Kërko

Papa takohet me Redaksinë e Përjavshmes së krishterë belge “Tertio”  Papa takohet me Redaksinë e Përjavshmes së krishterë belge “Tertio”  

Papa: “Gazetari i krishterë nuk duhet ta fshehë të vërtetën, as ta manipulojë informimin”.

Papa takohet me delegacionin e së Përjavshmes së krishterë belge “Tertio” që kremton sot 20-vjetorin e themelimit, dhe i falënderon pjesëmarrësit për kontributin e çmuar që japin në fushën e informimit e të komunikimit, duke skicuar edhe identikitin e gazetarit të krishterë: “Ju jeni bujqit, që hedhin farën e shpresës për një të nesërme më të mirë. Në rrethanat e kësaj kohe, mjetet e komunikimit shoqëror duhet të kontribuojnë që njerëzit të mos sëmuren nga vetmia e të mund të dëgjojnë një fjalë ngushëllimi”.

R. SH. - Vatikan

Duke u takuar, në Vatikan, me delegacionin e së Përjavshmes së krishterë belge “Tertio” që kremton sot 20-vjetorin e themelimit, Papa u ndalua kryesisht tek kontributi i ndjeshëm i mediave të krishtera për krijimin e një stili të ri jetese, të lirë nga çdo formë paragjykimi e përjashtimi në bashkësi:

“Në shoqërinë ku jetojmë, informimi është pjesë përbërëse e së përditshmes sonë. Kur është cilësor,  na ndihmon t’i kuptojmë më mirë problemet dhe sfidat që përballon bota dhe frymëzon sjellje të lavdërueshme individuale, familjare e shoqërore. Posaçërisht është shumë e rëndësishme prania e mediave kristiane të specializuara në informacionin cilësor mbi jetën e Kishës në botë,  gjë që ndikon fuqimisht mbi formimin e ndërgjegjeve”.

Françesku e vuri rishtas gishtin mbi një nga plagët më të dhimbshme të shoqërisë së sotme: mbi përgojimet, thashethemet, marrjet nëpër gojë, duke riktheksuar se frymëzuesi i tyre është vetë djalli, që  flet gjithnjë keq - për të gjithë - sepse është gënjeshtar e bën çmos ta përçajë Kishën, t’i largojë vëllezërit nga njëri-tjetri, që të mos mund të formojnë kurrë bashkësi.

Komunikimi, mision i rëndësishëm për Kishën

Komunikimi është mision i rëndësishëm për Kishën. Të krishterët e angazhuar në këtë fushë, janë të thirrur ta vënë konkretisht në jetë  ftesën e Zotit  për të shkuar nëpër botë e për t’ua shpallur të gjithëve Ungjillin.

Identikit i gazetarit të krishterë

E në vijim Papa skicoi identikitin e gazetarit të krishterë. Gazetari i krishterë – kujtoi - duhet të japë një dëshmi të re në botën e komunikimit, pa e fshehur të vërtetën e pa e manipuluar informimin:

“Në pështjellimin  e zërave e të mesazheve, që na rrethojnë, kemi nevojë  për një rrëfim njerëzor, i cili flet për ne e për të bukurën, që banon në shpirtin tonë. Një narracion, që di t’i shikojë botën dhe ngjarjet me dashuri; që tregon se jemi pjesë e indit të gjallë; që zbulon fijet, të cilat na lidhin me njëri-tjetrin (Mesazh për Ditën e 54-t të Komunikimeve shoqërore, 24 janar 2020).

E ju jeni protagonistë të kësaj mënyre rrëfimi - u kujtoi Papa  të pranishmëve

Roli i profesionistit të krishterë të informacionit

Por, si duhet të jetë profesionisti i krishterë i informacionit?

“Duhet të jetë mbartës i shpresës - nënvizoi Ati i Shenjtë -  e i besimit në të ardhmen. Sepse vetëm kur ardhmëria pranohet si realitet pozitiv e i mundshëm, edhe e tashmja bëhet e jetueshme. E këto reflektime  mund të edhe të na ndihmojnë të ushqejmë shpresat, posaçërisht sot, në situatën e pandemisë, që po kalon bota”.

Roli kryesor i komunikimit sot!

Po cili është roli kryesor i mjeteve të komunikimit sot? E i komunikuesve? Bujq, që hedhin farën e shpresës – i quajti Françesku:

“Ju jeni bujqit, që hedhin farën e shpresës për  një të nesërme më të mirë. Në rrethanat e kësaj kohe, mjetet e komunikimit shoqëror duhet të kontribuojnë që njerëzit  të mos sëmuren nga vetmia e të mund të dëgjojnë një fjalë ngushëllimi”.

Gazetarët e krishterë, nën mbrojtjen e Virgjërës Mari

Në përfundim Papa ia besoi mbrojtjes së Virgjërës Mari angazhimin e gazetarëve  në shërbim të takimit të njerëzve  e të shoqërive. Ajo - u lut - ju ndihmoftë të jeni dishepuj besnikë të Birit të saj në profesionin tuaj!

18 shtator 2020, 13:13