Papa: nëse Kisha nuk është në dalje, sëmuret!

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke komentuar shëmbëlltyrën e punëtorëve të thirrur, të kërkuar e të shpërblyer njëlloj nga i zoti i vreshtit, Papa shpjegoi mënyrën si vepron Zoti: “Dëshiron t’u japë shpërblimin më të lartë edhe atyre, që arritën të fundmit”. Sjellje, të cilën Kisha duhet ta imitojë.

R. SH. - Vatikan

Papa hapi një faqe të re ungjillore para shtegtarëve të mbledhur sot me shumicë në Sheshin e Shën Pjetrit, për t’u lutur së bashku e për të marrë bekimim e së dielës, që mbush me hir një javë të tërë. Deri tek e dielja a ardhshme. Tregoi shëmbëlltyrën e punëtorëve të thirrur nga zotëria i vreshtit për të punuar si mëditës. Përmes këtij rrëfimi, Jezusi na tregon mënyrën mahnitëse të veprimit të Zotit, që e shikojmë përmes sjelljes së padronit: nga thirrja e punëtorëve e nga mënyra si i shpërblen.

Së pari, thirrja

Së pari, Papa foli për thirrjen. Duke na kujtuar se i zoti i vreshtit del pesë herë në shesh e u bën thirrje njerëzve, që duan të punojnë ta nisin menjëherë punën në vreshtin e tij;  del në orën gjashtë, në orën nëntë, në dymbëdhjetë, në tre e në pesë pasdite. Të prek kjo dalje e vazhdueshme në shesh, në kërkim të punëtorëve për vreshtin e vet - kujtoi Papa - që nisi menjëherë të hyjë në simbolikën e shëmbëlltyrës.

Stili i Zotit

Kush është ky zotëri që kërkon punëtorë për vreshtin e vet? – pyeti Françesku:

“Ky padron përfaqëson Zotin, që i thërret të gjithë. I thërret gjithnjë. E vijon t’i thërrasë kështu edhe sot: vijon ta thërrasë secilin prej nesh, në çdo orë të ditës e të natës, për ta ftuar të punojë për mbretërinë e Tij”.

Ky është stili i Zotit, të cilin ne jemi të thirrur ta përvetësojmë e ta imitojmë:

“Ai nuk rri i mbyllur në botën e vet, por del vazhdimisht në kërkim të njerëzve, sepse do që askush të mos përjashtohet nga plani i Tij i dashurisë”.

Të dalësh nga kufijtë

E nga dashuria e Zotit për njeriun, Papa kaloi tek dashuria e Zotit për bashkësitë njerëzore e tek domosdoshmëria për të vepruar sipas stilit të Tij. Edhe bashkësitë tona - kujtoi - janë të thirrura  të dalin nga tipet ndryshme të “kufijve”, që mund t’i rrethojnë, për t’u çuar të gjithëve fjalën e Shëlbimit, që Jezusi erdhi ta sjellë mes njerëzve:

“Është fjala për të hapur horizonte jete, që u japin shpresë atyre, të cilët zhubraviten në periferitë ekzistenciale e nuk e kanë provuar akoma, ose e kanë humbur, forcën e dritën e takimit me Krishtin”.

Kisha duhet të jetë si Zoti

Më pas, porosia:

“Kisha duhet të jetë si Zoti: gjithnjë në dalje; e kur Kisha nuk është në dalje, sëmuret nga të gjitha sëmundjet, që i kemi në të. Po pse sëmuret Kisha? Sepse nuk është në dalje. Eshtë e vërtetë se kur ndokush del, mund edhe të pësojë ndonjë aksident. Por është më e mirë Kisha e aksidentuar, ndërsa dilte për të kumtuar Ungjillin, sesa Kisha e sëmurë nga mbyllja. Zoti del gjithnjë, sepse është Atë, sepse do. Kështu duhet të bëjë edhe Kisha: gjithnjë në dalje”.

 Sjellja e dytë e zotërisë, që përfaqëson Zotin, është mënyra si i shpërblen punëtorët. Bie dakord t’u paguajë një denar punëtorëve të pajtuar në mëngjes. Ndërsa atyre, që vijnë më pas, u thotë; “Do t’ju jap atë, që meritoni”. Vjen, kështu, edhe fundi i ditës së punës, ora e shpërblimit. E padroni, çuditërisht, urdhëron t’u jepet të gjithëve e njëjta pagë: 1 denar! Ata, që kishin punuar që në pikë të sabahut, zemërohen e nisin të hungurojnë kundër  të zotit të vreshtit. Po ai nuk tundet nga e tija: dëshiron  t’u japë të njëjtin shpërblim të gjithëve, edhe atyre, që arritën të fundit:

“E këtu kuptohet se Jezusi nuk flet për punën e për pagën e drejtë, por për Mbretërinë e qiellit  e mirësinë  e Atit qiellor”.

Kështu di të sillet Zoti

Kështu di të sillet Zoti:

“Nuk shikon kohën, as rezultatet, por gatishmërinë dhe bujarinë me të cilën vihemi në shërbim të Tij. Mënyra si vepron është më se e drejtë, në kuptimin se shkon përtej drejtësisë e na dëftohet në Hir. Duke na dhuruar Hirin, Ai na dhuron shumë më tepër, sesa meritojmë. E atëhere kush arsyeton me logjikën njerëzore, domethënë me atë të meritave të fituara me aftësitë personale, nga i pari, bëhet i fundit. Ndërsa kush i beson me përvujtëri mëshirës së Atit, nga i fundmi që ishte, bëhet i pari”.  

Si zakonisht, Papa e përfundoi lutjen e Engjëllit, duke iu drejtuar Marisë për mbështetje e ndihmë:

“E Shenjtnueshmja Mari na ndihmoftë ta ndjejmë çdo ditë gëzimin dhe mahnitjen e njerëzve të thirrur nga Zoti që të punojmë për Të, në arën e Tij, që është bota; në vreshtin Tij, që është Kisha. E të marrim si të vetmin shpërblim për dashurinë e Tij, miqësinë e Jezusit, që për ne është gjithçka”.

20 shtator 2020, 12:55