Kërko

2020.10.18 Angelus 2020.10.18 Angelus 

Papa: ti paguajmë taksat dhe tё jemi dëshmitarë të Ungjillit

Gjatë Engjëllit Tёnzot, Papa Françesku komentoi Ungjillin e sё Dielës, duke na inkurajuar të jemi qytetarë të ndershëm dhe në të njëjtën kohë dëshmitarë të dashurisë së Zotit, shembull për burrat dhe gratë e shoqёrisё sё sotme.

R.SH. - Vatikan

"Gracka" që kundërshtarët e Jezusit përgatisin duke i bërë "një pyetje tinëzare" për ta diskredituar  - "A është e lejueshme, apo jo, t’i paguhet Cezarit tatimi?" - është qendra e reflektimit të Papёs Françeskut para lutjes mariane të Engjёllit Tёnzot, kremtuar sot nё mesditё nё sheshin e Shёn Pjetrit nё Vatikan. Pikërisht duke u nisur nga përgjigjja e Jezusit - " “Jepni, pra, Cezarit çka i përket Cezarit, e Zotit çka i përket Zotit " - Papa nёnvizoi dy pёrmasa a aspekte, duke kujtuar detyrat e secilit, qё janё: të jemi qytetarë të mirë dhe të krishterë të mirë.

Pagimi i taksave është një detyrë e qytetarëve, ashtu si edhe zbatimi i ligjeve tё drejta të shtetit. Në të njëjtën kohë, është e nevojshme të afirmohet primati i Zotit në jetën njerëzore dhe në histori, duke respektuar të drejtën e Zotit për atë që i takon. Prandaj ky ёshtё misioni i Kishës dhe i krishterëve: të flasin për Hyjin dhe Atë ta dëshmojnë para burrave dhe grave të kohës së tyre.

Tё jesh shëmbëlltyrë e Zotit

Papa Françesku kujtoi se pyetja e pakëndshme, madje e vështirё drejtuar Jezusit, lindi pasi asokohe imazhi i perandorit romak në monedha konsiderohej njё, "fyerje ndaj Zotit tё Izraelit". Jezusi, me përgjigjen e tij, shkon shkon pёrtej polemikave tё kohёs e zgjeron horizontin:

Nga njëra anë, ai e njeh që taksa për Cezarin duhet të paguhet - e edhe nga ne të gjithë: taksat duhet të paguhen -, sepse imazhi në monedhë është i Cezarit; por mbi të gjitha mos tё harrojmë se çdo person mbart nё vete një imazh tjetër - qё e kemi në zemër, në shpirt -, imazhin e Zotit, e prandaj i takojmё Atij dhe vetëm Atij, kёshtu çdonjëri prej nesh i është borxhli Zotit për ekzistencën e vet, për jetën e vet.

Ndërtimi i civilizimit të dashurisë

Pikërisht nga ky dallim, bëhet i qartë misioni i të krishterëve, tё cilёt duhet "të jenё prani e gjallë në shoqëri, duke e gjallëruar atë me Ungjill dhe me limfën jetësore të Shpirtit Shenjt Zot".

Është fjala pёr t’u impenjuar me përvujtëri, e në të njëjtën kohë me guxim, duke dhënë kontributin personal në ndërtimin e qytetërimit të dashurisë, ku mbretëron drejtësia dhe vëllazërimi.

Papa Françesku e përfundoi reflektimin e tij mbi Ungjillin e kësaj sё diele  të 29-të  gjatë vitit kishtar, me lutjen drejtuar Virgjërës Mari për të na ndihmuar  t’i shmangemi çdo hipokrizie e të "jemi qytetarë të ndershëm e konstruktivë" dhe "dishepuj të Krishtit në misionin e dëshmimit se Zoti është qendra dhe kuptimi i jetës.

18 tetor 2020, 13:02