00752_02032017.jpg

Papa, meshtarëve të moshuar e të sëmurë: faleminderit për dëshminë tuaj

Edhe këtë vit, pavarësisht nga pandemia, meshtarët e moshuar dhe të sëmurë të dioqezave të Lombardisë përjetojnë sot një ditë të veçantë, në shenjtëroren e Zojës së Karavaxhos. Organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore Lombarde, nisma mbahet që prej gjashtë vitesh. Papa i kujton në një mesazh: me brishtësinë tuaj, ju jetoni “një shërbesë jo-dytësore në Kishë”.

R.SH. - Vatikan

Meshtarët e sëmurë e të moshuar, në qendër të vëmendjes së Papës Françesku, i cili gjen gjithnjë kohë t’i takojë, në çdo dioqezë ku shkon për vizitë. Sot, në Ditën, që rajoni i Lombardisë në Itali, ua kushton pikërisht këtyre meshtarëve, Ati i Shenjtë, në një mesazh, ngre lart misionin, që akoma vijojnë ta kryejnë në Kishë, përmes lutjes, dëgjimit e ofertës së vuajtjes së tyre.

Takimi në shenjtëroren e Zojës së Karavaxhos

 Pavarësisht nga kufizimet e pandemisë së koronavirusit, meshtarët lombardë janë mbledhur së bashku me ipeshkvijtë e tyre, në shenjtëroren e Zojës së Karavaxhos, shtrirë ndërmjet dy komunave, Barcon dhe Fanzolo-s, në provincën e Bergamos.  Siç e vë në dukje edhe vetë Papa, në letrën e tij, ky takim mbahet që prej 6 vitesh, në bashkëpunim me organizatën kishtare UNITALSI, e cila merret me shtegtimin e të sëmurëve nëpër shenjtëroret mariane të gjithë botës. Ati i Shenjtë nënvizon bukurinë e kujdesit të ipeshkvijve për klerin më të brishtë fizikisht, por falenderon edhe të gjithë meshtarët, që po “jetojnë kohën e pleqërisë, ose orën e hidhur të sëmundjes”, duke dëshmuar besnikërisë e tyre ndaj Zotit dhe duke kumtuar pa bujë Ungjillin e jetës. “Faleminderit – u thotë Bergoglio – sepse jeni kujtesa e gjallë, mbi bazën e së cilës duhet ndërtuar e nesërmja e Kishës”.

Koha e pandemisë e të moshuarit

 Më pas, Papa Françesku flet për periudhën më të vështirë të pandemisë, kur të gjithë ishin mbyllur nëpër shtëpi e kur të moshuarve u munguan të afërmit, pasi nuk mund të shkonin t’i takonin nga frika se mos u ngjisnin koronavirusin. “Shpresoj shumë – shkruan Ati i Shenjtë – që kjo periudhë të na ndihmojë të kuptojmë se, më tepër se sigurimi i hapësirave për vete, është e nevojshme të mos e shpërdorojmë kohën, që na dhurohet; të na ndihmojë ta shijojmë bukurinë e takimit me tjetrin, të shërohemi nga virusi i egoizmit. Të mos e harrojmë këtë leksion!”

Besimi në Zotin ndihmon në kapërcimin e pandemisë

 “Në periudhën më të vështirë, plot me ‘heshtje shurdhuese dhe boshllëk shkretëtire’ – kujtoi Papa çastin e lutjes së 27 marsit të këtij viti, tashmë, hyrë në histori – shumë vetë, pothuajse spontanisht, e lartuan vështrimin drejt Qiellit. Me hirin e Tënzot, kjo mund të jetë një përvojë purifikimi. Edhe për jetën tonë meshtarake, brishtësia mund të jetë ‘si zjarri i fonditorit dhe si finja e rrobalarësve’ (Mal 3,2) e cila, duke na lartuar drejt Zotit, na e pastron shpirtin e na shenjtëron. Të mos kemi frikë nga vuajtjet: Zoti e mbart kryqin bashkë me ne!”.

Së fundi, Papa Françesku i drejtohet me lutje Zojës së Bekuar për të gjithë meshtarët e vdekur, për shkak të virusit e për të gjithë ata, që akoma duhet ta marrin veten.

17 shtator 2020, 12:09