Kërko

Vatican News

Administrimi i fondeve të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit i kalon APSA-s

Papa themelon një komision, që brenda tre muajsh, duhet të realizojë kërkesat, që ai vetë i ka paraqitur me shkrim Sekretarit të Shtetit Vatikanit, me një letër të gushtit të kaluar. Fondet do të kontrollohen nga Sekretaria për Ekonominë

R.SH. - Vatikan

Fondet e administruara nga Sekretaria e Shtetit të Vatikanit, së shpejti, do të administrohen nga APSA (Administrimi i Trashëgimisë së Selisë Apostolike) dhe do të kontrollohen nga Sekretaria për Ekonominë. Njoftimi u dha sot nga drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, i cili shpjegoi se dje, 4 nëntor, Papa Françesku kryesoi një takim me Sekretarin e Shtetit, kardinalin Pietro Parolin, Zëvendësin e Sekretarisë së Shtetit, imzot Edgar Peña Parra, Sekretarin e Përgjithshëm të Guvernatorit të Shtetit të Vatikanit, imzot Fernando Vergez, presidentin e Administrimit të Trashëgimisë së Selisë Apostolike (APSA), imzot Nunzio Galantino, si edhe me prefektin e Sekretarisë për Ekonominë (SPE), atë Juan Antonio Guerrero. Qëllimi i takimit ishte organizimi i hapave për zbatimin e kërkesave të Papës Françesku, paraqitur në një letër për kardinalin Parolin, më 25 gushtin e kaluar, me të cilën Ati i Shenjtë zhvendos administrimin e fondeve të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit në duart e APSA-s, duke parashikuar kontrollin e tyre nga Sekretaria për Ekonominë.

          “Në të njëjtin takim - pohoi Bruni - Papa ngriti ‘Komisionin e kalimit dhe të kontrollit’, i cili hyn në veprim menjëherë, për të zbatuar, në tre muajt e ardhshëm, dispozitat e letrës drejtuar Sekretarit të Shtetit”. Komisioni përbëhet nga Zëvendësi i Sekretarisë së Shtetit, presidenti i APSA-s dhe prefekti i Sekretarisë për Ekonominë.

U bë e njohur edhe vetë letra e Papës Françesku. “Në kuadrin e reformës së Kuries, - shkruan Ati i Shenjtë - reflektova dhe u luta për dhënien e një impulsi, që mundëson një organizim gjithnjë e më të mirë të veprimtarive ekonomike e financiare, duke vazhduar vijën e një administrimi, i cili, siç kërkojnë të gjithë, duhet të jetë më ungjillor”. Papa Françesku e konsideron me “rëndësi të jashtëzakonshme” sqarimin e misionit të çdo institucioni ekonomik dhe financiar, që “të shmangen mbivendosje, fragmentime, ose dublikime të panevojshme dhe të dëmshme”.

Letra shpjegon se “Sekretaria e Shtetit është pa dyshim dikasteri, që mbështet më nga afër e drejtpërdrejt veprimtarinë” e Papës “në misionin e tij, duke përfaqësuar një pikë referimi thelbësore në jetën e Kuries e të dikasterve, që bëjnë pjesë në të. Gjithsesi, nuk duket e nevojshme e as e përshtatshme, që Sekretaria e Shtetit të kryejë të gjitha funksionet, që tashmë u janë atribuar dikastereve të tjera. Prandaj, është më mirë që, edhe në fushën ekonomike e financiare, të zbatohet parimi i subsidiaritetit, pa cënuar rolin e veçantë të Sekretarisë së Shtetit dhe detyrën e domosdoshme që kryen ai”.

Pikërisht për këtë, Papa Françesku vendosi që Sekretaria e Shtetit “t’ia transferojë APSA-s administrimin e të gjitha fondeve financiare dhe të pasurive të patundshme, të cilat, gjithsesi, do të ruajnë destinacionin e tyre aktual. Vëmendje të veçantë – lexohet në letër - meritojnë investimet e bëra në Londër dhe fondi Centurion, nga të cilët duhet dalë sa më shpejt që të jetë e mundur, ose të paktën, të përdoren në mënyrë të tillë, sa të eliminohen të gjitha rreziqet për reputacionin” e Selisë së Shenjtë.

Gjithashtu, Papa kërkon që “të gjitha fondet e administruara deri tani nga Sekretaria e Shtetit të përfshihen në buxhetin e konsoliduar të Selisë së Shenjtë” dhe që, në çështjet ekonomike dhe financiare, Sekretaria e Shtetit të veprojë “përmes një buxheti të miratuar me rrugën e zakonshme, sipas procedurave që i kërkohen çdo dikasteri, përveçse për çështjet e rezervuara, që i nënshtrohen sekretit, miratuar nga Komisioni i caktuar për këtë qëllim”.

Kontrolli dhe mbikëqyrja janë përgjegjësi e Sekretarisë për Ekonominë për të gjitha entet e Kuries Romake. Përsa i përket fushën ekonomike e financiare, Sekretaria e Shtetit “nuk do të ketë asnjë përgjegjësi për mbikqyrjen dhe kontrollin e organizmave të Selisë së Shenjtë e as të atyre, që lidhen me të”. Duke pasur parasysh që “Sekretaria e Shtetit nuk duhet të administrojë asnjë pasuri, është e nevojshme që të riorganizojë Zyrën e vet Administrative, ose të vlerësojë nevojën për ekzistencën e saj”.

05 nëntor 2020, 16:00