Porziuncola Porziuncola

Papa në Asizi. Vëllazërimi, në udhën e Kishës në dalje

Pritet me interes të madh Enciklika e tretë e Papës Françesku. Komentet e një ipeshkvi të formuar në përshpirtërinë françeskane dhe të një studiuesi jezuit të teologjisë islame, në prag të vizitës së Atit të Shenjtë në Asizi.

R.SH. - Vatikan

Për herë të parë, një Papë do të largohet nga Vatikani për të nënshkruar një Enciklikë. Ati i Shenjtë Françesku do ta bëjë këtë nesër, e shtunë, 3 tetor, për të shkuar në Asizi të Italisë, qyteti shpirtëror i shenjtit, emrin e të cilit mban Bergoglio. Por si pritet ky dokument i ri, që ka në thelb vëllazërimin njerëzor dhe botën pas pandemisë? Në mikrofonin tonë, komenti i ipeshkvit ndihmës të Milanos, imzot Paolo Martinelli, françeskan, ish-dekan i Institutit Françeskan të Përshpirtërisë në Universitetin Papnor “Antonianum” dhe i jezuitit, atë Luigi Territo, studiues i teologjisë fondamentale dhe i teologjisë islame në Fakultetin Teologjik të Italisë së Jugut.

Firma e Asizit, shenjë e një Kishe në lëvizje

 Rëndësia e gjestit të Papës theksohet nga ipeshkvi Martinelli, që nënvizon se vendi i nënshkrimit të enciklikës është pikërisht ai ku shën Françesku përjetoi përvojën e tij shpirtërore, thelbi i së cilës ishte pranimi se të gjithë jemi vëllezër. Atë Territo i shton kësaj, edhe vlerën e një Kishe “në dalje”, siç i pëlqen të thotë Papës: “Duket se ai i thotë botës se ka një përparësi mistike dhe shpirtërore në përvojën e fesë, ndryshe nga të gjitha format institucionale të besimeve tona. Këtë përfaqëson Asizi, jo vetëm për të krishterët, pasi aty është kujtesa historike e një shenjtori, që jetoi si të vegjlit e Ungjillit, duke iu besuar plotësisht Atit Qiellor e, pikërisht për këtë arsye, u njoh si vëllai i të gjithëve”.

Një magjister i mbrujtur me vëllazërim

Duke parë enciklikat e Papës Françesku, mund të gjenden lehtë farat, që përgatitën terrenin për temën e enciklikës së fundit “Fratelli tutti”. “Mendimi të shkon në tekstin e ‘Evangelii gaudium’ - kujton imzot Martinelli - ku në disa fragmente flitet për mistikën e jetesës së përbashkët, për takimin, mbajtjen në krahët e njëri-tjetrit, për përkrahjen dhe për marrëdhëniet vëllazërore ndërmjet gjithë njerëzve. Së paku, duke parë titullin, unë shoh një lidhje të thellë me atë tekst themelor dhe programatik të papnisë së Françeskut”. Prelati nënvizon idenë e bashkimit me njëri-tjetrin, pasi, në mënyrë të mistershme, shohim praninë e Zotit tek secili prej nesh. Një mistikë, që di ta perceptojë Zotin në marrëdhëniet vëllazërore. Por edhe në ‘Christus Vivit’ - nxitja apostolike drejtuar të rinjve pas Sinodit - gjejmë vlerësimin për stilin e hapjes ndaj të gjithëve, për vëmendjen konkrete ndaj secilit, për sinqeritetin, guximin mirëbesimin: janë themelet e ndjenjës së fuqishme të vëllazërimit”. E këtu, është e nevojshme të citojmë shën Françeskun e Asizit, i cili kur shkroi testamentin, filloi me fjalët “Zoti më dha vëllezër...”.

Atë Territo është dakord me faktin se enciklika e re i referohet tekstit të “Evangelii gaudium”, ku Papa flet për një Kishë që di të bëjë hapin e parë, që di të marrë nisma pa frikë, që shkon në kërkim të të largtëve, në udhëkryqe... “Nuk është aq çështje vëllazërimi në reciprocitet – shpjegon jezuiti - por është koncepti i një Kishe që nuk pret, që del jashtë në kërkim të vëllezërve, që përcakton rrugën. Në këtë kuptim, Kisha për Papën është tharm i vëllazërimit. E shoh këtë, edhe në ‘Amoris Laetitia’ e në ‘Laudato si’’: kemi idenë e shoqërimit të gjithë njerëzimit, të dashurisë martesore, të çifteve me probleme, të shoqërimit të të përjashtuarve, të shqetësimit për plagët e tokës. Pra, kemi idenë e Kishës, që shqetësohet për gjithë njerëzimin”.

02 tetor 2020, 12:48