Kërko

Papa për OKB-në: nuk mund të jetojmë pa tjetrin, ose, më keq akoma, kundër tjetrit

Për 75-vjetorin e Kombeve të Bashkuara, Françesku i dërgon një videomesazh Asamblesë së Përgjithshme, mbledhur këto ditë kryesisht në mënyrë virtuale, për shkak të pandemisë. I fuqishëm, denoncimi i Papës, duke filluar nga gara e armatimit tek migrantët pa të drejta, nga rishikimi i sistemeve ekonomike dhe financiare e deri në dënimin e abortit, që ndokush mundohet ta kalojë si “shërbim themelor” humanitar.

R.SH. - Vatikan

“Nga pandemia mund të dalim më të mirë, ose më të këqinj”. Pritej me interes të madh videomesazhi i Papës Françesku për asamblenë e përgjithshme të OKB-së, në 75-vjetorin e organizatës, ku bëjnë pjesë të gjitha kombet e botës. Sot, pasdite, me orën evropiane, Ati i Shenjtë Bergoglio iu drejtua anëtarëve të mbledhur virtualisht, për shkak të masave kundër koronavirusit, duke i nxitur të reflektojnë mbi botën, që duam të ndërtojmë, e cila, pa dyshim, do të jetë e ndryshme pas pandemisë. Por si do të jetë? Kjo, nënvizon Papa, varet nga vendimet që do të marrim. E Françesku vë në dukje dëshirën e Selisë së Shenjtë që OKB-ja të jetë shenjë dhe mjet i vërtetë bashkimi ndërmjet shteteve, në shërbim të krejt familjes njerëzore. 

 “Në fakt, pandemia na kërkon ‘ta kuptojmë këtë kohë prove si …kohë për të zgjedhur çfarë ka rëndësi dhe çfarë kalon, për të shoshitur ç’është e nevojshme e ç’nuk është’. Mund të përfaqësojë një mundësi të vërtetë për shndërrim, transformim, për të rimenduar stilin e jetës dhe sistemet tona ekonomike e shoqërore, të cilat po e thellojnë hendekun ndërmjet të varfërve dhe të pasurve, përmes shpërndarjes së padrejtë të pasurisë. Por mund të jetë edhe mundësi për një lloj ‘tërheqjeje në vetëmbrojtje’ me karakteristika individualiste dhe elitariste”.

Të përballojmë problemet e kohës

Duhet të zgjedhim pra, ndërmjet qasjes shumëpalëshe, që na bën të kuptojmë se problemet nuk i përballojmë të vetëm, dhe individualizmit e izolimit, duke përjashtuar sidomos më të varfërit. E Papa Françesku nxjerr në pah disa aspekte, që kjo të mos ndodhë, si: kujdesi shëndetësor e sigurimi i vaksinës kundër Covid-19 për të gjithë; solidariteti me më nevojtarët; përballimi i pasojave të pandemisë mbi humbjen e punës së njeriut, që nuk duhet zëvendësuar nga teknologjia, e cila duhet të shërbejë për t’ia lehtësuar barrën e për ta bërë punën më të sigurt e më dinjitoze; lufta kundër “kulturës së hedhurinave", të cilën Ati i Shenjtë e quan “me emrin e vet: …atentat kundër njerëzimit”. E pastaj, respektimi i të drejtave të njeriut, edhe të atyre fetare, nga dhunimi i të cilave vuajnë shumë të krishterë, ndër besimtarët e tjerë. Krizat humanitare, vëren me pikëllim Papa, janë bërë të zakonshme. E bën një thirrje të fuqishme për mospërdorimin e armëve, duke denoncuar faktin se, pavarësisht nga shpallja e armëpushimit në kohë pandemie, konfliktet vazhdojnë. Madje, goditen pa mëshirë edhe spitale e shkolla, vende kulti e infrastruktura të rëndësishme për popullsinë.

Thirrja në favor të migrantëve e të refugjatëve

E vetëm pak orë para Ditës Botërore të Migrantëve e të Refugjatëve, që kremtohet të dielën, 27 shtator, Papa thekson:

“Shumë janë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Shpesh, refugjatët, migrantët dhe të shpërngulurit e brendshëm, në vendet e origjinës, të tranzitit dhe të destinacionit, vuajnë nga braktisja, pa asnjë mundësi për ta përmirësuar gjendjen e tyre në jetë, ose në familje. Fakt edhe më i rëndë, me mijëra ndalen në det dhe kthehen me forcë në kampet e paraburgimit, ku torturohen dhe abuzohen. Shumë janë viktima të trafikimit, të skllavërimit seksual, ose të punës së detyruar, shfrytëzuar në detyra poshtëruese, pa pagën e drejtë. E gjithë kjo është e patolerueshme, por sot është një realitet, që shumë njerëz e injorojnë qëllimisht!”

