Papa propozon një Pakt të ri Global Edukativ, "shpresë për të ardhmen"

Në një videomesazh të transmetuar sot, në kuadrin e një takimi në Universitetin Papnor Lateranens, organizuar nga Kongregata vatikanase për Edukimin Katolik, Papa ripropozon “Paktin Global Edukativ”. Nevojitet, pohon Françesku, një impenjim i ri edukativ për një botë ku “të mos ketë vend për këtë pandemi të keqe të kulturës së hedhurinave”.

R.SH. - Vatikan

Me patos, me fjalë të ndiera e me shqetësim të vërtetë për të ardhmen e njerëzimit, sidomos të brezit të ri, Papa Françesku i drejtohet sot gjithë botës, profesorëve, studentëve, familjeve, institucioneve, qeveritarëve, të mëdhenjve e të vegjëlve, me një videomesazh, në të cilin kërkon një Pakt të ri Global Edukativ. Shtatë propozime, fjalë si “model i ri kulturor”, “katastrofa edukative”, “e ardhmja jonë s’mund të jetë kjo”, “vendime që e rithemelojnë historinë”, largimi nga “rezultatet e standartizuara”, “të mos presim gjithçka nga qeveritarët, do të ishte fëmijërore”, “edukim cilësor”, janë ato që të mbeten në mend, kur dëgjon Atin e Shenjtë. Videomesazhi i tij u paraqit gjatë një takimi të organizuar nga Kongregata vatikanase për Edukimin Katolik në Universitetin Papnor Lateranens të Romës, në lidhje të drejtpërdrejtë në internet, për shkak të masave kundër pandemisë së koronavirusit, e cila bëri të shtyhej ngjarja botërore, që ishte parashikuar për 14 majin e kaluar. Fjalët e Atit të Shenjtë u komentuan, në një videomesazh tjetër, nga drejtoresha e përgjithshme e Unesco-s, Audrey Azoulay, nga personalitete kishtare dhe kulturore, si edhe nga disa studentë.

Katastrofa edukative

          Pikërisht pandemia, vëren që në fillim Papa Françesku, përveç vështirësive në fushën e shëndetësisë, shkaktoi edhe krizë ekonomike e shoqërore. Ndër të tjera, vuajtën e vazhdojnë të vuajnë sistemet edukative në gjithë botën. Përgjigja e mësimdhënies në distancë, përmes internetit, sipas Atit të Shenjtë, nuk mund të jetë zgjidhja për të dalë nga kjo krizë.

          “Platformat edukative informatike – nënvizon Papa në videomesazh – dëshmuan jo vetëm pabarazinë e theksuar në mundësitë edukative dhe teknologjike, por edhe se, për shkak të mbylljes në shtëpi e të mungesave të tjera, që ekzistonin edhe më parë, shumë fëmijë dhe adoleshentë mbetën mbrapa në procesin e natyrshëm të zhvillimit pedagogjik. Sipas të dhënave të fundit të agjencive ndërkombëtare, flitet për ‘katastrofë edukative’”.

          E Papa jep disa shifra: 10 milion fëmijë mund të detyrohen të lënë shkollën, për shkak të krizës ekonomike shkaktuar nga koronavirusi. Që tani, më se 250 milion fëmijë janë përjashtuar nga çdo lloj veprimtarie formuese.

Model i ri kulturor

          Para këtij realiteti dramatik, vëren Papa, e dimë se masat e nevojshme shëndetësore do të jenë të pamjaftueshme, nëse nuk do të shoqërohen nga një model i ri kulturor. Ai duhet të respektojë dinjitetin e njeriut, duhet të ketë parasysh ndërvarësinë e popujve, të kujdeset për shtëpinë e përbashkët e të mbrojë paqen. Kriza është e tërësishme e nuk kufizohet në një sektor të vetëm. Pandemia – ky, mendimi i Papës – e ka bërë gjithë botën të kuptojë se është në krizë mënyra jonë për ta interpretuar realitetin dhe për të vendosur marrëdhënie ndërmjet nesh. Për të dalë nga kjo gjendje, nuk mjaftojnë recetat e thjeshta e as optimizmi i kotë. E Ati i Shenjtë propozon fuqinë shndërruese të edukimit. Nuk duhet të mungojmë në takimin me këtë çast historik, në të cilin edukimi duhet të hapë horizonte të reja drejt mikpritjes, solidaritetit ndërmjet brezave dhe vlerës së trashendencës, duke farkëtuar një kulturë të re.

E ardhmja jonë nuk mund të jetë kjo

“Ne mendojmë – thekson Papa Françesku - se edukimi është një nga rrugët më të frytshme për humanizimin e botës e të historisë. Edukimi është, sidomos, çështje dashurie dhe përgjegjësie, që transmetohet në kohë, nga brezi në brez.

          Prandaj, edukimi propozohet si ilaç i natyrshëm kundër kulturës inidividualiste, e cila, nganjëherë, degjeneron në një kult të vërtetë individi e në primatin e indiferencës. E ardhmja jonë nuk mund të jetë ndarja, varfërimi i aftësisë për të menduar e për të imagjinuar, i aftësisë për dialog e për mirëkuptim të ndërsjellë. E ardhmja jonë nuk mund të jetë kjo.

          Sot, kemi nevojë për një periudhë të ripërtërirë impenjimi edukativ, që të përfshijë të gjitha grupet e shoqërisë”.

