Kërko

fuer-JIRA.jpg

Papa emëron Komisionin e Çështjeve të Rezervuara

Institucioni parashikohej nga Kodi i ri i Prokurimit, për të “mbikëqyrur” disa kontrata që, për shkak të karakteristikave të tyre, shkojnë përtej normave të vetë Kodit.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku ka emëruar kryetarin dhe anëtarët e Komisionit të Çështjeve të Rezervuara. Njoftimi u dha sot nga Salla e Shtypit e Vatikanit. “Ati i Shenjtë, më 29 shtator 2020, emëroi kardinalin Kevin Farrell si kryetar të Komisionit për Çështjet e Rezervuara dhe sekretar, imzot Filippo Iannone-n. U emëruan anëtarë të Komisionit në fjalë, edhe imzot Fernando Vérgez Alzaga, imzot Nunzio Galantino dhe atë Juan Antonio Guerrero”.

          Do të jetë ky komision ai, që do të përcaktojë, sipas rastit, cilat akte me natyrë ekonomike duhet të mbahen të rezervuara. Për të kuptuar këtë vendim, duhet të kthehemi tek “Normat për transparencën, kontrollin dhe konkurrencën në kontratat publike të Selisë së Shenjtë dhe të Shtet-Qytetit të Vatikanit”, botuar qershorin e kaluar. Në nenin 4 të këtij teksti të miratuar nga Papa - shkurtimisht i përcaktuar si Kodi i Prokurimit – sqarohej se zbatimi i normativës vlente për të gjitha kontratat publike, me përjashtim të disa rasteve.

          Ndërmjet këtyre rasteve, për të cilat nuk zbatohet normativa, në pikën "d" të të njëjtit nen, përmenden “kontratat e lidhura drejtpërdrejt nga Sekretaria e Shtetit dhe Guvernatorati, sipas kompetencave të tyre”, që kanë të paktën një nga karakteristikat e mëposhtme:

          “Të jenë të nevojshme për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare, nëse i njëjti instrument dikton drejtpërdrejt rregullat për fitimin e tenderave”;

“Të financohen plotësisht, ose pjesërisht, nga një organizatë ndërkombëtare, ose një institucion financiar ndërkombëtar dhe Palët Kontraktuese të kenë rënë dakord mbi procedurat e lidhjessë kontratës, për t’u zbatuar”;

“Të kenë të bëjnë me çështje të mbuluara nga sekreti, sipas nenit 39 të Motu Proprio ‘Kujdesi Vigjilent’”;

“Të kenë të bëjnë me detyrën dhe me sigurinë e Papës së Romës, të Selisë së Shenjtë dhe të Kishës Universale, pra, të jenë të domosdoshme ose në funksion të sigurimit të misionit të Kishës në botë dhe të garantimit të sovranitetit e të pavarësisë së Selisë së Shenjtë, ose të Shtet-Qytetit të Vatikanit”.

Neni 4 i Kodit të Prokurimit përfundon me një paragraf të shkurtër (paragrafi 2), i cili specifikon se “Një Komitet Kontrolli i caktuar nga Autoriteti Superior mbikëqyr kontratat e përmendura në paragrafin 1 të mësipërm, shkronja d”. Komisioni i ngritur ditët e fundit merr përsipër këto detyra kontrolli dhe mbikëqyrjeje.

05 tetor 2020, 14:27