E Lumja Karolina Kόzka E Lumja Karolina Kόzka 

E Lumja Karolina Kózka, model pastrie për të rinjtë

Një fshatare e thjeshtë, që dha jetën kur ishte vetëm 16 vjeçe, për të mbrojtur dinjitetin e saj: Papa e kujtoi sot në audiencën e përgjithshme e, akoma para Françeskut, e pati kujtuar edhe Gjon Pali II, kur e pati shpallur të Lume, në vitin 1987.

R. SH. - Vatikan

Ishte si Maria Goretti!  Kështu e kujton sot Kisha në Poloni bijën e saj, të Lumen Karolina Kózka, virgjër e martire, që u mbyt nga një ushtar rus, në një pyll të errët, kur ishte vetëm 16 vjeçe, për të ruajtur virtytin e pastrisë. E kujtoi Papa në përshëndetjen drejtuar besimtarëve të gjuhës polake në përfundim të audiencës së sotme të përgithshme. Kujtoi edhe tokën e fshatares së re, të Lume. E këtë e bëri për t’u kujtuar të rinjve dinjitetin e gruas dhe vlerën e pastrisë së korpit tonë, që të jenë dëshmitarë të këtij virtyti. Kujtoi Françesku:

“Me shembullin e saj na dëshmon edhe sot, e sidomos të rinjve, vlerën e pastrisë, të respektit për trupin njerëzor e për dinjitetin e gruas. Besojani veten ndërmjetësimit të saj, që t’ju nxisë t’i dëshmoni me guxim virtytet e krishtera dhe vlerat ungjillore”.

Edhe Gjon Pali II, duke kremtuar Meshën solemne të Lumnimit të kësaj martireje gjatë shtegtimit të tij apostolik në Poloni, në qershor 1987, pati theksuar se me jetën e saj vijon t’u flasë sot kryesisht të rinjve.

“U flet djemve e vajzave. Burrave e grave. U flet për dinjitetin e madh  të gruas: për dinjitetin e njeriut. Dinjitetin e korpit, edhe pse në këtë botë vdes e kalbet… Por vdekja nuk mund ta asgjësojë. Vdekje do të thotë fillesë e një jete të re, që na kujton fjalët e Psalmistit: “Zoti është pjesa e trashëgimit tim,/ Zoti, fati im!/ Në duart e Tij ësht, jeta ime”.

18 nëntor 2020, 12:42