Cairo in Egitto Cairo in Egitto  

Papa: të gjithë duhet tё shpëtojnë nga varfëria

Me rastin e Ditës së Kombeve tё Bashkuara për zhdukjen e varfërisë, tweeti Papёs Françeskut vё nё pah se vuajtja e disave rrezikon të prek shumë njerëz, nëse nuk merren masa për tё ndihmuar rastet individuale.

R.SH. - Vatikan

Tё veprojmë së bashku për të rivendosur drejtësinë sociale dhe mjedisore për të gjithë. Papa Françesku e shikon temën e Ditës kundër Varfërisë në njё shkallё mё tё zgjeruar e thekson, në një tweet, se “kemi nevojë ta rrisim ndërgjegjësimin qё sot ose shpëtojmë të gjithë ose askush nuk shpëton: #varfëria, degradimi, vuajtja e një zone të tokës janë terren për rritjen e problemeve që përfundimisht do të prekin mbarë planetin". Pandemia Covid-19 po rrit varfërinë kudo nё botë, edhe në Evropë, ku gjithnjë e më shumë njerëzit kanë nevojë për ndihma ushqimore.

Edhe Evropa në prangat e varfërisë

Në gjithё botën, sipas Bankës Botërore, më shumë se 730 milion njerëz jetojnë me më pak se 1.90 dollarë në ditë. Dhe, siç thekson Sekretari i Përgjithshëm i OKB-sё Antonio Guterres, pandemia këtë vit mund të shtyjë edhe 115 milion njerëz të tjerë në varfëri. "Situata në Evropë ka ndryshuar ndjeshëm. Në vitin 2016, pak më pak se 16% e popullsisë së Bashkimi Evropian nuk kishte burime tё mjaftueshme financiare për strehim, veshje, ushqim dhe kohë tё lirë. Sot kjo shifër po rritet ndjeshëm në të gjitha vendet anëtare, aq sa paqartësia po zë vendin e stabilitetit ekonomik, me tё cilën shumica e popullsisë ishte mësuar deri në mbërritjen e koronavirusit. Në praktikë, Covid po krijon të varfër të rinj në Kontinentin e Vjetër dhe ata që ishin tashmë në vështirësi para pandemisë e shohin gjendjen e tyre duke u përkeqësuar ndjeshëm. Me pandeminë, varfëria tani prek kategoritë që qenё kursyer më parë: punëtorët e përkohshëm, punëtorët e rastit, artizanët dhe studentët.

Ndikim serioz tek të miturit

Një në katër fëmijë në Evropë kërcënohet nga varfëria, një gjendje kjo që sjell me vete edhe problemin e kequshqyerjes. Sipas Programit Botëror të Ushqimit (PAM), fitues i Çmimit Nobel për Paqe i këtij viti, gati 690 milion njerëz në botë janë të kequshqyer. Sipas një raporti tё Gjykatës Evropiane botuar në 2019, gjatë vitit 2018, në Bashkimin Evropian 23 milion fëmijë ka qenё në rrezik të varfërisë ose tё përjashtimit social. Prandaj, sot, siç tha Papa Françesku më 3 tetor, duhet tё "luftojmë kundër shkaqeve strukturore të varfërisë, pabarazisë, mungesës së punës, mungesës së strehimit, mohimit të të drejtave sociale dhe të punës". Që nga ditët e para të urgjencës shëndetësore, Kisha katolike përmes organizmave tё saj si Karitasi ka vazhduar t’u qëndrojnë pranë tё fundmëve tё shoqërisë, njerëzve më të brishtë e në vështirësi.

17 tetor 2020, 12:42