Kërko

1602147320066.JPG

Papa për Moneyval: nuk duhen lejuar tregjet të spekulojnë në tempullin e njerëzimit

Në fjalën drejtuar ekspertëve të Komitetit të Këshillit të Evropës, ardhur në Vatikan për vlerësimin periodik të masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, Papa Françesku kujtoi nevojën për një financë të ndershme, në shërbim të njerëzimit, veçanërisht, në ndihmë të më të brishtëve.

R.SH. - Vatikan

Është punë që “e kam veçanërisht për zemër”, kryer “për mbrojtjen e një finance të pastër” e të ndershme, përmes së cilës ‘tregtarët’ nuk lejohen të spekulojnë në atë tempull të shenjtë, që është njerëzimi”. Kështu u foli Papa, sot paradite, ekspertëve të Grupit Moneyval, Komitetit të Këshillit të Evropës, që më 30 shtator erdhi në Vatikan për të vlerësuar masat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Kjo vizitë është caktuar që në vitin 2019 dhe bën pjesë në ciklin e vlerësimeve periodike, të cilave u nënshtrohen të gjitha juridiksionet anëtare të Moneyval, sipas një kalendari të paracaktuar.

Ndryshime në legjislacionin e Vatikanit

          Papa Françesku kujtoi se në “legjislacionin e Vatikanit, edhe kohët e fundit, janë marrë masa për transparencën në administrimin e parave dhe për luftën kundër pastrimit të parave e financimit të terrorizmit. Më 1 qershor u bë e njohur një Motu Proprio për administrimin më të frytshëm të kapitaleve dhe për favorizimin e transparencës, të kontrollit dhe të konkurrencës në procedurat për prokurimin e kontratave publike. Më 19 gusht, një urdhëresë e presidentit të Guvernatorit i detyron organizatat vullnetare dhe personat juridikë të Shtet-Qytetit të Vatikanit t’ia raportojnë veprimtaritë e dyshimta Autoritetit të Informacionit Financiar”.

Nganjëherë, prekim para e i ndotim duart me gjak

          Në fjalën e tij, Papa uroi që financat “të mos i shtypin më të brishtët dhe më nevojtarët”, duke theksuar nevojën për “rimendimin e marrëdhënieve me paratë”, sepse “në disa raste, duket sikur pranohet pa problem mbizotërimi i parave mbi njeriun”:

          “Nganjëherë, për të grumbulluar pasuri, nuk i kushtojmë vëmendje origjinës së saj, veprimtarive pak a shumë të ligjshme në zanafillë të saj dhe logjikës së shfrytëzimit, së cilës i janë nënshtruar. Kështu, ndodh që në disa zona, të prekim para e t’i ndotim duart me gjak, me gjakun e vëllezërve. Ose, edhe më keq, mund të ndodhë që burimet financiare të përdoren për të mbjellë terror, për të afirmuar hegjemoninë e më të fortit, të më arrogantit, të atyre që, pa skrupuj, sakrifikojnë jetën e vëllait për të afirmuar pushtetin e vet”.

"Nuk i shërbehet edhe Zotit, edhe pasurisë"

          Në vazhdën e Papës shenjt Palit VI, edhe Françesku ripropozoi themelimin e një fondi global për të ndihmuar të varfërit dhe të uriturit “me paratë që tani përdoren për armatimin dhe për shpenzime të tjera ushtarake”. Gjithashtu, kujtoi se magjisteri shoqëror i Kishës ka vë në pah prej kohësh “sa e gabuar është ‘dogma’ neoliberiste”, sipas së cilës rendi ekonomik dhe rendi moral janë aq “të huaj” për njëri-tjetrin, sa i pari nuk varet aspak nga i dyti”. “Adhurimi i viçit të lashtë të artë - shtoi Françesku - ka gjetur një version të ri e të pamëshirshëm në fetishizimin e parave dhe në diktaturën e një ekonomie pa fytyrë dhe pa ndonjë qëllim vërtet njerëzor”. Kështu, “spekulimet financiare, që kanë si qëllim fitimin e lehtë të parave vazhdojnë të shkaktojnë masakra”. Por, rruga e përvijuar nga Jezu Krishti është e qartë:

          “Jezusi i dëboi tregtarët nga tempulli dhe na mësoi se ‘nuk i shërbehet edhe Zotit, edhe pasurisë’ (Mt 6,24). Vërtet, kur ekonomia e humbet fytyrën e saj njerëzore, paratë nuk shërbejnë, jemi ne që u shërbejmë atyre. Kjo është formë idhujtarie, kundër së cilës jemi të thirrur të reagojmë, duke ripropozuar rendin e arsyeshëm të gjërave, që çon sërish drejt së mirës së përgjithshme, sipas së cilës paratë duhet të shërbejnë e jo të komandojnë!”.

08 tetor 2020, 12:03