Kërko

Vatican News

Papa: Psalmet janë britma e njeriut drejt Zotit, që Ai i Lumi ta shpëtojë nga e keqja

Në audiencën e sotme të përgjithshme, Papa Françesku ia kushtoi katekizmin Librit të Psalmeve, që na mëson si të lutemi. E nënvizoi: për t’u lutur mjafton të mos shtiremi. Edhe në vuajtjet e jetës, Zoti na dëgjon e nuk na braktis. Në fund, thirrja për të respektuar normat kundër koronavirusit.

R.SH. - Vatikan

Edhe këtë të mërkurë, në audiencën e përgjithshme, Papa Françesku ia kushtoi katekizmin lutjes. Kësaj radhe komentoi Librin e Psalmeve, libri i Biblës “që përbëhet vetëm nga lutje”, tha Ati i Shenjtë, libri që na mëson “si të lutemi”:

“Në psalme gjejmë të gjitha ndjenjat njerëzore: gëzimet, dhimbjet, dyshimet, shpresat, hidhërimet, që i japin ngjyrë jetës sonë. Katekizmi pohon se çdo psalm ‘është aq i thjeshtë sa vërtet mund të thuhet nga njerëzit e çdo kohe e të çdo rrethane’. Duke lexuar dhe rilexuar psalmet, mësojmë gjuhën e lutjes”.

Në lutje, gjejnë shprehje ndjenjat tona

Në Psalme, vazhdoi Françesku, gjejmë fjalët për të shprehur ndjenjat, për t’i thurur lavde Hyjit, për ta falënderuar, për t’iu drejtuar në gëzim e në vuajtje. Në këto tekste nuk gjejmë njerëz abstraktë, të shpikur, por persona realë, me përvojë të jetuar:

“Për t’iu lutur atyre mjafton të jemi kështu siç jemi. E mos e harroni këtë: që të lutemi si duhet, mjafton të paraqitemi para Zotit siç jemi, pa u grimuar. Mos e fshih shpirtin pas grimit e makiazhit kur lutesh. ‘Zot, unë jam kështu’ e, le të shkojmë para Zotit ashtu siç jemi, me gjërat e bukura, por edhe me gjërat e shëmtuara, që askush nuk i di, por ne ama i dimë”.

O Zot, deri kur?

Ndërmjet shumë pyetjeve, që i bëjmë Zotit në lutje, njëra tingëllon “si britmë e pandërprerë”: “Deri kur?” Papa shtoi pa letër pyetje të tjera:

“Deri kur, o Zot, duhet ta vuaj këtë? Më dëgjo, o Zot! “: Sa herë jemi lutur kështu, me “Deri kur? Mbaje dorën, o Zot… Deri kur?”.

Besimtari e di se ka kuptim që t’ia lartojë britmën Zotit, vijoi Papa:

“E kjo është e rëndësishme. Kur shkojmë të lutemi, shkojmë, sepse e dimë që jemi të çmuar në sytë e Zotit, prandaj lutemi. ‘Eee, s’më shkon ndërmend kjo…’ - por ti e di në shpirtin tënd, e di! Është hiri i Shpirtit Shenjt brenda teje që të shtyn drejt kësaj urtie: ti je i çmuar në sytë e Zotit. Prandaj, shkon të lutesh”.

Nuk ka lotë universalë

 Britma e besimtarit flet për dramën e sëmundjes, të urrejtjes, të luftës, të përndjekjes, të humbjes së besimit, të vdekjes. Ata, që luten me psalmet, i kërkojnë Zotit të ndërhyjë atje ku të gjitha përpjekjet njerëzore janë të kota. Besimtari e di që është i çmuar në sytë e Zotit dhe lutja është fillimi i shpëtimit. Papa Françesku theksoi:

 “Të gjithë vuajnë në këtë botë: edhe kur besojnë, edhe kur nuk besojnë në Zot. Por në Psalmet dhimbja bëhet marrëdhënie: një thirrje për ndihmë në pritje që një vesh të dëgjojë. Nuk mund të mbetet pa kuptim, pa qëllim. Edhe dhimbjet nga të cilat vuajmë nuk mund të jenë vetëm raste të veçanta të ndonjë ligji universal: janë gjithnjë lotët ‘e mi’, të cilët askush nuk i ka derdhur kurrë para meje”.

Biseda me prindërit e don Roberto Malgesini

Papa pohoi se para se të hynte në Sallën Pali VI, sot në mëngjes, u takua me prindërit e don Roberto Malgesini-t, meshtarit nga Como e Italisë, që u vra më 15 shtator. E shtoi:

“Lotët e atyre prindërve janë lotët ‘e tyre’ dhe secili e di vetë sa vuajti kur pa të birin, që dha jetën në shërbim të të varfërve. Kur duam të ngushëllojmë dikë, nuk i gjejmë fjalët. Pse? Sepse nuk mund ta arrijmë dhimbjen e tij, pasi dhimbja është vetëm ‘e tij’, lotët ‘e tij’ janë vetëm të tijat. Kështu ndodh edhe me ne: lotët, dhimbja ‘ime’ është vetëm e imja, lotët janë ‘të miat’ e me këto lotë, me këtë dhimbje i drejtohem Zotit”.

Zoti na njeh me emër

 “Para Zotit nuk jemi të huaj, ose numra. Jemi fytyra e zemra, të cilat i njeh një për një, me emër”, pohoi Papa. Besimtari e di se porta e Zotit është gjithmonë e hapur, se tek Ai ka shpëtim. “Zoti dëgjon”. E Papa Françesku theksoi: ata që luten, në të vërtetë, e dinë se problemet e jetës nuk zgjidhen gjithmonë, por janë të sigurt se Hyji i dëgjon e kështu, gjithçka bëhet më e durueshme.

“Gjëja më e keqe, që mund të ndodhë, është të vuash nga braktisja, pa u kujtuar kush për ty. Lutja na shpëton nga kjo. Sepse mund të ndodhë, madje, edhe shpesh, që ne të mos i kuptojmë planet e Zotit. Por britma jonë nuk mbetet këtu në tokë: ajo lartohet deri tek Ai i Lumi, që ka zemrën e një Ati dhe derdh lot Vetë për çdo bir dhe bijë, që vuan e vdes. Në çastet e vështira, ngushëllohem kur mendoj për Jezusin, që derdh lot. Jezusi qan për mua”.

Kujdesi për normat kundër Covid-19

Në fund të audiencës, Papa, duke përshëndetur pjesëmarrësit, këshilloi të respektohen normat kundër Covid-19, marrë nga autoritetet për të shmangur përhapjen e infeksionit. E pastaj, me keqardhje, pranoi:

“Unë do të doja të bëja, siç bëj zakonisht, të zbres dhe t’ju afrohem, t’ju përshëndes, por me rregullat e reja, është më mirë të ruajmë distancën. Edhe të sëmurët, i përshëndes nga zemra prej këtej. Ju jeni në distancën e nevojshme, ashtu siç duhet”.

E, duke përsëritur rëndësinë e zbatimit të masave paraprake, të cilat japin mundësi “të vijohen audiencat”, Papa Françesku e përfundoi audiencën e sotme të përgjithshme, duke theksuar: “nëse të gjithë, si qytetarë të mirë, respektojnë normat e vendosura nga autoritetet, kjo do të jetë ndihma për t’i dhënë fund kësaj pandemie”.

14 tetor 2020, 11:14