Kërko

Vatican News

Papa: është e mundur të ndërtohet një botë paqësore e të shpëtojmë së bashku

Në takimin në Piazza del Campidoglio me krerët fetarë botërorë, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, Papa Françesku pohoi se “fundi i luftrave është detyrë urgjente para Zotit, e të gjithë përgjegjësve të politikës”.

R.SH. - Vatikan

“Kemi nevojë për paqe” Më tepër paqe!”: me këtë thirrje të fuqishme të Papës Françesku, përfundoi lutja e sotme ndërfetare, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, në frymën e Asizit, tradita e së cilës i ka rrënjët në dëshirën e zjarrtë të shën Gjon Palit II e në takimin e parë të lutjes për paqen në qytetin e Shën Françeskut, në vitin 1986.

Së bashku me Patriarkun Ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeu I, në përfaqësi të ortodoksëve; me kryerabinin e Francës, Haïm Korsia, në përfaqësi të hebrenjve; me Sekretarin e përgjithshëm të Komitatit të Lartë për Vëllazërimin Njerëzor, Mohamed Abdelsalam Abdellatif, në përfaqësi të myslimanëve dhe me përfaqësuesin e budistëve, Shoten Minegishi, Papa Françesku e ngriti zërin edhe një herë për fundin e luftrave të konflikteve, që s’bëjnë tjetër veçse “e lënë botën edhe më të keqe nga ç’e gjetën”. Sidomos në këtë periudhë koronavirusi, denoncoi Ati i Shenjtë në fjalën e tij para krerëve fetarë botërorë, në praninë e presidentit të Italisë, Sergio Mattarella, të ambasadorëve e të politikanëve nga e gjithë bota, dhimbjet e luftrave janë rënduar edhe nga pamundësia për të pasur mjekimet e nevojshme, në shumë vende të botës.

Zoti do të na kërkojë llogari

 E duke kujtuar çastin kur Jezu Krishti u tha “Mjaft” atyre, që nxorrën shpatat për ta mbrojtur, kur e arrestuan për ta kryqëzuar, Ati i Shenjtë nënvizoi se ajo “Mjaft!” vlen edhe për sot, kundër të gjitha shpatave e armëve, kundër çdo dhune e lufte. “T’i japin fund luftës – theksoi me forcë Papa Françesku – është detyrë urgjente para Zotit, e të gjithë përgjegjësve politikë. Paqja është përparësi e çdo politike. Hyji do t’u kërkojë llogari atyre, që nuk kanë punuar për paqen, ose i kanë fryrë zjarrit të tensioneve e të konflikteve, do t’u kërkojë llogari për të gjitha ditët, muajt, vitet e luftës, që kanë goditur popujt!”.

Asnjë popull nuk e arrin paqen i vetëm

 Ai “Mjaft!” i Jezu Krishtit gjeti jehonë edhe në frazën tjetër, “Kurrë më luftë!”, thënë nga Papa shenjt Pali VI në Kombet e Bashkuara, në vitin 1965. E Papa Françesku e aktualizoi më tej: “Asnjë popull – pohoi ai – asnjë grup shoqëror nuk mund të arrijë i vetëm paqen, të mirën, sigurinë e lumturinë. Asnjë. Leksioni i pandemisë aktuale, nëse duam të jemi të sinqertë, është ‘vetëdija se jemi një bashkësi botërore, që lundron në të njëjtën barkë, ku e keqja e njërit u bën dëm të gjithëve. U kujtuam se askush nuk shpëton i vetëm, sepse mund të shpëtojmë vetëm së bashku”.

Një minut heshtje në kujtim të viktimave të pandemisë e të luftrave

Jemi këtu së bashku, u kujtoi Papa përfaqësueve të feve të ndryshme, për të komunikuar një mesazh paqeje. Të gjithë mbajtën një minut heshtje për viktimat e pandemisë e të luftrave, për të nënshkruar më pas, së bashku, Thirrjen për Paqen 2020. Këtë thirrje e morën në duar fëmijët dhe ua dorëzuan ambasadorëve dhe përfaqësueve të politikës ndërkombëtare të pranishëm në ngjarje, me shpresën që, siç tha Papa Françesku, të ndërtohet një botë paqësore, ku të gjithë të shpëtojnë.

E për t’i kërkuar ndihmë Zotit për këtë, në fund të takimit, Ati i Shenjtë dhe krerët e tjerë fetarë ndezën shandanin e paqes, flakë lutjeje drejtuar të Gjithpushtetshmit, që ai i Lumi të mos e harrojë grigjën e vet e të dikojë mbi të vëllazërimin e vetëdijen se njerëzimi është një i vetëm, prandaj duhet të pajtohet e të gjejë shtigje konkrete për të jetuar në harmoni.

20 tetor 2020, 18:52