2020.09.02 Udienza Generale 2020.09.02 Udienza Generale 

Papa: solidariteti, udha për kohën pas-pandemisë

Audiencat e përgjithshme me praninë e besimtarëve rifilluan sot, pas 189 ditësh, në Oborrin e Shën Damasit. Nisën me një nxitje të fortë të Papës për ta rimenduar fazën pas-virusit me frymën e së mirës së përbashkët, duke i shmangur ndryshimet e sipërfaqshme.

R. SH. - Vatikan

Ditë jo e zakonshme sot, për Papën, që rifilloi audiencat e përgjithme me popull, ndërprerë që më 26 shkurtin e kaluar. I jashtëzakonshëm, edhe vendi i takimit: Oborri i Shën Damasit, në zemër  të Pallatit Apostolik. Do të hyjë në histori, kjo ditë, në të cilën Papa vijoi  ciklin me temë “Ta shërojmë botën”, duke u ndaluar sot posaçërisht tek solidariteti dhe virtyti i fesë. Pandemia aktuale - kujtoi - vuri në dukje ndërvartësinë tonë:  të gjithë jemi të lidhur njëri me tjetrin, në ditë të bardha e të zeza, siç janë ditët e krizës, që po kalojmë. Por - kujtoi - nëse duam të dalim më të mirë prej saj, duke ta bëjmë këtë së bashku, me solidaritet.

Zanafilla  e familjes njerëzore.

“Të gjithë kemi një zanafillë të përbashkët në Zotin, banojmë në një shtëpi të përbashkët, në planetin-kopsht, ku na vuri vetë Zoti; e kemi një fat të vetëm në Krishtin. Po kur e harrojmë gjithë këtë, ndërvartësia jonë bëhet vartësi e një pale nga pala tjetër, gjë që e thellon pabarazinë dhe e  shkatërron ambientin”.

Edhe një herë, duke kujtuar Shën Gjon Palin II (Encikila Sollicitudo rei socialis, 38-40) Papa theksoi me forcë parimin e solidaritetit, që sot është më i nevojshëm se kurrë. Provojmë, në një botë të ndërlidhur, ç’do të thotë  të jetosh në të njëjtin “fshat global” ku, për fat të keq, nuk arrijmë gjithnjë ta shndërrojmë ndërvartësinë në solidaritet - kujtoi Papa gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme - duke theksuar se egoizmat e njerëzve, të  kombeve, të grupeve në pushtetet - e dhe ngurtësia ideologjike - nuk i shërbejnë kurrë solidaritetit. Përkundrazi: ushqejnë strukturat e mëkatit.

Kuptimi i fjalës solidaritet

Fjala “solidaritet” përdoret paksi tepër, ndaj shpesh edhe interpretohet keqas, ndonëse ka një kuptim shumë më të gjerë se fjala bujari. Kërkon krijimin e një mendësie të re - nënvizoi Papa - që vë në plan të parë bashkësinë, jetën  dhe pasurinë e të gjithëve. Nuk bëhet fjalë vetëm për t’i ndihmuar të tjerët: bëhet fjalë për drejtësinë! Ndërvartësia, për të qenë solidare e për të sjellë fryte, ka nevojë të lëshojë rrënjë të thella në zemrën njerëzore e në natyrën e krijuar nga Zoti, ka nevojë  të respektojë njeriun e tokën.

Lidhja e ngushtë e krijesës me Krijuesin

E për ta sqaruar më thellë këtë mendim, Papa rikujtoi Biblën, duke u ndaluar tek Kulla e Babelit, që shpjegon  çka ndodh, kur duam të kapim qiellin me dorë.  Duke e harruar lidhjen e  ngushtë të njeriut me krijmin e Krijuesin:

“Ndërtojmë kulla  e rrokaqiej, e rrënojmë bashkësinë! Unifikojmë ndërtesa e gjuhë, e shkatërrojmë pasurinë kulturore. Duam të jemi padronë të tokës, e rrënojmë biodiversitetin dhe ekulibrin ekologjik”.

