2020.03.03-Papa-con-le-donne-14.jpg

Papa: mikpritja e kumtimi, veçoritë e grave protagoniste në Kishë

Papa Françesku i shkruan Konsultës femërore të Këshillit Papnor për Kulturën, mbledhur në seminar, për të reflektuar mbi tre tekste të magjisterit: është “risi e mirë”, pohon Ati i Shenjtë, që, për herë të parë, një dikaster i Kuries Romake “përfshin një grup grash, duke i bërë protagoniste të projekteve dhe të linjave kulturore që po zhvillon, e jo vetëm për t’u marrë me çështjet e grave”

R.SH. - Vatikan

“Të krijojë dialog ndërmjet intelektit dhe përshpirtërisë, ndërmjet unitetit dhe ndryshueshmërisë, ndërmjet muzikës dhe liturgjisë, me një qëllim themelor, miqësinë dhe besimin universal”, i ndihmuar nga një “zë femëror, që dëshiron të kontribuojë në shërimin e kësaj bote të sëmurë”. Për Atin e Shenjtë, ky është qëllimi i seminarit “Gratë lexojnë Papën Françesku: lexim, reflektim dhe muzikë”, gjatë të cilit Konsulta femërore e Këshillit Papnor për Kulturën do të diskutojë mbi tri shkrime të Bergoglio-s: Nxitjen apostolike “Evangelii Gaudium”, enciklikën “Laudato si’” dhe “Dokumentin mbi vëllazërimin njerëzor për paqen”, nënshkruar në Abu Dabi më 2019.

Larmi e pasur

          Në një mesazh për pjesëmarrësit, Papa Françesku vë në pah “risinë e bukur”, që përfaqëson Konsulta femërore për Kurien Romake. “Për herë të parë”, thekson ai, “një Dikaster përfshin një grup grash, duke i bërë ato protagoniste të projekteve dhe të linjave kulturore që po zhvillon, e jo vetëm për t’u marrë me çështjet e grave”. Konsulta përbëhet nga “gra, që punojnë në disa sektorë të jetës shoqërore, bartëse të botëkuptimeve kulturore dhe fetare të botës, të cilat, megjithëse të ndryshme, kanë qëllimin e vetëm për të punuar së bashku, me respekt të ndërsjellë”. Prandaj, nënvizon Papa, ajo është e pasur me atë lloj larmie, “ që di të punojë duke kërkuar me dialog pikat e përbashkëta dhe harmoninë”.

Nën udhëheqjen e shën Hildegardës

          Këto takime do të zhvillohen nën mbrojtjen hyjnore të Shën Hildegardës nga Bingeni, shpallur Dijetare e Kishës në vitin 2012. Ajo, kujton Papa, “bashkon në një, njohuritë shkencore dhe shpirtërore” dhe “si mjeshtre e vërtetë, lexon, komenton, krijon dhe u jep mësim grave e burrave”. Ashtu si shën Françesku, i cili kompozoi “një himn të harmonishëm, në të cilin i këndon dhe i thur lavde Zotit të gjithësisë”, që banon në krijimin e vet, edhe shën Hildegarda doli jashtë skemave të kohës, “të cilat i ndalonin gratë të studionin e të hynin në bibliotekë”. Në këtë kuptim, reflektimi i grave të Konsultës, “do të mund të japë një këndvështrim të veçantë mbi temën e konfrontimit shoqëror dhe kulturor si kontribut për paqen, sepse gratë e kanë për dhuratë atë lloj dije, që di të shërojë plagët, të falë, të rishpikë dhe të përtërijë”.

Realizimi i jetës së gruas

          Në historinë e shëlbimit, thekson Françesku, “është pikërisht një grua që e pranon Fjalën” e Zotit e po gratë janë “ato, që e mbajnë ndezur flakën e besimit në natën e errët, që presin dhe shpallin Ringjalljen” e Krishtit. Këto dy akte, nënvizon Papa, “mikpritja dhe kumtimi”, janë mënyra e gëzueshme e grave për t’u realizuar në jetë. “Në kujdesin për gjithësinë, në krijimin e një bote më të drejtë, në dialogun që respekton dhe vlerëson ndryshimet”, përfundon Papa, gratë janë “protagoniste të një Kishe në dalje, përmes dëgjimit dhe shqetësimit për nevojat e të tjerëve dhe përmes aftësisë së theksuar për të mbështetur drejtësinë në një atmosferë ‘ngrohtësie shtëpiake’, në ambientet e ndryshme shoqërore në të cilat veprojnë”. Papa uron që ato të jenë bartëse të paqes dhe të ripërtëritjes.

08 tetor 2020, 13:59