Kërko

2020.10.17 Carabinieri Compagnia Roma San Pietro 2020.10.17 Carabinieri Compagnia Roma San Pietro 

Papa karabinierëve tё Kompanisë "San Pietro": ndihmoni më të brishtët

Audienca e Papës Françesku me Karabinierët që shërbejnë në zonën e Vatikanit: ju shoh çdo mëngjes nga dritarja, "ju përshëndes përzemërsisht dhe ju falënderoj", jini veçanërisht të vëmendshëm ndaj të moshuarve dhe të varfërve.

R.SH. - Vatikan

Audienca e Papёs Françesku në Sala Clementina me karabinierët e Romës "San Pietro" është një rast për Françeskun pёr të shpreh mirënjohjen e tij "për shërbimin që i bëni Selisë së Shenjtë, duke bashkëpunuar me forcat e tjera italiane e vatikanase për sigurinë dhe rendin publik”. Komandanti i përgjithshëm i Karabinierëve hapi takimin duke iu drejtuar Papës me një përshëndetje në emër të të gjithëve, komandantit të Kompanisë, komandantëve dhe oficerëve të tjerë.

Shërbimi ditor rreth Vatikanit

Shërbimi është ai që ushtarët e karabinierisë kryejnë përreth Qytetit të Vatikanit për të ndihmuar e lehtësuar zhvillimin e qetё të ngjarjeve të ndryshme që shpesh tërheqin me mijëra besimtarë nga e gjithë bota. Një aktivitet, tha Papa, "i cili kërkon, nga njëra anë, nevojën për t’i zbatuar urdhrat e dhëna dhe, nga ana tjetër, një gatishmëri plot durim e mirëkuptim ndaj nevojave tё njerëzve". E Françesku vazhdoi:

Në punën tuaj, rreth Vatikanit si dhe në zona të tjera të qytetit, ju jeni thirrur t'u kushtoni vëmendje të veçantë njerëzve të brishtë dhe të pafavorizuar, veçanërisht të moshuarve, të cilët janë rrënja e kulturës sonë, kujtesё e gjallë e kulturës sonë. Kjo lehtësohet nga marrëdhënia e besimit dhe përkushtimit ndaj së mirës së përbashkët që zakonisht vendoset ndёrmjet karabinierëve dhe njerëzve. Kjo është vërtetë diçka kureshtare. Kur një person takon një karabinier, është i vetëdijshëm se mund të mbështetet në ndihmën e tij.

Ndjenja e detyrës dhe vëmendja ndaj njerëzve

Jo gjithmonë disa gjeste që bëhen ndaj njerëzve në shërbimin e përditshëm janë të dukshme ose vërehen nga eprorët, tha Papa Françesku, por me siguri Zoti nuk i harron ato. Përkushtimi ndaj të afёrmit e ndaj tjerëve, kujtoi akoma Ati i Shenjtё, janё pjesë e misionit tuaj i cili kërkon "gatishmëri, maturi, shpirtin e sakrificës dhe ndjenjën e detyrës".

Ju inkurajoj që të jeni kudo promovues të qytetarisë së përgjegjshme, mbrojtës të së drejtës për jetën, përmes angazhimit për sigurinë dhe mbrojtjen e njerëzve. Gjatë ushtrimit të profesionit tuaj, ju shoqëroftë gjithmonë vetëdija se çdo person është i dashur nga Zoti, tё bindur se çdo njeri është krijesë e Tij dhe si i tillë meriton respektin.

Prania juaj është tejet e çmuar

Duke falënderuare akoma të pranishmit për shërbimin e tyre vigjilent, Papa Françesku rrëfeu në një përvojë personale:

Çdo mëngjes kur arrij këtu në studion time në Bibliotekë, i lutem Zojës sё Bekuar dhe pastaj shkoj te dritarja për të parë sheshin, për të parë qytetin dhe aty në fund të sheshit ju shoh ju. Çdo mëngjes ju përshëndes pёrzemёrisht dhe ju falënderoj.

Së fundi, Papa Françesku kujton se karabinierët janë trashëgimtarë të një tradite feje, besimi, besnikërie dhe zemërgjerësie që karakterizon armën e karabinierisë dhe të gjithë të pranishmit ia besoi "mbrojtjes amtare të Zojës sё Bekuar, të cilën - vërejti Papa - ju e nderoni me titullin Virgo fidelis ".

17 tetor 2020, 14:26