Kërko

1601806398203.JPG

Engjëlli i Tënzot: autoriteti i vërtetë është shërbimi, jo shfrytëzimi i të tjerëve

Papa Françesku komentoi Ungjillin e sotëm, në të cilin Jezu Krishti tregon shëmbëlltyrën e vreshtarëve vrasës. “Në çdo epokë – vërejti Ati i Shenjtë – ata, që kanë autoritet në popullin e Zotit mund të tundohen për të ndjekur interesat e tyre, në vend të interesave të Hyjit. Por vreshti është i Zotit, jo i yni".

R.SH. - Vatikan

Në një ditë të jashtëzakonshme, në të cilën u bë e njohur enciklika e re e Papës Françesku “Fratelli tutti”, që vetë Ati i Shenjtë e nënshkroi dje në Asizi, Sheshi i Shën Pjetrit ishte i mbushur plot për të dëgjuar lutjen e Engjëllit të Tënzot e fjalët e Bergoglio-s për tekstin, që u drejtohet të gjithë vëllezërve e motrave, pra, të gjithë njerëzve të botës.

         Papa Françesku komentoi Ungjillin e sotëm, në të cilin Jezu Krishti tregon shëmbëlltyrën e vreshtarëve vrasës. E bën këtë, duke e ditur se e priste vdekja, për t’i paralajmëruar meshtarët dhe krerët e popullit se po ndërmerrnin një udhë të gabuar.

         “Figura e vreshtit – shpjegoi Papa – përfaqëson popullin, që Zoti e zgjodhi dhe e formoi me kujdes të madh; shërbëtorët e dërguar nga pronari i vreshtit janë profetët e dërguar nga Zoti, ndërsa i biri është figura e Jezu Krishtit. E, ashtu si u refuzuan profetët, ashtu edhe Krishti u refuzua dhe u vra”.

         Në fund të shëmbëlltyrës, Jezusi, pasi kishte treguar sesi fshatarët vranë shërbëtorët dhe të birin e të zotit të vreshtit, pyet krerët e popullit se ç’duhej të bënte ky pronar me fshatarët. E ata, i përgjigjen se duhej të dënoheshin e vreshti t’u besohej fshatarëve të tjerë, të cilët duhej t’i dorëzonin prodhimin të zotit. Të mos mendojmë, nënvizoi Papa, se Jezusi paralajmëron vetëm njerëzit e atëhershëm. Ai u flet njerëzve të të gjitha kohrave, edhe ne, pasi edhe sot, “Zoti pret frytet e vreshtit të Tij nga ata, që ka dërguar të punojnë në të”.

      “Në çdo epokë – vërejti Ati i Shenjtë – ata, që kanë autoritet në popullin e Zotit, çdo lloj autoriteti, edhe brenda Kishës, mund të tundohen për të ndjekur interesat e tyre, në vend të interesave të Hyjit. E Jezusi thotë se autoriteti i vërtetë është kur shërben, është në shërbimin, jo në shfrytëzimin e të tjerëve. Vreshti është i Zotit, jo i yni. Autoriteti është shërbim e duhet ushtruar si i tillë, për të mirën e të gjithëve dhe për përhapjen e Ungjillit. Është e shëmtuar kur sheh në Kishë njerëzit që kanë autoritet të ndjekin interesat e tyre”.

         Papa Françesku përmendi leximin e dytë të liturgjisë së sotme, marrë nga shën Pali Apostull, i cili tregon ç’duhet të bëjmë për të qenë punëtorë të mirë në vreshtin e Zotit, duke ndjekur të vërtetën, të drejtën, të pastërtën, të ndershmen, çdo virtyt të denjë për lavd. Së fundi, Ati i Shenjtë kujtoi se muaji tetor i kushtohet Rruzares dhe i ftoi të gjithë ta thonë atë në familje së bashku.

04 tetor 2020, 12:27