;  të kujtojë Jezusin! Por jo si ushtrim mnemonik, domethënë, për të ruajtur kujtesën. Të krishterët, duke ecur nëpër shtigjet e misionit e kujtojnë Jezusin, ndërsa e bëjnë përsëri të pranishëm: e nga Ai dhe nga Shpirti i Tij marrin ‘shtytjen’  për të shkuar, për të kumtuar, për të shërbyer. Kur lutet, i krishteri kridhet në   misterin e Zotit, i cili e do çdo njeri e dëshiron që Ungjilli t’u predikohet të gjithëve. Zoti është Zot për të gjithë, e në Jezusin çdo mur ndarjeje bie përfundimisht: ashtu siç thotë Shën Pali. Ai është paqja jonë, ‘Ai, që nga dy, bëri një gjë të vetme’”.

Në lutje – forca e misionit

Jeta  e Kishës së Jeruzalemit është plot me kremtime dhe me çaste lutjeje - kujtoi  akoma Papa - e është Shpirti Shenjt që u jep forcë e guxim atyre, të cilët vihen për udhë për ta kumtuar Krishtin, atyre, që për dashuri të Jezusit kapërcejnë dete, përballojnë rreziqe, durojnë gjithfarë poshtërimesh:

“Zoti dhuron dashuri e kërkon dashuri. Kjo është rrënja mistike e gjithë jetës së besimtarit. Të krishterët e parë në lutje - por edhe ne që vijojmë shumë shekuj më pas -  e jetojmë të gjithë të njëjtën përvojë. Shpirti Shenjt  i jep jetë  çdo gjëje”.

Papa e përfundoi  katekizmin duke u drejtuar gjithë të krishterëve ftesën: “Mos kini frikë t’ia kushtoni kohën lutjes”, duke rikujtuar, në përfundim, se “zjarri i gjallë i Shpirtit Shenjt i jep forcë dëshmisë e misionit”.

25 nëntor 2020, 12:08