Kërko

Vatican News

Françesku: fryma e vëllazërimit na bën të dalim më të mirë nga kriza

Në intervistën për revistën “Il mio Papa”, realizuar nga drejtoresha e saj, Carmen Magallón, Ati i Shenjtë Françesku na fton në këtë kohë pandemie, të mendojmë jo për të tashmen tonë, por për brezat e rinj. “Duhet të marrim përsipër përgjegjësinë për të ardhmen - thotë ai - dhe ta përgatisim tokën që të tjerët ta punojnë”

R.SH. - Vatikan

Temat kryesore të jetës gjatë pandemisë dhe propozimet për ta kapërcyer këtë çast krize: këto janë drejtimet në të cilat shtjellohet intervista e Papës Françesku për revistën “Il mio Papa” (Papa im). “Pandemia – pohon Françesku - po e ndryshon botën dhe po na vë në krizë”. Nuk mund të dalim nga kjo gjendje, duke mbetur si më parë: “Ose do të dalim më të mirë, ose më të këqinj. Kjo - shpjegon Papa - varet nga vendimet që marrim gjatë krizës”.

Kopertina e revistës "Il mio Papa"
Kopertina e revistës "Il mio Papa"

Të marrim përsipër të ardhmen

Ati i Shenjtë bën një pyetje thelbësore: “Ç’ mënyrë jetese do t'u lëmë brezave të ardhshëm?” Sipas tij, duhet të reshtim së menduari vetëm për vete e për të tashmen e çastit. Duhet të shohim drejt së ardhmes “në perspektivën e një njerëzimi, që dëshiron të mbetet në kohë si pjesë e krijimit” të Hyjit. “Duhet të marrim përsipër përgjegjësinë për të ardhmen, ta përgatisim tokën që të tjerët ta punojnë”. Kjo, pohon Papa, është “kultura, për të cilën duhet të mendojmë gjatë pandemisë”.

T’i bëjmë ballë dhimbjes

 Si t’i përgjigjemi dhimbjes së shkaktuar nga pandemia? Papa kujton para së gjithash gjestet e vogla dhe të mëdha, që bënë kaq shumë njerëz në botë për të ndihmuar njerëzit e tjerë. Ne duhet t'i përgjigjemi kësaj dhimbjeje, thekson Bergoglio, “duke u përpjekur të bëhemi të afërt”. “Është çasti i heshtjes, i afërsisë dhe i përpjekjes për të bërë ç’është e mundur për të qëndruar të bashkuar”. “Shenjtorët në portën fqinjë janë të shumtë”, shpjegon Papa, duke iu referuar të gjithë njerëzve, që u shërbyen spontanisht nevojtarëve. Këta njerëz, “nuk deshën të ‘ikin’, por u bënë ballë problemeve dhe kërkuan zgjidhje praktike”.

Pranë të mënjanuarve

 Papa Françesku kujton edhe se angazhimi për jetën nuk ka të bëjë vetëm me çështjet shëndetësore. Ati i Shenjtë bën thirrje për të ndihmuar të mënjanuarit nga sistemi, të papunët. Jemi para një “sfide të madhe shoqërore”, vëren ai. “Kultura e hedhurinave i ka mbrujtur marrëdhëniet tona”. Prandaj, ne nuk mund të ndjekim të njëjtin model ekonomik, që i ka themelet në padrejtësinë shoqërore. “Pandemia - pohon Papa – na bëri ta shohim se jemi mësuar me këtë klimë mbeturinash: hidhen të moshuarit, hidhen të varfërit, hidhen fëmijët, akoma pa lindur”. “Çdo jetë – thekson Françesku – vlen dhe meriton të mbrohet e të respektohet”.

Kultura e vëllazërimit

 Për Papën, ne jemi thirrur të përballemi me guxim me kulturën e hedhurinave. Një kulturë që “na kërcënon vazhdimisht”. Kundër kësaj kulture, duhet të propozojmë një mënyrë tjetër jetese: “kulturën e mirëseardhjes, të mikpritjes, të afërsisë, të vëllazërimit”. Sot, më shumë se kurrë, na kërkohet të kemi frymë vëllazërimi, të takohemi me tjetrin, më të brishtin dhe më të dobtin e të kujdesemi për të.

