Kërko

1568188641526.JPG

Të martën, Papa në lutje për paqen, me bashkësinë e Shën Egjidit

Edicioni i 34-të i takimit ndërfetar, themeluar nga Bashkësia e Shën Egjidit, duke filluar nga Asizi, në vitin 1986, do të ketë për temë “Askush nuk shpëton i vetëm - paqja dhe vëllazërimi”. Të pranishëm, krerë nga të gjitha fetë, që do të luten për viktimat e luftës dhe të pandemisë.

R.SH. - Vatikan

Të martën, pra, nesër, 20 tetor, Papa Françesku do të marrë pjesë në takimin e Lutjes për Paqen, në frymën e Asizit, me titull “Askush nuk shpëton i vetëm - Paqja dhe vëllazërimi”, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, në Romë. Në një deklaratë, drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, njofton se Ati i Shenjtë, siç komunikohet nga Prefektura e Shtëpisë Papnore, do të marrë pjesë në lutjen ekumenike me përfaqësuesit e traditave të tjera të krishtera në Bazilikën e Shën Marisë në Aracoeli, pranë bashkisë së kryeqytetit italian, si edhe në ceremoninë e mëpasme me përfaqësuesit e feve të mëdha botërore, në sheshin para bashkisë.

Në frymën e Asizit

Këtë vit, Takimi arrin në edicionin e tij të 34-t. Ngjarja lidhet pazgjidhshmërisht me dëshirën e Papës shenjt Gjon Pali II, që në vitin 1986 deshi të organizohej një takim ndërfetar lutjeje për paqen në botë. Që atëherë takimi është organizuar gjithnjë nga Bashkësia e Shën Egjidit. Kësaj radhe, prania e njerëzve do të jetë e kufizuar, për shkak të normave kundër koronavirusit. Takimi do të transmetohet drejtpërdrejt në inernet e në media të tjera.  “Në këtë çast të vështirë historik”, shkruhet në komunikatën e Bashkësisë së Shën Egjidit, “për shkak të pandemisë, por edhe të luftërave të vjetra dhe të reja në vijim – si ajo, që zgjat prej 10 vitesh në Siri, ose si kjo e fundit në Nagorni-Karabak - nga zemra e Evropës, do t’i ofrohet botës një çast solemn për të reflektuar, për t’u lutur e për t’u takuar: një mesazh shprese për të ardhmen, në emër të së mirës më të madhe, e cila është ajo e Paqes”.

Një minut heshtje për viktimat e luftës e të pandemisë

Krerët fetarë do të luten në vende të caktuara, pak pas orës 16.00: në Bazilikën Ara Coeli, Papa Françesku dhe të krishterët e tjerë do të luten së bashku me patriarkun e Konstandinopojës Bartolomeu I dhe me përfaqësuesit e kishave të ndryshme Ortodokse dhe Protestante; hebrenjtë, në Sinagogë; myslimanët në ambientet e Muzeut Kapitolin, ashtu si edhe budistët dhe përfaqësuesit e feve Lindore. Pas rreth një ore, të gjithë do të takohen në Piazza del Campidoglio (sheshi para bashkisë së Romës), në prani të presidentit të Republikës Italiane, Sergio Mattarella, për fillimin e ceremonisë së përbashkët. Do të ketë një minut heshtje në kujtim të viktimave të pandemisë dhe të luftërave e, së fundi, të gjithë krerët fetarë, së bashku, do të ndezin shandanin e paqes.

Pjesëmarrja e Papës në Takimin e Asizit 2016

Papa Françesku pati marrë pjesë në Lutjen për Paqen, që u mbajt në Asizi në vitin 2016, në 30-vjetorin e takimit të parë. “Të hapet, më në fund, një epokë e re, në të cilën bota e globalizuar të bëhet familje popujsh”, pati kërkuar Ati i Shenjtë në atë rast. “Të vihet në jetë – pati bëri thirrje Papa – përgjegjësia e ndërtimit të një paqeje të vërtetë, të vëmendshme ndaj nevojave të njerëzve dhe të popujve, që parandalon konfliktet përmes bashkëpunimit, që fiton mbi urrejtjen dhe kapërcen pengesat me takim e dialog. Asgjë nuk humbet, me dialogun e vërtetë. Asgjë nuk është e pamundur, nëse i drejtohemi Zotit me lutje. Të gjithë mund të jenë artizanë të paqes”.

19 tetor 2020, 11:34