Kërko

Vatican News
Papa Francesco saluta un malato in un ospedale in Bangladesh, Viaggio Apostolico in Bangladesh 26 Nov. - 02 Dic.2017 Papa Francesco saluta un malato in un ospedale in Bangladesh, Viaggio Apostolico in Bangladesh 26 Nov. - 02 Dic.2017 

Papa: dashuria dëshmohet me vepra, jo me fjalë

Papa: "Ata që duan kanë sigurinë që nuk humbasin asnjë nga veprat e tyre të kryera me dashuri, asnjë akt dashurie për Zotin, asnjë përpjekje bujare, asnjë durim tё dhimbshëm. E gjithë kjo qarkullon nëpër botë si një forcë e jetës. #FratelliTutti!

R.SH. - Vatikan

"Ata që duan kanë sigurinë që nuk humbasin asnjë nga veprat e tyre të kryera me dashuri, asnjë akt dashurie për Zotin, asnjë përpjekje bujare, asnjë durim tё dhimbshëm. E gjithë kjo qarkullon nëpër botë si një forcë e jetës. #FratelliTutti". Kёshtu pohon Papa Françesku nё njё tweet, sot 27 tetor 2020, botuar nё faqen e internetit @Pontifex.

Dashuria është dhuratë

Thirrja më e lartë është të duam Zotin e të afërmin. Dashuria e krishterë është hir, është dhuratë; mundësia për të dashur është dhuratë e Zotit, e duhet kërkuar. E Ai na e jep begatisht, nëse ne ia kërkojmë. Dashuria është hir: nuk është përpjekje për t’u dukur, për t’i treguar botës kush jemi, sa të mirë jemi, sa na vlen lëkura! Është hir, që na e dhuron Zoti e që ne e pranojmë me liri të plotë: dashuria nuk mund të shprehet në takimin me të tjerët, nëse më përpara nuk lind nga takimi ynё me fytyrën e butë e të mëshirshme të Jezusit.

 Mjete të dashurisë së Zotit

Shën Pali na kujton se i kemi të gjitha mundësitë për t’u bërë mjete të dashurisë së Zotit, duke e lënë Krishtin e Ngjallur të na i përtërijë zemrat. Është, pra, Zoti vetë, i cili duke banuar në zemrat tona, vijon t’i shërbejë njeriut që takojmë nё jetёn e përditshme, posaçërisht kur jemi para nevojtarëve. I krishteri duhet të ketë një zemër, që shikon ku ka nevojë për dashuri e që vepron, atje ku kjo dashuri e thërret. E Jezusi nё Ungjill, na kujton kriterin e masës, domethënë, na mëson se dashuria është universale, se nuk duhet t’i duam vetëm ata, të cilët na duan, por edhe nevojtarin, që nuk e njohim fare, që e takojmë rastësisht. Kushdo qoftë.

Dashuria është konkrete

Shën Gjoni Apostulli nё Letrёn e Parё (1 Gjn 3, 18-24) na kujton: “Nëse e duam njëri-tjetrin, Hyji mbetet në ne”. Hyji është Dashuri e kush mbetet në dashuri, mbetet në Hyjin e Hyji mbetet në të. Përvoja e fesë, duhet parë pikërisht në këtë “mbetje të dyfishtë”: “Ne në Hyjin e Hyji në ne: kjo është jeta e krishterë. Dashuria e krishterë ka përherë një cilësi: konkretësinë. Dashuria e krishterë është konkrete. Vetë Jezusi, kur flet për dashurinë, flet për gjëra konkrete: për të shujtuar të uriturit, për të vizituar të sëmurët, e shumë e shumë gjëra të tjera, të gjitha konkrete. Dashuri konkrete. Konkretësi kristiane.

27 tetor 2020, 13:20