soldi_moneta_.jpg

Papa Françesku: "jo", fitimit që e kthen njeriun në skllav

Papa Françesku priti sot në audiencë në Sallën Pali VI, në Vatikan, drejtuesit dhe personelin e Institutit italian “Cassa Depositi e Prestiti”. Ati i Shenjtë bëri thirrje që punonjësit e “Cassa Depositi e Prestiti” të dëshmojnë një ndjeshmëri solidare, duke favorizuar ekonominë reale për zhvillimin e individëve, familjeve dhe krejt shoqërisë.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku priti sot në audiencë në Sallën Pali VI, në Vatikan, drejtuesit dhe personelin e Institutit italian “Cassa Depositi e Prestiti”. Rasti, siç e shpjegoi vetë Ati i Shenjtë, ishte 160-vjetori i themelimit, fillimisht si “Cassa Piemontese” e pastaj, pas bashkimit të Italisë, me emrin që njihet sot – në shqip, “Banka e Depozitave dhe e Huave”. Kujtojmë se “Cassa Depositi e Prestiti” (CDP) është një institucion financiar italian, në formën e një shoqërie aksionare, e kontrolluar për rreth 83% nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave dhe për rreth 16% nga fondacione të ndryshme bankare.

CDP vepron në thelb si bankë shtetërore, duke marrë pjesë, ndër të tjera, edhe në kapitalin e rrezikut të ndërmarrjeve të mesme dhe të mëdha kombëtare, që konsiderohen strategjike për zhvillimin e vendit. Burimi kryesor financiar për këtë institucion janë kursimet postare italiane, që ai i administron që nga viti 1875. E Papa u përvijoi drejtuesve dhe personelit sfidat e sotme:

“Le të mendojmë për sfidat shoqërore dhe ekonomike të shkaktuara nga pandemia e rëndë, që vijon akoma. Të mendojmë për fenomene me pasoja të mëdha, siç është rënia e disa formave të prodhimit, të cilat kanë nevojë për ripërtëritje, ose për transformim rrënjësor. Të mendojmë për ndryshimet në mënyrën e blerjes dhe të shitjes së mallrave, me rrezikun e përqendrimit të shkëmbimit dhe të tregtisë në duart e pak realiteteve me përmasa globale. E kjo, në dëm të tipareve të veçanta të territoreve dhe të aftësive profesionale lokale, kaq tipike për realitetin italian dhe evropian”.

Duke përmendur doktrinën shoqërore të Kishës, Papa Françesku nënvizoi se “mendimi i krishterë nuk është parimisht në kundërshtim me perspektivën e fitimit, përkundrazi është në kundërshtim me fitimin me çdo kusht, me fitimin që harron njeriun, e bën atë skllav, e redukton në send ndërmjet sendeve, në një ndryshore të një procesi, që, në asnjë mënyrë, nuk mund të kontrollojë, ose t’i kundërvihet”.

“Administrimi i biznesit – vijoi Ati i Shenjtë - kërkon nga të gjithë një qëndrim të drejtë dhe të qartë, që nuk i nënshtrohet korrupsionit. Gjatë ushtrimit të përgjegjësisë, është e nevojshme të dallohet  e mira nga e keqja. Me të vërtetë, edhe në fushën e ekonomisë dhe financave, qëllimi i drejtë, transparenca dhe kërkimi i rezultateve të mira janë në përkim me njëri-tjetrin e nuk duhen konceptuar veç e veç. Duhen gjetur dhe duhen ndjekur me guxim linja veprimi të respektueshme, madje, të tilla që e promovojnë njeriun dhe shoqërinë”.

Papa bëri thirrje që punonjësit e “Cassa Depositi e Prestiti” të dëshmojnë një ndjeshmëri solidare, duke favorizuar ekonominë reale për zhvillimin e individëve, familjeve dhe krejt shoqërisë. Së fundi, Papa ruoi që ky institucion i rëndësishëm për ekonominë e Italisë, të jetë në gjendje të shoqërojë udhën e kombit e t’i shërbejë së mirës së përbashkët të tij.

05 tetor 2020, 12:30