Kërko

Takimi ndërkombëtar “Askush nuk shpëton i vetëm – Paqe e Vëllazërim”, promovuar nga Bashkësia e Shën Egjidit Takimi ndërkombëtar “Askush nuk shpëton i vetëm – Paqe e Vëllazërim”, promovuar nga Bashkësia e Shën Egjidit

Lutja e feve për shpëtimin e njerëzve dhe të botës

Papa Françesku e krerët e tjerë fetarë, që morën sot pjesë në Takimin e 34-të ndërkombëtar të Bashkësisë së Shën Egjidit, në frymën e Asizit, nënshkruan një Thirrje të re për Paqen në botë. Ndër të tjera, në tekst, shkruhet: "Përgjegjësve të shteteve u themi: të punojmë së bashku për një arkitekturë të re të paqes... Të mos humbim kohë! Të fillojmë nga objektivat e arritshme: të bashkojmë përpjekjet që sot, për ta ndalur përhapjen e virusit, derisa të kemi një vaksinë të përshtatshme për të gjithë. Kjo pandemi po na kujton se jemi motra dhe vëllezër të një gjaku".

R.SH. - Vatikan

Teksti i plotë i Thirrjes për Paqen 2020:

Mbledhur në Romë në “frymën e Asizit”, të bashkuar shpirtërisht me besimtarët e gjithë botës dhe me gratë e burrat vullnetmirë, u lutëm krah për krah për t'iu përgjëruar Zotit që të dikojë dhuratën e paqes mbi këtë tokën tonë. Kujtuam plagët e njerëzimit, patëm në zemër lutjen e heshtur të sa e sa të vuajturve, tepër shpesh pa emër dhe pa zë. Prandaj, impenjohemi ta jetojmë dhe t’ua propozojmë solemnisht këtë Thirrje për Paqe gjithë udhëheqësve të shteteve dhe qytetarëve të botës.

Pikërisht, në Piazza del Campidoglio (sheshi para bashkisë së Romës), vetëm pak kohë pas konfliktit më të madh luftarak, që njeh historia, kombet në luftë lidhën një pakt, bazuar në ëndrrën e bashkimit, realizuar më pas: Evropa e bashkuar. Sot, në këtë kohë çorientimi, të goditur nga pasojat e pandemisë së Covid-19, e cila kërcënon paqen, duke shtuar pabarazitë dhe frikën, themi me forcë: askush nuk mund të shpëtojë i vetëm, asnjë popull, askush!

Luftrat dhe paqja, pandemitë dhe kujdesi shëndetësor, uria dhe mundësia për ushqim, ngrohja globale dhe zhvillimi i qëndrueshëm, zhvendosja e popullsisë, eliminimi i rrezikut bërthamor dhe pakësimi i pabarazive nuk kanë të bëjnë vetëm kombe të veçanta. E kuptojmë këtë më mirë sot, në një botë të ndërlidhur, por që shpesh, e humbet ndjenjën e vëllazërimit. Jemi motra dhe vëllezër, të gjithë! T’i lutemi të Tejetlartit që, pas kësaj kohe sprove, të mos ekzistojnë më “të tjerët”, por një “ne” e madhe, e pasur me larmi. Është koha të ëndërrojmë sërish me guxim se paqja është e mundur, se paqja është e nevojshme, se një botë pa luftra nuk është utopi. Prandaj duam të themi edhe një herë: “Kurrë më luftë!”.

Për fat të keq, lufta u duket sërish shumë njerëzve si rrugë e mundshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare. Nuk është ashtu. Para se të jetë tepër vonë, duam t’u kujtojmë të gjithëve se lufta e lë gjithmonë botën më keq sesa e gjeti. Lufta është dështim i politikës dhe i njerëzimit.

U bëjmë thirrje qeveritarëve që të refuzojnë gjuhën e përçarjes, mbështetur shpesh nga ndjenjat e frikës dhe të mosbesimit, si edhe të mos ndërmarrin udhë pa kthim. Le t’i shohim së bashku viktimat. Ka shumë, tepër konflikte ende të hapura.

 Përgjegjësve të shteteve u themi: të punojmë së bashku për një arkitekturë të re të paqes. T’i bashkojmë forcat për jetën, shëndetin, arsimin, paqen. Ka ardhur koha t’i përdorim fondet e prodhimit të armëve gjithnjë e më shkatërrimtare, shkaktare të vdekjes, për të zgjedhur jetën, për ta mjekuar njerëzimin dhe shtëpinë tonë të përbashkët. Të mos humbim kohë! Të fillojmë nga objektivat e arritshme: të bashkojmë përpjekjet që sot, për ta ndalur përhapjen e virusit, derisa të kemi një vaksinë të përshtatshme për të gjithë. Kjo pandemi po na kujton se jemi motra dhe vëllezër të një gjaku.

Të gjithë besimtarëve, grave dhe burrave vullnetmirë, u themi: me frymë krijuese, le të bëhemi artizanë të paqes, të lidhim miqësi shoqërore, ta bëjmë tonën kulturën e dialogut. Dialogu besnik, këmbëngulës dhe i guximshëm është ilaçi kundër mosbesimit, përçarjeve dhe dhunës. Dialogu i zhduk me rrënjë arsyet e luftrave, të cilat shkatërrojnë projektin e vëllazërimit, shkruar në vokacionin e familjes njerëzore.

Askush nuk mund të ndihet i përjashtuar. Ne jemi të gjithë bashkë-përgjegjës. Të gjithë kemi nevojë të falim dhe të falemi. Padrejtësitë e botës dhe të historisë shërohen jo me urrejtje dhe hakmarrje, por me dialog dhe falje.

Zoti frymëzoftë këto ideale në të gjithë ne dhe në këtë udhëtim, që po e bëjmë së bashku, duke plazmuar zemrat e secilit dhe duke na bërë lajmëtarë të paqes.

 

Romë, Campidoglio, 20 tetor 2020

20 tetor 2020, 18:45