Model i ri ekonomik

Papa Françesku denoncon faktin se Paktet Globale për Migrantët e Refugjatët gjejnë vështirësi zbatimi edhe në ato vende, që i kanë nënshkruar. E pastaj, duke bërë edhe një herë thirrje për faljen e borxheve, ose të paktën, për uljen e tyre, sqaron se problemet e popujve, që i shtyjnë drejt migracionit, duhet të zgjidhen sidomos ekonomikisht. Por nevojitet një sistem i ri:

“Një model ekonomik, që promovon subsidiaritetin, mbështet zhvillimin ekonomik në nivelin lokal dhe investon në arsim dhe infrastrukturë për të mirën e bashkësive lokale, do të sigurojë bazën për suksesin ekonomik në veçanti e, njëkohësisht, edhe për rinovimin e bashkësisë e të kombit, në përgjithësi… Bashkësia ndërkombëtare duhet të përpiqet t’u japë fund padrejtësive ekonomike”.

Të mos premtojmë më kot

Papa kërkon edhe një etikë të re, që të marrë parasysh nevojat e të gjithëve, që t’u japë fund parajsave fiskale e pastrimit të parave, që të mbrojë drejtësinë dhe të mirën e përbashkët e jo interesat e të fuqishmëve. “Kjo – nënvizon Ati i Shenjtë – është koha e përshtatshme për ta rinovuar arkitekturën financiare ndërkombëtare”. Françesku nuk harron të kujtojë vizitën e tij në OKB, pesë vite më parë, duke denoncuar se premtimet e atëhershme nuk janë plotësuar ende. Është e kotë të flitet me pohe e bujë për objektiva të bukura, vë në dukje Papa, nëse më pas nuk bëjmë përpjekjet e duhura për t’i realizuar ato. Amazona, ekologjia e mbrojtja e ambientit, në të cilat janë bërë hapa përpara, kërkojnë punë të mëtejshme. Edhe vetë Selia e Shenjtë, në shenjë konkrete për kujdesin ndaj shtëpisë së përbashkët, ka ratifikuar kohët e fundit Amendamentin e Kigalit për Protokollin e Montrealit. 

Pasojat e pandemisë mbi fëmijët

E pastaj, Papa ndalet në pasojat e pandemisë mbi fëmijët, “shkatërrimtare”, sipas tij. Të këqiave të mëparshme, si abuzimi, pornografia, shfrytëzimi i punës së fëmijëve, u janë shtuar edhe pamundësia për të shkuar në shkollë e për t’u kuruar.

“U lutem autoriteteve civile – bën thirrje Ati i Shenjtë – t’u kushtojnë vëmendje të veçantë fëmijëve, të cilëve u mohohen të drejtat dhe dinjiteti themelor, veçanërisht e drejta e tyre për jetë dhe edukim. Nuk mund të mos kujtoj thirrjen e vajzës së guximshme Malala Yousafzai, e cila pesë vite më parë, në Asamblenë e Përgjithshme, na kujtoi se ‘një fëmijë, një mësues, një libër dhe një laps mund ta ndryshojnë botën’”.

Gara e armatimeve

Lidhur ngushtë me edukimin e fëmijëve është qëndrimi ndaj familjes e ndaj të drejtave të gruas, për të cilën Papa kërkoi promovimin dhe vlerësimin e rolit të saj në shoqëri. E së fundi, Ati i Shenjtë denoncoi garën e armatimeve, sidomos përdorimin e armëve të telekomanduara, që nuk kanë nevojë për njeriun, gjë që ndikon në zhveshjen e përdorimit të tyre nga reflektimi etik.

“Selia e Shenjtë shpreson që Konferenca e ardhshme e Rishikimit të Traktatit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore (NPT) do të çojë në veprime konkrete, në përputhje me qëllimin tonë të përbashkët ‘për t’i dhënë fund garës së armatimit bërthamor sa më shpejt të jetë e mundur dhe për të marrë masa të frytshme drejt çarmatimit bërthamor”.

E ardhmja që duam

Pandemia, përfundon Papa Françesku videomesazhin e tij në Asamblenë e 75-të të Përgjithshme të OKB-së, na ka treguar se nuk mund të jetojmë pa njëri-tjetrin, apo edhe më keq, kundër njëri-tjetrit. Kombet e Bashkuara u krijuan për t’i bashkuar kombet, për t’i afruar ata, si urë ndërmjet popujve; le ta përdorim këtë urë për ta shndërruar sfidën, që po përballojmë, në një mundësi për të ndërtuar së bashku, edhe një herë, të ardhmen që duam.

25 shtator 2020, 16:00