Të dëgjojmë britmën e brezave të rinj

          Është fjala për një rrugë të gjithanshme, në të cilën ndeshemi me vetminë dhe mosbesimin për të ardhmen, që shkaktojnë ndër të rinjtë depresion, vese, agresivitet, urrejtje verbale, fenomene bullizmi. Në këtë udhë, kërkon Papa Françesku, nuk duhet të qëndrojmë indiferentë para plagës së dhunës dhe abuzimit të të miturve, fenomenit të vajzave, që martohen me zor dhe fëmijëve ushtarë, dramës së të miturve të shitur dhe të skllavëruar. Këtyre u shtohet edhe dhimbja për “vuajtjet” e planetit, shkaktuar nga një shfrytëzim pa mend e pa zemër, i cili ka sjellë një krizë serioze mjedisore dhe klimatike.

Vendime themeltare për një edukim jo të standartizuar

          Ati i Shenjtë bën thirrje për të marrë vendime të fuqishme, themeltare, që ndryshojnë të ardhmen. Kjo është koha për të lidhur një Pakt Edukativ Global “për e me të rinjtë”, ku të përfshihen familjet, bashkësitë, shkollat e universitetet, institucionet, fetë, qeveritarët, mbarë njerëzimi, në formimin e njerëzve të pjekur. Papa kritikon botën e bazuar mbi rezultate të standartizuara, që marrin parasysh vetëm dobinë produktive, burokracinë që e shkëmben edukimin me arsimimin e thjeshtë e kërkon një kulturë të gjithanshme, pjesëmarrëse e poliedrike. Kërkon guximin për të ndikuar drejt e në zemrën e shoqërisë e për t’i dhënë jetë një kulture të re, një bote të ndryshme nga kjo e sotmja. Françesku uron pjesëmarrjen e të gjithëve, njerëzve të kulturës, të shkencës e të sportit, të artistëve, të veprimtarëve të medias, që me dëshminë dhe me punën e tyre të bëhen promovues të kujdesit, të paqes, të drejtësisë, të së mirës, të bukurisë, të mikpritjes e të vëllazërimit.

Shtatë këshillat e Papës Françesku

“Nuk duhet të presim gjithçka nga ata, që na qeverisin, do të ishte fëmijërore – citon Ati i Shenjtë enciklikën e tij të fundit ‘Fratelli tutti’. – Gëzojmë një hapësirë përgjegjësie të përbashkët për të nisur e vijuar procese e shndërrime të reja. Sot, jemi para një rasti të jashtëzakonshëm për të shprehur faktin se jemi vëllezër, se jemi samaritanë të mirë, që marrin mbi vete dhimbjen e dështimeve, në vend që të nxisin urrejtje e hakmarrje”. Sot, na duhet aftësia për të krijuar harmoni, nënvizon Papa, para se të japë shtatë këshilla për mënyrën si duhet të impenjohemi të gjithë së bashku:

-        “për të vënë në qendër të çdo procesi edukativ formal e jo formal njeriun, vlerën e dinjitetin e tij, për të nxjerrë në pah veçoritë e tij specifike, bukurinë, unicitetin e, njëkohësisht, edhe aftësinë e tij për t’u lidhur me të tjerët e me realitetin, që e rrethon, duke hedhur poshtë ato mënyra jetese, që favorizojnë përhapjen e kulturës së hedhurinave”.

-        “Së dyti: të dëgjojmë zërin e fëmijëve, të adoleshentëve dhe të të rinjve, të cilëve t’u transmetojmë vlera e njohuri për të ndërtuar së bashku një të ardhme në drejtësi e paqe, një jetë të denjë për çdo njeri”.

-        “Së treti: të favorizojmë pjesëmarrjen e plotë të vajzave dhe të të rejave në arsimim”.

-        “Së katërti: ta shohim familjen si subjektin e parë e të domosdoshëm të edukimit”.

-        “Së pesti: të edukojmë dhe të edukohemi që të mirëpresim, duke ua hapur zemrën më të brishtëve dhe më të mënjanuarve”.  

-        “Së gjashti: të ipenjohemi të studiojmë për të gjetur mënyra të tjera për ta kuptuar ekonominë, politikën, rritjen dhe zhvillimin, që të jenë me të vërtetë në shërbim të njeriut dhe të krejt familjes njerëzore, në perspektivën e ekologjisë së gjithanshme”.

-        “Së shtati: të ruajmë dhe ta kultivojmë shtëpinë tonë të përbashkët, duke e mbrojtur nga shfrytëzimi i burimeve, duke ndjekur mënyra jetese më të thjeshta e duke përdorur plotësisht energji të rinovueshme, që respektojnë ambientin njerëzor e natyror, sipas parimeve të subsidiaritetit, të solidaritetit e të ekonomisë rrethqarkulluese”.

Edukim cilësor

Së fundi, Ati i Shenjtë kërkon impenjimin e çdo vendi për lindjen e një projekti edukativ, në të cilin të përdoren energjitë më të mira, në bashkëpunim me shoqërinë civile. Jep si pikë referimi doktrinën shoqërore të Kishës e nxit që të gjithë të mund të marrin një “edukim cilësor”. Papa Françesku është i bindur se edukimi përmban në vetevete farën e shpresës për paqe e drejtësi, për bukuri e mirësi; shpresën për harmoni shoqërore. E duke kujtuar se shndërrimet e mëdha bëhen nga të gjithë, sipas kompetencave, pa përjashtuar askënd, Ati i Shenjtë e përfundon videomesazhin me urimin që të gjithë të ecin përpara së bashku “drejt ndërtimit të një qytetërimi në harmoni e bashkim, ku të mos ketë vend për pandeminë e keqe të kulturës së hedhurivane”.

15 tetor 2020, 15:04