Kërko

 Audienca e përgjithshme: thirrja për Libanin Audienca e përgjithshme: thirrja për Libanin 

Papa njofton për 4 shtatorin një ditë lutjeje për Libanin

Libani duhet të marrë zemër! Papa Françesku i kushton fjalë të frymëzuara si dhe një lutje të heshtur Vendit të Kedrave, që po jeton një çast të vështirë të historisë. Ka kaluar një muaj nga atentati në Beirut. E “Libani nuk mund të braktiset në vetminë e vet – pohon Papa - duke i inkurajuar të gjithë libanezët të vijojnë të shpresojn e të rigjejnë forcat dhe energjitë e nevojshme për të vazhduar rrugën e nisur.

R. SH. - Vatikan

Është një thirrje  e fuqishme për  rindërtimim e shpresën në Liban, kjo që Papa i drejton vendit të Kedrave, në përfundim të katekizmit e të përshëndetjeve të audiencës. Pranë tij, një meshtar libanez maronit, Georges Breidy, që mbante në dorë flamurin e vendit të vet:

“Përballë dramave të përsëritura,  që i njeh mirë çdo banor i këtij vendi , ne jemi të vetëdijshëm për rrezikun e madh, që kërcënon ekzistencën e Vendit. Libani nuk mund të braktiset në vetminë e vet”

Këtë theksoi Papa,  duke vërejtur se “për më se njëqind vjet Libani ka qenë vend shprese” e se “libanezët e ruajtën gjithnjë besimin në Zotin dhe treguan se janë të aftë ta bëjnë tokën e tyre tokë tolerance, respekti, bashkëjetese.

“Është thellësisht i vërtetë pohimi se Libani përfaqëson diçka më shumë se një shtet: Libani është mesazh lirie, është shembull i plularizmit sa për Lindjen, aq edhe për Perëndimin. Për të mirën e vetë vendit, por edhe të botës, nuk mund të lejojmë që kjo trashëgimi të humbasë”- pohoi në vijim Papa.

Ftesë për shpresë e rindërtim

Papa Françesku e inkurajoi pollin libanez të shpresojë e të gjejë energjinë e duhur për t’u rinisur. Politikanëve dhe liderëve fetarë u kërkoi të shikojnë të mirën e përbashkët e “të angazhohen me sinqeritet e transparencë në veprën e rindërtimit”, ndërsa bashkësisë ndërkombëtare, ta mbështesë Vendin. Mendimi i Papës shkoi, më pas, tek të gjithë ata, që u prekën nga atentati i kryeqytetit, të cilëve u drejtoi ftesën:

“Guxim! Feja e lutja të jenë forca juaj. Mos i braktisni shtëpitë tuaja e trashëgiminë tuaj, mos e harroni ëndrrën e atyre, që besuan në ardhmërinë  e një vendi të bukur e të begatë”.

Më pas, një thirrje drejtuar barinjve të Kishës vendase, të gjithë priftërinjve, rregulltarëve e rregulltareve, që të jenë pranë popullit të tyre, duke dhënë të parët shembullin e varfërisë e të përvujtërisë, të jenë “veprimtarë të harmonisë” e “të kulturës së vërtetë të takimit”. Vetëm duke  shikuar interesin e përbashkët - vijoi Papa - do të jetë e mundur “të sigurohet vazhdimësia e pranisë së krishterë dhe e kontributit tuaj të paçmueshën ndaj Vendit, botës arabe dhe mbarë rajonit, me frymë vëllazërie ndërmjet të gjitha traditave fetare, që janë në Liban”.

Më 4 shtator, një ditë lutjeje e agjërimi

Më pas, njoftimi për nismën e veçantë, që të pranishmit e pritën me duartrokitje:

“Dëshiroj  t’i ftoj të gjithë të jetojmë një ditë universale lutjeje e agjërimi për Libanin, të premten e ardhshme, më 4 shtator. Unë mendoj të dërgoj një përfaqësues timin këtë ditë në Liban, për ta shoqëruar popullsinë. Në këtë ditë do të shkojë Sekretari i Shtetit, kardinali Parolin, në emrin tim. E ai do të shkojë për të shprehur afërsinë time e solidaritetin tim. Ta ofrojmë lutjen tonë për gjithë Libanin e për Beirutin. Të jemi pranë edhe me impenjim konkret  bamirësie, si në raste e tjera të ngjashme. I ftoj edhe vëllezërit e motrat e konfesioneve dhe të traditave të tjera fetare të bashkohen me këtë nismë, në mënyrën që u duket më e përshtatshme, por të gjithë së bashku”.

02 shtator 2020, 13:57