1601287408553.JPG

Papa, policisë: puna juaj të frymëzohet nga feja e gjallë në Krishtin

Papa Françesku takon në Sallën Pali VI policët dhe drejtuesit e Inspektoratit të Sigurisë Publike pranë Vatikanit, bashkë me anëtarët e familjes, me rastin e 75-vjetorit të themelimit të tij. Ati i Shenjtë shprehu vlerësimin për “punën e vështirë” për të garantuar sigurinë e Papës dhe të bashkëpunëtorëve të tij gjatë udhëtimeve në Itali

R.SH. - Vatikan

“Uroj që puna juaj, shpesh e kryer me sakrifica dhe rrezik, të frymëzohet nga feja e gjallë e krishterë: ajo është thesari më i çmuar shpirtëror, të cilën familjet jua kanë besuar e, të cilën jeni të thirrur t’ua transmetoni fëmijëve”. Kështu pohoi Papa Françesku, gjatë audiencës me drejtuesit dhe policët e Inspektoratit të Sigurisë Publike pranë Vatikanit, me rastin e 75-vjetorit të themelimit të tij. Në krye të grupit, që u takua me Atin e Shenjtë në Sallën Pali VI, në Vatikan, ministrja italiane e Punëve të Brendshme, Luciana Lamorgese.

“Admiroj durimin që keni me meshtarët”

 I pritur me notat e tangos argjentine, interpretuar nga banda muzikore, të cilën e falënderoi përzemërsisht, Ati i Shenjtë vuri në pah impenjimin dhe shërbimin e vështirë të agjentëve të policisë, që kanë të bëjnë gjithnjë me njerëz nga vende e kultura të ndryshme, të cilët mblidhen në Sheshin e Shën Pjetrit për veprimtaritë e ndryshme të Papës e të Vatikanit. E, “më lejoni të them – bëri shaka Papa, duke falënderuar – edhe për mënyrën me të cilën trajtoni meshtarët”.

“Mirënjohja ime – vijoi Françesku – shtrihet edhe mbi impenjimin tuaj në shoqërimin gjatë zhvendosjeve të mia në Romë, gjatë vizitave në dioqezat e në bashkësitë e Italisë. Punë e vështirë, që kërkon takt dhe ekuilibër, në mënyrë që itineraret e Papës të mos e humbasin karakterin e tyre të veçantë të takimit me Popullin e Zotit”.

Themelimi i Inspektoratit, menjëherë pas Luftës

Papa kujtoi më pas pushtimin e Romës nga trupat gjermane dhe çlirimin e saj, më 4 qershor 1944. Gjermanët nuk e respektonin pavarësinë e Shtetit të Vatikanit e gjatë muajve të luftës, kufiri me shtetin italian, që kalon në fund të Sheshit të Shën Pjetrit, ishte bërë mollë sherri. Inspektorati i Policisë pranë Vatikanit u themelua pak kohë më vonë, në mars të vitit 1945, mbi rrënojat e Luftës II Botërore, që, siç theksoi Ati i Shenjtë, solli vetëm “plagë të thella në ndërgjegje, rrënoja në rrugë, varfëri e vuajtje në familje”.

“Inspektorati i Policisë pranë Vatikanit – përfundoi Papa Françesku – vazhdoftë të punojë në vazhdën e historisë së tij të ndritur, duke ditur të nxjerrë prej saj fryte të reja e të begata. Jam i sigurt se të punosh në këtë vend përbën për ju një thirrje të vazhdueshme për vlera më të larta: për ato vlera njerëzore dhe shpirtërore, që kanë nevojë të mirëpriten e të dëshmohen çdo ditë”.

Lamorgese: faleminderit për shpresën në emergjencë

Nga ana e saj, ministria e brendshme italiane, Luciana Lamorgese, e falenderoi Papën për fjalët plot shpresë, që u drejtoi të gjithëve në fazën më të vështirë të emergjencës së koronavirusit. E nënvizoi edhe rëndësinë e ftesës së Atit të Shenjtë për “të rizbuluar vlerat e bashkëpunimit ndërmjet popujve e të solidaritetit me më të fundmit”. Duke folur për dramën e migracionit dhe për rolin e Italisë, Lamorgese theksoi se “askush nuk mund të tërhiqet para vuajtjeve të njeriut në kërkim të udhës së shpëtimit”.

28 shtator 2020, 12:50