Kërko

Françesku: të vijojmë përgatitjet për Kongresin eukaristik ndërkombëtar

Pas lutjes mariane, Françesku ftoi për ta vijuar “shpirtërisht të bashkuar”, përgatitjen për Kongresin eukaristik ndërkombëtar të Hungarisë, programuar për këtë periudhë, e shtyrë për më tej nga shkaku i pandemisë. Kujtoi edhe Ditën e Universitetit Katolik, duke theksuar: “Është e rëndësishme që breznitë e reja të formohen për ta mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe shtëpinë e përbashkët”.

R. SH. - Vatikan

Ishte një përshëndetje plot me keqardhje, por edhe me dëshirën për ta bërë gjithnjë më të ndjeshme rrugën e përgatitjes për ngjarjen e madhe. Kështu tingëlloi në Sheshin e Shën Pjetrit  fjala e  Papës, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, duke kujtuar Kongresin e 52-të Eukaristik ndërkombëtar të Budapestit që, për shkak të Covid-19, u shty nga shtatori i sivjetëm, për shtatorin e vitit të ardhshëm, me saktësisht, për datat 5 deri më 12 shtator 2021:

“Dëshiroj t’u drejtoj përshëndetjen time besimtarëve e barinjve të Hungarisë dhe të gjithë atyre, që e prisnin me fe e me gëzim këtë ngjarje të madhe kishtare. Kongresi  u shty për vitin e ardhshëm, nga 5 deri më 12 shtator, gjithnjë në Budapest. Të vijojmë, shpirtërisht të bashkuar, udhën e përgatitjes, duke e gjetur në Eukaristi burimin e jetës e të misionit të Kishës”.

Kujtimi i Ditës së Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit

Duke kujtuar Ditën e Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit, Papa i inkurajoi besimtarët ta ndihmpojnë këtë Shkollë të lartë, kaq të rëndësishme:

“Inkurajoj të mbështetet ky institucion i rëndësishëm kulturor, i thirrur  për të vijuar e për të forcuar një projekt, që u hapi portën e së ardhmes breznive të shumta të të rinjve. Është e rëndësishme që breznitë e reja të formohen për ta mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe shtëpinë e përbashkët”.

Më pas, përshëndetja drejtuar shtegtarëve që sot, duke e mbushur Sheshin me optimizëm, të kujtonin kohët para pandemisë, duke ngjallur, me praninë e tyre, shpresa të reja - për kohë të reja, të shëndetshme:

“Ju përshëndes të gjithë, romakë e shtegtarë nga vende të ndryshme, familje e grupe famullitare, shoqata e besimtarë”.

Kjo përshëndetja e Papës që, në përfundim, u uroi të gjithëve të diel e javë të gëzuar!

20 shtator 2020, 13:44