2020.09.05-cardinale-Marian-Jaworski.jpg

Papa kujton kardinalin Jaworski, dëshmitarin besnik të Ungjillit

Papa Françesku i dërgoi një telegram kryeipeshkvit metropolit të Krakovit, në Poloni, imzot Marek Jadraszewski, duke shprehur ngushëllimet për vdekjen e kardinalit polak Marian Jaworski, kryeipeshkëv nderi i Lvivit të Latinëve (Ukrainë), që vdiq të shtunën e kaluar.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku i dërgoi një telegram ngushëllimi kryeipeshkvisë së Krakovit, në Poloni, për vdekjen e kardinalit Marian Jaworski, “dëshmitar besnik i Ungjillit”. Vërtet, motoja e tij ishte: “Për mua, jeta është Krishti”.

 Ati i Shenjtë kujton “impenjimin e tij akademik, si njeri i nderuar i shkencës dhe profesor i teologjisë dhe i filozofisë në universitetet e Varshavës, Krakovit e Lvivit; si dekan e rektor i parë i Akademisë Papnore të Teologjisë në Krakov. Shën Gjon Pali II e vinte shpesh theksin në kontributin e veçantë e të vlefshëm të tij në zhvillimin shkencor”, përmend Françesku faktin që kardinali i ndjerë ishte mik i ngushtë me shenjtin polak, i cili e vlerësonte jashtëzakonisht.

 “Në zemrat e atyre që e njohën - nënvizon Papa më tej në telegram - ai mbeti njeri shumë i madh, i drejtë, i sinqertë, i guximshëm, që e donte Kishën. La një dëshmi të denjë për zellin meshtarak, erudicionin, besnikërinë ndaj Ungjillit dhe ndjenjën e përgjegjësisë për bashkësinë e besimtarëve. Ishte mik i përzemërt i shën Gjon Palit II. E mbështeste në punët e lodhshme të shërbimit ipeshkvnor e papnor. Papës, që po ndërronte jetë, ai ia dha Sakramentin e Vojimit. Si filozof dhe teolog, kardinali Jaworski bashkëpunoi ngushtë me Papën Benedikti XVI. Personalisht – e përfundon telegramin Papa Françesku - më bashkon me të data e Koncistorit të vitit 2001, kur të dy u krijuam kardinaj. Jezu Krishti i Mëshirshëm, të cilit i përndrituri kardinali Marian ia kushtoi jetën, e pranoftë në lavdinë e Tij”.

08 shtator 2020, 12:28