Papa në audiencën e përgjithshme Papa në audiencën e përgjithshme 

Takim me popullin: Françesku dhe audiencat e përgjithshme

Papa i rinis takimet me besimtarët, pas “agjërimit” gjashtëmujor, shkaktuar nga pandemia. Ashtu si Meshët në Shën Martë, edhe takimet e së mërkurës për Papën janë, sidomos, rast për takimin e Bariut me grigjën e, përmes saj, me botën mbarë.

R. SH. - Vatikan

Njëqind e tetëdhjetë e nëntë. Shumë, ditët që e ndajnë audiencën e përgjithshme me besimtarët në Sheshin e Shën Pjetrit, më 26 shkurtin e kaluar, nga ajo që do të mbahet në Oborrin e Shën Damasit të Pallatit Apostolik nesër, më 2 shtator. Kohë e gjatë, që u duk edhe më e gjatë, sepse audiencat e përgjithshme, falë katekizmave, e ndoshta edhe më shumë gjesteve e “ fjalëve jashtë programit” të Françeskut, janë bërë një takim i shumëpritur jo vetëm për besimtarët katolikë, por edhe për shumë nga ata, që janë larg Kishës. Edhe ata nisën t’ua vënë mirë veshin fjalëve të Papës.

Ashtu si Meshët e mëngjesit në Shtëpinë e Shën  Martës, edhe audiencat e përgjithshme - më se treqind tashmë - kanë në qendër të vëmendjes kryesisht takimin me popullin e Zotit. Kjo është zemra e tyre! Sa janë të shkurtëra homelitë e mbajtura në Shën Martë, aq janë edhe katekizmat e audiencave të përgjithshme, që shumë shpesh pasurohen me shtesa të shprehura lirisht e, jo rrallë, edhe me dialoge me auditorin. “Po të lexosh - pohoi një herë Papa - duhet t’i mbash sytë ngulur tek letra e kështu nuk mund t’i shikosh njerëzit në sy”.

Françesku i kushton shumë kohë, shpesh tepër, takimit me njerëzit e, në veçanti, me më ligshtit, të sëmurët e të vuajturit. Të fundmit bëhen gjithnjë të parët! Disa nga këto takime, për mesazhin që buron prej tyre, kanë fituar tashmë vlerë universale. Kujtojmë këtu rastin e përqafimit të Papës me Vinicion, burrin e shpërfytyruar nga një sëmundje e tmerrshme, neurofibromatosi, në përfundim të audiencës së  të 6 nëntorit 2013. Pamja e këtij përqafimi tashmë është sjellë rrotull botës, duke dëshmuar, më shumë se mijëra fjalë, çfarë kuptimi ka për Françeskun takimi me të krishterët, por pa përjashtuar asnjë prej atyre, që i kanë në trup Plagët e Krishtit. Në audiencat e përgjithshme - e Papa e di mirë këtë - nuk mund të ndahet fjala nga gjesti. Ashtu si, kur e shikon bariun mes deleve të grigjës së vet, e kupton se nuk mund të ndahet  besimtari nga bashkësia kishtare.

Kisha nuk ka receta

Papa e di se Kisha nuk ka “receta” të gatshme për të dalë nga kriza por - me reflektimet e fundit për çështjet themelore të jetës së sotme, thirrjen për një ekonomi solidare e me përpjekjen për shërimin e sëmundjeve shoqërore, “virus që ia kalon edhe Covid-19” - dëshiron të japë ndihmesën e vet për shërimin dhe përtëritjen të jetës e të njeriut, me bindjen, shprehur në Statio Orbis të 27 marsit se “askush nuk mund të shpëtojë i vetëm e edhe se vetëm duke ecur krah për krah e vetëm duke e parë tjetrin si vëlla, mund të dalim më të mirë nga kjo kohë prove”.

 

01 shtator 2020, 15:04