Kërko

2020.09.27 logo-Giubileo-Micheliti-Polonia-san-Michele-Arcangelo 2020.09.27 logo-Giubileo-Micheliti-Polonia-san-Michele-Arcangelo 

Papa Kongregatës sё Shën Mihillit Kryengjëll: Nё shërbim dhe formim tё tё varfërve

Papa Françesku i dërgon një mesazh At Dariusz Wilk , Eprorit tё Përgjithshëm të Kongregatës së Shën Mihillit Kryengjëll, me rastin e njëqind vjetorit tё miratimit kanonik tё rregulltarёve.

R.SH. - Vatikan

"Ndërsa ju përgëzoj pёr gjithçka që keni bërë në këto dekada në favor të fëmijëve tё braktisur, ju ftoj të vazhdoni me entuziazëm tё pёrtёrirё angazhimin edukativ për ata që shpesh askush nuk dëshiron t’i pranoj dhe t’i mbroj, nëpërmjet shkollave, shtëpive pёr familje, strehimoreve dhe realiteteve të tjera të asistencës dhe formimit". Kёshtu shkruan Papa Françesku nё njё  mesazh dërguar At Dariusz Wilk, Eprorit tё Përgjithshëm të Kongregatës së Shën Mihillit Kryengjëll, me rastin e Njëqind vjetorit tё miratimit kanonik të Kongregatёs rregulltare.

Françesku kujton themeluesin e kongregatёs sё pёrmendur rregulltare, tё Lumin Bronislao Markiewicz. "Vepra e këtij prifti tё zellshëm të dioqezës së Przemyśl, mbjellë së pari në tokën e Polonisë, vazhdon të japë fryte nëpërmjet shërbimit tuaj, në shumë vende të shpërndara në Kontinente të ndryshme", tha Papa. "Trashëgimia shpirtërore e Themeluesit qe jetuar me zell apostolik nga bijtë e tij shpirtëror në harkun e këtyre qindra viteve, duke u përshtatur me urti ndaj realitetit dhe nevojave të reja pastorale, edhe me çmimin e lartё tё dhuratës së jetës, siç u dëshmua nga martirizimi i tё Lumturve tuaj Ladislao Błądziński e Adalberto Nierychlewski ", theksoi akoma Papa Françesku.

Papa Françesku në mesazhin e tij lavdëron edhe një herë Kongregatёn e Shën Mihillit Kryengjëll: "Edukimi njerëzor dhe i krishterë, sidomos për të varfërit dhe në vende ku, për arsye të ndryshme, mungon e nuk garantohen në mënyrë adekuate nga shoqëria, është më e madhja dhuratë që ju edhe sot jeni tё thirrur për t’ua ofroni fëmijëve e të rinjve tё braktisur. Ata vazhdimisht kanë nevojë për edukues që i udhëheqin me dashuri atërore e mirësi ungjillore në rritjen njerëzore dhe fetare. Instituti juaj është i thirrur për t'i kushtuar çdo kujdes dhe vëmendje rinisë e realiteteve sociale të ekspozuara ndaj rrezikut të së keqes dhe largimit nga Zoti".

Një tjetër fushë e rëndësishme e apostollatit të Kongregatёs është fjala e shtypur e Papa Françesku e thekson në mesazhin e tij. "Shtëpia Botuese Michalineum dhe dy revistat: ‘Temperanza e Lavoro’ dhe ‘Chi come Dio’, nuk janë vetëm trashëgimi e Themeluesit, por janë mjete të vlefshme tё komunikimit shoqëror, qё u përgjigjen nevojave aktuale dhe të pasuruara me teknologjitë moderne, ato mund të arrijnë shumë fryte të mira në mendjet dhe ndërgjegjet e njerëzve". Papa e përfundon mesazhin duke kujtuar se:" Pёr tё realizuar kёtё synim apostolik, duhet të jemi njerёz të bashkimit, t’i kapërcejmë kufijtë, të ndërtojmë ura dhe t’i thyejmë muret e indiferencës”.

27 shtator 2020, 19:14