Çasti i lutjes më 27 mars

Një nga pyetjet e gazetarit të intervstës për revistën “Il mio Papa” kujton çastin e jashtëzakonshëm të lutjes në kohë pandemie, kryesuar nga Papa Françesku. Papa pohon se në fillim kishte frikë se mos rrëshqiste nga shkallët. “Zemra ime - shton - ishte me të gjithë popullin e Zotit që vuante dhe me njerëzimin, që duhej të duronte këtë pandemi”. “Ngjita shkallët duke u lutur, u luta gjithë kohën dhe u largova duke u lutur. Kështu e përjetova atë 27 mars”. Audiencat e përgjithshme pa besimtarë kanë qenë çaste të vështira për Papën: “Ishte si të flisje me fantazmat”. “Kompensova shumë nga këto mungesa fizike - shton ai - me anë të telefonit e të letrave”.

Të ndërtojmë të ardhmen

Së fundi, Papa pohon se nuk ka ndonjë recetë për të dalë nga kriza. Por do ta gjejmë mënyrën për ta ndryshuar paradigmën ekonomike: “Të fillojmë nga periferitë”. “Fola për periferitë, por duhet të përfshijmë edhe shtëpinë e përbashkët, që është bota, kujdesi për universin”. Vëllazërimi, siç kujton enciklika e sapobotuar “Fratelli tutti”, është një nga çelësat për ndërtimin e së ardhmes. Duke iu referuar shpërndarjes së një vaksine të mundshme kundër koronavirusit, Papa nënvizon se “nuk mund të jetë pronë e një vendi, të laboratorit që e gjen, ose të ndonjë grupi shtetesh aleate për këtë qëllim”. “Vaksina është pasuri e njerëzimit, e të gjithë njerëzimit, është universale”. “Sepse shëndeti i popujve, siç na mëson pandemia, është pasuri e përbashkët, i përket së mirës së përbashkët”. Ky, kujton Papa, është kriteri.

Migrantët

Duke iu përgjigjur pyetjes mbi flukset migratore, Papa nënvizon: “nëse nuk kujdesemi për migrantët, humbasim një pjesë të madhe të njerëzimit, të kulturës që ata përfaqësojnë”. “Gjatë periudhës së bllokimit, shumë migrantë punonin tokën, mbanin të pastër qytetin dhe kryenin shumë shërbime. Është e dhimbshme të shohësh se nuk pranohen e nuk vlerësohen”. Papa kërkon të studiohen më mirë shkaqet e emigracionit, si në rastin e Libanit, ose Sirisë. “Familje të tëra ikin nga një luftë, që nuk kuptohet. Vendet tona - pyet Papa – a mund të qëndrojnë neutralë përballë kësaj situate të dhimbshme?”.

Shpresë në njerëzimin

Ndërmjet temave në qendër të intervistës është edhe ajo e Kishës së varfër. Ka meshtarë, rregulltarë, laikë, murgesha, ipeshkvij, shpjegon Papa, që impenjohen jashtëzakonisht për arritjen e këtij qëllimi. “Ka shembuj të bukur - shton ai - që po hapin udhën”. Papa shpreson në gjithë njerëzimin. “Njerëzimi – pohon në intervistë - është në gjendje të reagojë, veçanërisht në periferi, nëse organizohen”. “Më pëlqen të mendoj për shpirtin e popujve, për atë rezervë shpirtërore, që u jep mundësi të shkojnë gjithmonë përpara”. Papa, duke kujtuar popujt e persekutuar , si jazidët dhe rohingjat, thekson se ne duhet shkuar ndër popujt, që vuajnë. “Derisa i gjithë njerëzimi të mos përgjegjësohet për këtë, nuk ka shpresë”.

Në gjurmët e Shën Injacit

Në kuadrin e 500-vjetorit të kthimit të Shën Injacit të Lojolës në udhën e Zotit, Papa Françesku shpreh dëshirën e tij për të shkuar në Manresa të Spanjës, ku Injaci filloi rrugëtimin e tij drejt Hyjit. “Besoj se kthimi i Shën Injacit është edhe takim zemre dhe na fton të reflektojmë mbi kthimin tonë personal, për të kërkuar dhuratën e kthimit në udhën e Hyjit që të duam e të shërbejmë më shumë në stilin e Jezu Krishtit”.

07 tetor 2020, 13:17