Kërko

Vatican News
 Audienca e përgjithshme Audienca e përgjithshme  (Vatican Media)

Papa: t’i përgjigjemi pandemisë me politikën e së mirës së përbashkët

Duhet “dashuria shoqërore”, pa egoizma e pa interesa të pjesshme, posaçërisht në rastin e vaksinave, për të dalë nga kriza e koronavirusit. Ky, mendimi i Papës në audiencën e përgjithshme mbajtur në Oborrin e Shën Damasit, në Vatikan. Një virus që nuk njeh “ndryshime kulturore as politike - theksoi - duhet përballuar me dashuri pa asnjë pengesë”.

R. SH. - Vatikan

Duhet “dashuria shoqërore”, pa egoizma e pa interesa të pjesshme, posaçërisht në rastin e vaksinave, për të dalë nga kriza e koronavirusit. Ky, mendimi i Papës në audiencën e përgjithshme mbajtur në Oborrin e Shën Damasit, në Vatikan, me praninë e besimtarëve. Një virus që nuk njeh “ndryshime kulturore as politike - theksoi - duhet përballuar me dashuri pa pengesa”.

Përsëri kriza Covid 19, pra, në qendër të audiencës së sotme të përgjithshme të Françeskut. Sepse - ishin fjalët e para të Papës – pandemia i rrezikon të gjithë. E të gjithë mund të dalim më të mirë nga kjo situatë shqetësuese, nëse kërkojmë bashkërisht të mirën e përgjithshme. Por, për fat të keq - shtoi - shikojmë se mbrohen interesat e pjesshme. E Papa kujtoi këtu shembullin e vaksinave e të përpjekjeve të ndokujt për t’i përvetësuar rrugëzgjidhjet e mundshme, për të mbjellë përçarje, për të kërkuar epërsi ekonomike a politike, duke përfituar nga situata e duke shkaktuar kështu, lindjen dhe thellimin e konflikteve. Të tjerë akoma nuk interesohen fare për vuajtjet e të prekurve! Kalojnë pranë tyre duke kthyer kokën mënjanë e shkojnë në punë të vet.

Përgjigjja e krishterë: dashuria

Përgjigja e krishterë, që i jepet pandemisë dhe pasojave të krizës shoqërore-ekonomike bazohet mbi dashurinë, kryesisht mbi dashurinë e Zotit, që na paraprin gjithnjë:

“Ai na do pa asnjë kusht, e kur e pranojmë këtë dashuri hyjnore, atëherë mund edhe t’i përgjigjemi dashurisë me dashuri. E dua jo vetëm atë që më do! Jo vetëm familjen time, miqtë e mi, grupin tim, por edhe ata që nuk më duan, që nuk më njohin a që janë të huaj. Madje i dua edhe ata, që më bëjnë të vuaj ose që i shikoj si armiq”.

Natyrisht t’i duash të gjithë, duke përfshirë edhe armiqtë, është e vështirë  - madje - kujtoi Papa - do të thosha se është art më vete! Por art, që mund të mësohet e mund të përmirësohet:

“Dashuria e vërtetë, që na bën frytdhënës e të lirë, është gjithnjë e përzemërt dhe përfshirëse. Një dashuri e tillë mjekon, shëron, përmirëson”.

Shprehja më e lartë e dashurisë: ajo shoqërore e politike

Dashuria - vijoi të shpjegojë Papa në katekizimin e audiencës së përgjithshme - nuk kufizohet në marrëdhëniet ndërmjet dy a tre njerëzve, që mund të jenë miq a familjarë. Përfshin edhe marrëdhëniet qytetare e politike e, natyrisht, marrëdhëniet me natyrën. Me që jemi qenie shoqërore e politike, një nga shprehjet më të larta të dashurisë është pikërisht ajo shoqërore e politike, vendimtare për zhvillimin njerëzor e përballimin e çdo tipi krize. E dimë se dashuria i mbush me fryte familjet e miqësitë; por duhet kujtuar mirë se fekondon edhe marrëdhëniet shoqërore e politike, duke u krijuar mundësinë të ndërtojnë “qytetërimin e dashurisë”. Siç shprehej Shën Pali VI, e në hullinë  e tij, edhe Shën Gjon Pali II. E kur mungon kjo frymë - nënvizoi Papa - mbizotëron kultura e egoizmit, e indiferencës, e hedhurinës:

