Papa universitetit Marianum: bota pa nëna nuk ka të ardhme

Duke pritur profesorët dhe studentët e Fakultetit Teologjik Papnor "Marianum," të Romës, Papa Françesku kujtoi se "kohët në të cilat jetojmë janë kohërat e Marisë": një nënë që ripërtërin jetën dhe një grua që kujdeset për popullin e Zotit". Sa gra - pohoi Papa - nuk e marrin dinjitetin e duhur qё u takon atyre".

R.SH. - Vatikan

"Të shkosh në shkollën e Marisë do të thotë të shkosh në shkollën e fesё e tё jetёs": Kjo fjali  - tha Papa Françesku - përmban kuptimin dhe perspektivën e kërkimeve shkencore të Fakultetit Teologjik Papnor "Marianum" në Romë, besuar rregulltarёve Shërbëtorëve të Marisë,  të cilët Ati i Shenjtë i priti audiencë me rastin 70-vjetorit të themelimit të Fakultetit "Marianum". Mariologjia, shtoi Papa, të jetohet me një stil marian, duke bashkëpunuar me institutet e tjera, me njё vëmendje tё veçantё kushtuar "shenjave të kohërave mariane", duke e pastruar ndonjëherë nga devotshmëria popullore, duke sjellë "në kulturë, edhe nëpërmjet artit dhe poezisë, bukurinë që humanizon dhe jep shpresë”.

Zemra e Nënës

Në mendimin e Papёs Françeskut dalin nё pah dy koncepte të forta për Marinë, si nënë dhe si grua. Duke kujtuar se "jetojmë në kohën e Koncilit të Dytë të Vatikanit", Mariologjia - nënvizoi Papa Bergoglio - mori forcë nga dokumenti konciliar ‘Lumen Gentium’" e duke u nisur nga këtu, në "kohët e Marisë", është e nevojshme të rizbulojmë "madhështinë” e Zojës sё Bekuar "duke shkuar në zemër të misterit të saj".

Nëna, "më e mira e nënave", mund ta bëjë "Kishën dhe botën më vëllazërore". "Kisha - pohoi Françesku - ka nevojë të rizbulojë zemrën e saj amtare, e cila rreh për unitet; por  edhe Toka jonë gjithashtu ka nevojë për të, që të kthehet të jetë shtëpia e të gjithë bijve të saj"," ku të gjithë jemi vëllezër, ku ka vend për çdo tё mënjanuar e të flakur të shoqërive tona ".

Kemi nevojë për amësinë, pёr atё që lind dhe rilind jetën me dashuri e pёrdёllim, sepse vetëm dhurata, kujdesi dhe bashkёndarja e mbajnë së bashku familjen njerëzore. Le të mendojmë për botën pa nëna: ajo pa nëna nuk ka të ardhme: tё ardhurat dhe fitimet, vetëm, nuk japin një të ardhme, në të vërtetë ato shpesh i rrisin pabarazitë e padrejtësitë. Nga ana tjetër, nënat e bëjnë secilin fëmijë të ndihet në shtëpi dhe japin shpresë.

Gruaja e dinjitetit

Nga Besëlidhja e Re tek Ungjilli, Maria "është gruaja, Eva e re, e cila nga Kana e deri në Kalvar ndërhyn për shpëtimin tonë". "Është gruaja e veshur me diell që kujdeset për pasardhësit e Jezusit". Një nënë që e bën Kishën një familje, një grua "që na bën një popull". Papa Françesku u ndal tek devotshmëria popullore që frymëzohet e ushqehet nga Zoja Bekuar dhe nxiti Mariologjinë ta ndjekë me kujdes, duke e promovuar atë e ndonjëherë edhe duke e pastruar. Ati i Shenjtë bёri thirrje të jemi të vëmendshëm ndaj "shenjave të kohës Mariane":

Ndёr kёto shenja, ekziston pikërisht roli i grave: thelbësor për historinë e shpëtimit, nuk mund të mos jetë  edhe për Kishën e për botën. Por, sa gra ende sot nuk e marrin dinjitetin që u takon! Gruaja, e cila solli Zotin në botë, duhet të jetë në gjendje t’i sjellë dhuratat e Tij në histori. Zgjuarsia dhe stili i Marisë janë të nevojshme. Teologjia ka nevojë për të, në mënyrë që të mos jetë abstrakte dhe konceptuale, por delikate, narrative, jetësore. Mariologjia ёshtё e thirrur "të kërkojë hapësira më të denja për gratë në Kishë, duke filluar nga dinjiteti i përbashkët pagëzimor".

Institucion vëllazëror

Marianum, kujtoi Papa, është një "institucion vëllazëror" i thirrur për t’i zgjeruar horizontet, duke kapërcyer frikën e "hapjes" e të ndrojtjes se humbasë karakteristikat e veta specifike. Të vihesh nё lojë, tha Papa Françesku, do të thotë të japësh jetë, ashtu siç bëjnë nënat.

E Maria është një nënë që na mëson artin e takimit dhe tё ecjes së bashku. Është bukur atëherë kur, si në një familje të madhe, në Marianum bashkohen traditat e ndryshme teologjike dhe traditat shpirtërore, për tё shtjelluar edhe njё dialog ekumenik e ndërfetar.

Zoja e Rupnikut

Duke përfunduar fjalimin e tij, Papa Françesku kujtoi një pikturë tё At Marko Ivan Rupnik në të cilën Zoja Bekuar duket në plan të parë, por nuk është. "Ajo e merr Jezusin dhe me duar, si shkallё tё vogla, e bën të zbresë".

La Madonna di Rupnik
La Madonna di Rupnik

Kjo vepër e At Rupnikut është vërtet një mesazh. E çfarë është Maria me ne? Ajo që, për secilin prej nesh, e sjell Krishtin poshtë, Krishtin Zot, Krishtin njeri që e bëri veten të dobët për ne. Krishtin njeri që u bë i dobët për ne. Kёshtu e shohim Zojën tonë si kjo nё pikturё: ajo që e bën Krishtin të hyjë, që e bën Krishtin të kalojë, ajo që e lindi Krishtin, e mbetet gjithmonë grua. Është kaq e thjeshtë ... E tё kërkojmë që Zoja të na bekojë. Tani do të jap bekimin për të gjithë ju, duke kërkuar që ta kemi gjithmonë nё ne  shpirtin e fëmijëve dhe tё vëllezërve. Bijtë e Marisë, bijtë e Kishës, vëllezër midis nesh.

 

24 tetor 2020, 19:35