Këtë theksoi me forcë Papa, duke u ndaluar, më pas tek një rrëfim mesjetar, që përshkruan pikërisht sindromën e Babelit. Tregon, pra, se gjatë ndërtimit të kullës, kur ndonjë njeri rrëzohej e vdiste, askush nuk shqetësohej. Po kur binte ndonjë tullë e thyhej, të gjithë ankoheshin me potere. Pse? Sepse tulla kushtonte. Duhej punuar rëndë, për t’i fabrikuar tullat! Një tullë vlente shumë më tepër se një jetë njerëzore! Për fat të keq edhe sot ndeshemi me qëndrime të tilla. Bie ndonjë kuotë e tregut financiar e lajmi vrapon në të gjitha agjencitë. Bien mijëra njerëz, për shkak të urisë, e askush nuk hap gojë.

Babeli e Rrëshajët

Krejt ndryshe nga Babeli janë Rrëshajët - kujtoi Papa në vijim të katekizmit:

“Shpirti Shenjt, duke zbritur nga lart si erë e si zjarr, e pushton bashkësinë e mbyllur në çenakull, e mbush plot me forcën e Zotit, e shtyn  të dalë e t’ua kumtojë të gjithëve Krishtin Zot. Shpirti Shenjt krijon unitet në larmi, krijon harmoni. Tjetri nuk është vetëm ‘krah-pune’, por merr pjesë me gjithë vetveten në ndërtimin e bashkësisë”.

Shën Françesku i Asizit e dinte mirë këtë ndaj, i frymëzuar nga Shpirti Shenjt, i thërriste të gjithë njerëzit, madje, të gjitha krijesat, motër e vëlla! Deri vdekjen e thërriste “motra vdekje”.

Unitet në larmi e solidaritet

Me Rrëshajët - vijoi të shpjegonte Papa - Zoti bëhet i pranishëm dhe e frymëzon fenë e bashkësisë së mbledhur në larmi e solidaritet. Larmi  solidare, e pasur me “antikorpe”, që veçantia e secilit - dhuratë unike, e papërsëritshme - të mos sëmuret nga individualizmi, nga egoizmi. Larmia  solidare ka edhe antikorpet, që shërojnë strukturat dhe proceset shoqërore, të katandisura në sisteme padrejtësie e shtypjeje. Prej këndej - pohoi me forcë Papa në katekizmin e sotëm, kushtuar  temës “Ta shërojmë botën”, -  solidariteti sot është udha në të cilën duhet ecur drejt botës së pas-pandemisë, drejt shërimit të sëmundjeve tona ndërpersonale e shoqërore.

Solidaritet i udhëhequr nga feja

Eshtë fjala për një solidaritet të udhëhequr nga feja, që krijon kushtet për ta shprehur dashurinë e Zotit në kulturën tonë të globalizuar jo duke ndërtuar kulla e mure, që ndajnë e pastaj shemben, por duke krijuar bashkësi e duke mbështetur procese zhvillimi vërtet njerëzor e të qëndrueshëm.

“Në mes të krizave e stuhive, Zoti na thërret e na fton të rizgjohemi e ta  vëmë në jetë këtë solidaritet, të aftë për t’i forcuar, për t’i mbështetur e për  t’u dhënë kuptim këtyre orëve, në të cilat  duket se gjithçka po fundoset. Uroj që fryma krijuese e Shpirtit Shenjt të na japë zemër për të krijuar forma të reja miqësie familjare, vëllazërie të frytshme e solidariteti universal”.

40- vjetori i themelimit të Solidarnosc

Në përshëndetjet drejtuar besimtarëve të gjuhës polake, Papa kujtoi se pak ditë më parë  u kremtua 40-vjetori e Marrëveshjeve, që i hapën rrugën  fillimit të veprimtarisë së Solidarnosc  dhe ndryshimeve politike në Vendet e Evropës Qendrore. Françesku kujtoi fjalët e Shën Gjon Palit II, që nënvizonte:

 “Nuk mund të ketë solidaritet, pa dashuri. Madje, nuk mund të ketë as ardhmëri për njeriun e kombet, pa atë dashuri, që është e aftë ta harrojë vetveten e të dhurohet e tëra, bujarisht”.

02 shtator 2020, 12:11