“Koronavirusi na tregon se e mira e vërtetë për secilin prej nesh është pasuria e përbashkët e, anasjalltas, pasuria e përbashkët është e mira e vërtetë për çdo njeri. E shëndeti, përveçse pasuri vetjake, është edhe pasuri publike. Shoqëri e shëndetshme mund të quhet vetëm ajo, që kujdeset për shëndetin e të gjithëve”.

Virusi pa kufij mund të përballohet vetëm me dashuri

Një virus, që nuk njeh mure, kufij as ndryshime kulturore  e politike, mund të përballohet vetëm me dashuri pa mure, pa kufij, pa dallime - kujtoi Papa në audiencën e sotme të përgjithshme. E kjo dashuri mund të lindë struktura shoqërore, që inkurajojnë për të ndarë, jo për të konkuruar; për t’i përfshirë më të ligshtit, e jo për t’i  përjashtuar; për ta shprehur më mirë, e jo më keq natyrën tonë njerëzore! Kështu lindin edhe nismat konkrete për të mirën e përbashkët. E kjo vlen si në nivel të bashkësive më të vogla, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar.

Të ndërtojmë mbi shkëmbin e së mirës së përbashkët!

Përkundrazi - nëse  rrugëzgjidhjet e pandemisë kanë vulën e egoizmit, si të njerëzve të veçantë, ashtu edhe të kombeve, ndoshta edhe mund të dalim nga koronavirusi, por sigurisht jo nga kriza njerëzore e shoqërore, të cilën virusi  e nxori në pah dhe e theksoi më shumë se ishte. Prej këndej, kujdes:

“Nuk duhet ndërtuar mbi rërë! Për të ngritur një shoqëri të shëndetshme, përfshirëse e paqësore, duhet të ndërtojmë mbi shkëmbin e së mirës së përbashkët! E të përpiqemi për të mirën e përgjithshme, parë si mënyrë ‘për ta marrë e për ta përhapur lavdinë e Zotit’, siç vijon të na e kujtojë Shën Injaci i Lojolës.  E kjo detyrë i takon çdo qytetari!”.

Politika e mirë vë në qendër njeriun!

Për fat të keq - kujtoi në vijim Papa - politika shpesh herë nuk ka emër të mirë. E ne e dimë psenë! Po nuk duhet të dorëzohemi para këtij vizioni negativ. Përkundrazi, duhet të kundërveprojmë, duke treguar me fakte se politika e mirë, që vë në qendër njeriun, është e mundur, madje e detyrueshme! Të krishterët, në mënyrë të veçantë, janë të thirrur të japin dëshminë e tyre të mirë, duke kultivuar përmasën e vet shoqërore.

Është koha për kontributin e të gjithëve

Është koha të frymëzohemi të gjithë nga dashuria për shoqërinë dhe të japim ndihmesën, duke nisur nga vogëlsia jonë. E mira e përbashkët kërkon pjesëmarrjen e të gjithëve. Nëse secili jep ndihmesën e vet e  askush nuk lihet jashtë, mund të rilindim marrëdhënie të mira në nivel komunitar, kombëtar, ndërkombëtar e edhe në harmoni me ambientin. Kështu në gjestet tona, edhe në ato më të përvuajturat, do të bëhet e  dukshme diçka nga  fytyra  e Zotit, që e kemi brenda nesh, sepse Zoti është Trini Dashurie. Me ndihmën  e tij mund ta shërojmë botën duke punuar të gjithë së bashku për të mirën e përgjithshme!   

09 shtator 2020, 12:19