Kërko

1602056505602.JPG

Papa: nevojiten të krishterë guximtarë, që të thonë pa frikë “kjo s’bëhet”

Në audiencën e përgjithshme në Sallën Pali VI, Papa Françesku rifilloi katekizmin kushtuar lutjes, pas ciklit mbi kujdesin për gjithësinë, në botën e plagosur nga pandemia. Lutja, tha ai, “nuk është për të grimuar shpirtin” por është “një konfrontim me Zotin”, që nxit “t’u shërbejmë vëllezërve”.

R.SH. - Vatikan

“Na duhet fryma e Elisë”, njeri i jetës kundruese e njëkohësisht aktive, “i aftë të kritikojë furishëm mbretin dhe mbretëreshën, pasi kishin vrarë Nabotin për t’i marrë vreshtin”. Sot paradite, në audiencën e përgjithshme në Sallën Pali VI, Papa Françesku rifilloi katekizmin mbi lutjen, duke u frymëzuar nga përvoja e Elisë profet, njërit prej protagonistëve më të njohur të Shkrimit Shenjt:

“Sa nevojë kemi për besimtarë, të krishterë të zellshëm, që veprojnë përpara njerëzve me përgjegjësi në udhëheqje me guximin e Elias, për t’u thënë: ‘Kjo nuk duhet bërë! Kjo është vrasje!”.

Më parë lutja, pastaj veprimi

Lutja është limfë, që e ushqen vazhdimisht ekzistencën e tij, vijoi Papa të komentonte figurën e Elisë profet. Pikërisht për këtë arsye, ai është ati shpirtëror i jetës rregulltare e murgare, për shumë vetë.

“Lutja nuk është mbyllje me Zotin për të grimuar shpirtin: jo, kjo nuk është lutje. Kjo është lutje e shtirur. Lutja është ballafaqim me Zotin, që Ai të na dërgojë për t'u shërbyer vëllezërve. Lutja jep fryte në dashurinë konkrete për të afërmin. Dhe anasjelltas: besimtarët veprojnë në botë pasi së pari kanë heshtur dhe janë lutur; përndryshe veprimi i tyre është impulsiv, i pashoshitur, është vrap i kotë pa ndonjë qëllim të caktuar. E kur besimtarët veprojnë kështu, bëjnë shumë padrejtësi, sepse nuk kanë shkuar më parë te Zoti për t'u lutur, për të kuptuar ç’duhej të bënin”.

Pavarësisht nga sprovat e vuajtjet, t’i qëndrojmë besnikë Zotit

Me audiencën e sotme, Papa Françesku rifilloi katekizmin kushtuar lutjes, të cilin e pati ndërprerë në fund të qershorit për ciklin e meditimeve mbi shërimin e botës pas pandemisë. Mori si shembull Elinë profet, i cili është i pranishëm jo vetëm në Besëlidhjen e Vjetër, por edhe në disa episode të Ungjillit. Duket krah Jezusit, së bashku me Moisiun, në çastin e Shndërrimit mbi Malin Tabor e vetë Jezusi e përmend, kur flet për Gjon Pagëzuesin. Nuk u shpëton brishtësive, ashtu si çdo njeri për të cilin lutja është gëzim, por edhe mundim, kur duhet ta lëmë Zotin të na qortojë. E megjithatë, vetëm tek lutja gjejmë ngushëllim, ashtu si Elia, nënvizoi Ati i Shenjtë.

“Shkrimi Shenjt na e paraqet Elinë si njeri me fe të kristaltë: në vetë emrin, që domethënë “Jahvè është Zoti”, përmbahet sekreti i misionit të tij. E kështu, gjatë gjithë jetës: njeri me integritet, i paaftë për kompromise të vogla. Simboli i tij është zjarri, simbol i fuqisë purifikuese të Zotit. Ai është i pari, që sprovohet rëndë dhe mbetet besnik. Është shembulli i të gjithë njerëzve të fesë, që tundohen dhe vuajnë, por nuk e tradhtojnë idealin për të cilin kanë lindur”.

Nëse kemi frikë a ndihemi vetëm, të lutemi për të rigjetur paqen e shpirtit

Feja e Elisë, vijoi Papa, rritet vazhdimisht, deri sa arrin kulmin në malin Horeb, kur Zoti nuk i duket as brenda stuhisë e as brenda tërmetit, por “në pëshpërimën e puhisë së lehtë”, ose “në një fill heshtjeje tingëlluese”, shtoi jashtë tekstit, duke bërë një përkthim tjetër të fjalëve të Biblës. Zoti ia ktheu kështu paqen shpirtërore, Elisë, që mendonte se kishte dështuar në gjithçka.

“Kjo është historia e Elisë, por duket e shkruar për të gjithë ne. Nganjëherë, në mbrëmje, mund të ndihemi të padobishëm dhe të vetmuar. Pikërisht atëherë lutja vjen e troket në portën e zemrës. Është si një cep i mantelit të Elisë, që mund ta kapim të gjithë, ashtu si dishepulli i tij Elizeu mori gjysmën e mantelit. Edhe sikur të kemi gabuar diçka, ose të ndihemi të kërcënuar e të frikësuar, duke u kthyer tek Zoti me lutje, do të kthehen si për mrekulli edhe qetësia dhe paqja. Këtë na mëson shembulli i Elisë profet”, përfundoi Ati i Shenjtë.

07 tetor 2020, 11:07