Bazilika e Shën Françeskut Bazilika e Shën Françeskut 

“Vëllezër të gjithë”: Papa do ta nënshkruajë Enciklikën më 3 tetor, në Asizi

Nëntitulli i dokumentit është: “Mbi vëllazërimin dhe miqësinë shoqërore”. Papa do ta firmosë pas Meshës, kremtuar në Bazilikën françeskane. Ceremonia do të jetë pa besimtarë, për të respektuar situatën shëndetësore aktuale.

R. SH. - Vatikan

Mbi varrin e Shën Françeskut, që e përmblodhi vëllazërimin e çdo krijese  të Zotit dhe e shndërroi në një këngë të pakohë! Nis që aty, etapa e re e shërbesës së Papës, që zgjodhi emrin e Shenjtit të Umbries. Pas “Lumen fidei” (2013) dhe “Laudato si’”(2015) – titulli i së cilës të kujton fjalën fillestare të Këngës së Këngëve - tani është qyteti i Varfanjakut të Asizit   që do ta mbajë në pagëzim Enciklikën "Fratelli tutti" (Vëllezër të gjithë), kushtuar vëllazërimit dhe miqësisë shoqërore, që për titullin, e merr shtytjen nga shkrimet e Shën Françeskut: “Të shikojmë, vëllezër të gjithë Bariun e Mirë, që për të shpëtuar delet, përballoi mundimet mbi kryq (Ammonizioni, 6, FF 155).

Nga Lampeduza, tek Covid, Papa dhe sfida e vëllazërimit

Papa do ta nënshkruajë enciklikën pasditen e 3 tetorit, pasi të ketë arritur në Asizi e të ketë kremtuar Meshën në Bazilikën e poshtme. Kremtim, ende i kushtëzuar nga pandemia. Drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, Matteo Bruni, njofton se dëshira e Papës është që vizita të bëhet në formë private, pa pjesëmarrjen e besimtarëve, për shkak të situatës shëndetësore. Sapo të ketë përfunduar kremtimi, Papa do të rikthehet në Vatikan.

Në zemër të magjisterit

Titulli  i dokumentit të fundit rikujton një vlerë qëndrore të magjisterit të Françeskut, i cili mbrëmjen e zgjedhjes së tij, më 13 mars 2013, u paraqit duke iu drejtuar njerëzve të botës me fjalën “vëllezër”. E vëllezër do të ishin të padukshmit, që do t’i përqafonte në Lampeduzë,  imigrantët, në daljen e tij të parë si Papë. E edhe Shimon Perez e Abu Mazen, që shtrëngojnë duart së bashku me Papën, në vitin 2014, janë shembull i kësaj vëllazërie, që ka si synim kryesor paqen. E kështu, deri tek Deklarata e Abu Dabit vitin e kaluar, edhe në këtë rast, dokument kushtuar vëllazërimit njerëzor që, siç do të thoshte më pas Françesku, “lind nga besimi në Zotin, që është Atë i të gjithëve e Atë i paqes”.

Imzot Sorrentino: gjesti i Papës dhe forca për t’u rinisur

Kjo e 3 tetorit do të jetë vizita e katërt e Papës në Asizi, pas etapës së 4 tetorit 2013 dhe etapës së dyfishtë  të 2016-tës, më 4 gusht e 20 shtator. Rikthim, që asizianët e presin me emocion e mirënjohje, siç lexohet në komunikatën e ipeshkvit të qytetit, imzot Domenico Sorrentino. “Ky gjest i Papës Françesku - shkruan ipeshkvi i Asizit - na jep guxim e forcë të re  ‘për t’u rinisur’, në emër të vëllazërimit, që na bashkon të gjithë”.

05 shtator 2020, 13:43