Kërko

Papa: të gjithë duhet ta kundrojmë e ta mbrojmë tokën tonë!

Françesku vijoi ciklin e katekizmit në kohën e pandemisë, duke ripohuar se “kush jeton duke shfrytëzuar natyrën, përfundon me shfrytëzimin e njerëzve”, ndërsa detyra e të gjithëve është ta ruajmë krijimin “për t’u lënë trashëgim breznive të reja një ardhmëri të denjë!

R. SH. - Vatikan

 “Për të dalë nga pandemia, duhet kujdes: të kujdesemi për njëri-tjetrin e ta ndihmojmë edhe atë, që kujdeset për më të ligshtit, të sëmurët, të moshuarit”. Këta njerëz, që në gjuhën spanjolle quhen “cuidadores” - luajnë një rol themelor në shoqërinë e sotme, ndonëse rrallëherë e marrin shpërblimin e merituar. Kujdesi është rregulla e artë e njeriut: “rregull që  sjell shëndet e shpresë”. Kështu u shpreh Papa në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur përsëri në Oborrin e Shën Damasit, në Vatikan, në prani të besimtarëve.

Kujdes për të gjitha format e jetës

E po atë kujdes që kemi për njeriun e ligshtë, duket ta kemi edhe për shtëpinë e përbashkët - shtoi menjëherë pas Françesku - sepse të gjitha format e jetës janë të ndërlidhura ndërmjet tyre e shëndeti ynë varet  nga ekosistemet, që Zoti i krijoi, duke na porositur të kujdesemi për to. Por a kujdesemi ashtu si u porositëm? A i kujdesim apo shpesh edhe i keqtrajtojmë?

Heshtje, dëgjim, kundrim!

T’i keqtrajtosh - kujtoi në vijim Ati i Shenjtë -  është mëkat i rëndë,  që dëmton e sëmur. Ndërsa ilaçi më i mirë kundër këtij shpërdorimi të shtëpisë sonë të përbashkët, është kundrimi:

“Kur nuk mësohesh të ndalesh një çast e ta kundrosh të bukurën, nuk është për t’u çuditur që çdo gjë të shndërrohet në objekt përdorimi e shpërdorimi, pa të brerë fare ndërgjegjja. Pa menduar se shtëpia jonë e përbashkët, krijimi, nuk është thjesht ‘burim të mirash materiale’”.

Krijesat - theksoi Papa në vijim të audiencës së përgjithshme -  kanë vlerë në vetvete e pasqyrojnë, secila sipas mënyrës së vet, një rreze nga urtia dhe nga mirësia e pambaruar e Zotit. Kjo vlerë e kjo rreze drite hyjnore duhet zbuluar, e, për ta zbuluar, kemi nevojë të heshtim, të dëgjojmë, të kundrojmë!

Të lërosh, të mbrosh, të kujdesesh: ky, misioni ynë

Pa kundrim - kujtoi Papa - është shumë thjesht të biesh në antropocentrizëm të çekuilibruar e fodull, që e mbivlerëson rolin tonë si njerëz e na bën ta shikojmë veten si sundues abosolutë të të gjitha krijesave të tjera. Interpretim i gabuar, ky, i teksteve biblike mbi krijimin, që ndikoi edhe mbi këtë këndvështrim të shtrembër, që të nxit, pastaj, ta shfrytëzosh tokën  derisa t’ia zësh frymën:

“Besojmë se jemi në qendër, duke pretenduar të zëmë vendin e Zotit; e kështu e rrënojmë harmoninë e planit të Tij. Bëhemi cuba, e harrojmë  se thirrja jonë është ta mbrojmë jetën. Natyrisht mundemi e duhet ta punojmë tokën për të jetuar e për t’u zhvilluar. Po  fjala punë nuk është sinonime me fjalën shfrytëzim! Përkundrazi: shoqërohet gjithnjë me fjalën kujdes: të lërosh, të mbrosh, të kujdesesh! Ky është misioni ynë”.

Nuk mund të pretendojmë të vijojmë  rritjen e nivelit material, pa u kujdesur për shtëpinë e përbashkët, që na strehon. Vëllezërti tanë më të varfër e toka, nëna jonë, rënkojnë nga keqtrajtimet tona e na kërkojnë të ndërrojmë rrugë.

Kundrimi

E, të ndërrosh rrugë - kujtoi Papa - do të thotë të rikthehesh tek përmasa kundruese. Sepse, kur kundrojmë, zbulojmë tek tjetri e tek natyra, diçka që është shumë më e madhe se nevojat tona. Zbulojmë vlerën e veçantë që u dha Zoti të gjitha sendeve! Qielli, toka, deti, çdo krijesë ka  aftësi mistike  të na çojë te Krijuesi e te bashkimi me krijimin.  E kundrimi na çon edhe  te kujdesi për natyrën. Na kujton se nuk mjafton ta kundrojmë nga jashtë, por edhe nga brenda, të bëhemi protagonistë e jo thjesht spektatorë të një realiteti, që nuk na u dha vetëm për ta shfrytëzuar. Kush kundron kështu, mrekullohet jo vetëm nga ajo që shikon, por edhe sepse ndjehet pjesë përbërëse  e gjithë kësaj bukurie: e thirret për ta ruajtur e për ta mbrojtur!

Njeriu, roje e ambientit

Kush di të kundrojë, e ka më të lehtë të shpërvjelë mëngët për ta ndryshuar gjithçka që shkatërron ambientin e shëndetin. Angazhohet të edukojë e të krijojë zakone të reja prodhimi e konsumi, të japë ndihmesën për një model  të ri të zhvillimi ekonomik e të garantojë respektin për shtëpinë e përbashkët. Kështu njeriu bëhet roje e ambientit!

Të kundrosh e të kujdesesh

Të kundrosh e të kujdesesh: ja, këto janë dy sjelljet që tregojnë udhën për  ta korrigjuar e për ta riekuilibruar lidhjen tonë si njerëz me krijmin. Ata, që e ndjekin këtë rrugë, bëhen “rojtarë” të shtëpisë së përbashkët, rojtarë të jetës e të shpresës - theksoi Françesku - për të kujtuar, në përfundim - indigjenët, lëvizjet, shoqatat, grupet popullore, që angazhohen për të mbrojtur trojet e veta, me vlerat e tyre natyrore e kulturore. Jo gjithnjë vlerësohen si duhet këto realitete shoqërore. Madje shpesh edhe pengohen, ndonëse japin ndihmesën e tyre të paçmuar për një revolucion paqësor: “revolucionin e kujdesit për krijimin”.

Në përfundim Papa na kujtoi të gjithëve se nuk duhet deleguar askush  për t’u vënë në mbrojtje të krijimit: është detyrë e të gjithëve të jemi rojtarë  të shtëpisë së përbashkët, ta lavdërojmë Zotin për krijesat e Tij, t’i kundrojmë, t’i mbrojmë!”.

Kjo, porosia e Papës, që secili prej nesh duhet ta shndërrojë në veprim. Mos harro “Të lërosh, të mbrosh, të kujdesesh: ky, misioni yt”. 

16 shtator 2020, 12:25