Kërko

Vatican News

Papa: të lutemi që të ketë më tepër gra në postet me përgjegjësi në Kishë

Publikohet videoja me ndjetin e lutjes së Papës Françesku për muajin tetor. Tema: “Gratë në poste me përgjegjësi”. “Sot - pohon Papa – kemi ende nevojë të zgjerojmë hapësirat për një prani femërore më të rëndësishme në Kishë”. Nisma promovohet nga Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku dëshiron që gratë laike të kenë më tepër poste me përgjegjësi në Kishë dhe për këtë, u kërkon lutje të gjithë katolikëve të botës. Në ndjetin e tij të lutjes për muajin tetor, që u bë i njohur sot, përmes videomesazhit të publikuar nga Rrjeti Botëtor i Lutjes së Papës, Ati i Shenjtë i nxit besimtarët të luten që “në sajë të Pagëzimit, besimtarët laikë, veçanërisht gratë, të marrin pjesë më shumë në detyrat me përgjegjësi në Kishë, pa rënë në klerikalizma që e anulojnë thirrjen e laikëve”. E pikërisht në Pagëzimin i ka rrënjët protagonizmi i laikëve dhe grave. “Askush – vëren Papa - nuk është pagëzuar as meshtar e as ipeshkëv. Të gjithë jemi pagëzuar si laikë. Laiket dhe laikët janë protagonistët e Kishës”.

Më shumë përgjegjësi për laikët, sidomos për gratë

          Në videomesazh, Papa Françesku vijon: “Sot kemi nevojë t’i zgjerojmë hapësirat për një prani femërore më vendimtare në Kishë. Natyrisht, edhe për praninë e laikëve, por duke nënvizuar aspektin femëror, sepse në përgjithësi gratë lihen mënjanë “. E Papa nuk flet për një prani të thjeshtë, kur shpjegon: “Duhet të promovojmë integrimin e grave në postet ku merren vendime të rëndësishme”.

Emërimet e Papës Françesku dhe festa e shën Marisë Magdalenë

          Për Papën Françesku, roli i grave në Kishë ka qenë gjithnjë një nga temat më të dashura të papnisë. Që në fillim, thirri shumë gra në detyra të ndryshme të rëndësishme në Vatikan. Por jo vetëm kaq. Teksti i Rrjetit Botëror të Lutjeve të Papës, që shoqëron videon, përmend, për shembull, se në vitin 2016, Françesku “e ngriti në rangun e festës liturgjike datën kushtuar Shën Marisë Magdalenë, e cila, në fillim të lutjes eukaristike, gjatë meshës, quhet ‘apostulle e apostujve’: e bëri këtë për të nënvizuar rëndësinë e kësaj gruaje, e para që pa fytyrën e të Ringjallurit ndërmjet të vdekurve, e para, që Jezusi e thërret me emër, e para që mori prej Tij misionin për të kumtuar Ringjalljen”.

Në shumë vende, gratë mbajnë gjallë Kishën

          Duke iu referuar Nxitjes pas-sinodale të Papës Françesku “Querida Amazonia”, në notën për paraqitjen e ndjetit të lutjes, vërehet se “gra, të frymëzuara nga Shpirti Shenjt, e mbajnë gjallë Kishën në shumë anë të botës, me përkushtim të admirueshëm e me fe të zjarrtë. Prandaj, është themelore të marrin pjesë gjithnjë e më shumë në vendimarrjen e saj. Kjo kërkon ndryshime të thella në mendësi, kërkon kthesë dhe presupozon lutje”. Të drejtat legjitime të grave, duke filluar nga bindja se burrat e gratë kanë të njëjtin dinjitet, shtrojnë para Kishës pyetje të thella, që e sfidojnë atë dhe nuk mund të mbeten pa përgjigje, përfundon teksti.

Rrjeti Botëror i Lutjes së Papës

          Videoja e Papës është nismë zyrtare globale për të përhapur ndjetet mujore të lutjes së Atit të Shenjtë. Realizohet nga Rrjeti Botëror i Lutjeve të Papës (ish-Apostullimi i Lutjes), me mbështetjen e Vatican Media. Rrjeti i Lutjeve është vepër papnore, që ka për mision mobilizimin e katolikëve për të përballuar sfidat e njerëzimit me lutje e veprim. Themeluar më 1844 me emrin Apostullimi i Lutjes, Rrjeti i sotëm është i pranishëm në 98 vende e në të bëjnë pjesë më se 35 milion katolikë. Anëtarë të tij janë edhe të rinjtë e Lëvizjes Eukaristike Rinore.

08 tetor 2020, 17:38