1599667200758.jpg

Papa: t’i kthejmë kufijtë në hapësira pasurimi shpirtëror e kulturor

Papa Françesku priti sot në audiencë pjesëmarrësit e projektit evropian “Snapshots from the Borders” dhe i falënderoi për punën e tyre, e cila synon promovimin e së mirës së përbashkët dhe rënien e barrierave ndërmjet popujve.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku përshëndeti sot pjesëmarrësit e projektit evropian “Fotografi nga kufijtë” (Snapshots from the Borders), të cilët i priti në audiencë në Vatikan. Përmes këtij projekti, shpjegoi Ati i Shenjtë, promovohet “kuptimi më i thellë i migracionit” dhe nxitet shoqëria evropiane “t’i japë një përgjigje më njerëzore dhe më të koordinuar sfidës së migrimit të kohëve moderne”.

Projekti “Snapshots from the Borders”

         “Pamje nga kufijtë - Qytetet e vogla përballen me sfidat globale të Agjendës 2030” (Snapshots from the borders - Small towns facing the global challenges of Agenda 2030) është një projekt evropian 3-vjeçar, i financuar me mbi 4.5 milion euro nga Komisioni Evropian. Vendet e përfshira janë 19: Italia, Spanja, Franca, Gjermania, Suedia, Austria, Sllovenia, Hungaria, Rumania, Bullgaria, Greqia, Qipro, Malta, Bosnjë-Hercegovina, ndërsa 15 vende të tjera marrin pjesë në veprimtari të caktuara (Belgjika, Letonia, Lituania, Kroacia, Luksemburgu, Republika Çeke, Hollanda, Danimarka, Polonia, Estonia, Portugalia, Finlanda, Sllovakia, Irlanda, Mbretëria e Bashkuar).

         Objektivi i përgjithshëm i projektit është rritja e ndërgjegjësimit, e njohurive dhe e kuptimit kritik të ndërvarësisë globale e të shkaqeve të migracionit, për të favorizuar arritjen e synimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm për vitin 2030. Objektivi i tij i veçantë është koordinimi ndërmjet qyteteve kufitare evropiane, ku dynden emigrantët, për të promovuar koherencën e politikave në nivelin evropian, kombëtar dhe lokal. Ndër veprimtaritë kryesore, seminare, fushata, vizita e shkëmbime përvojash, krijimi i “Rrjetit të qyteteve kufitare”, studime e paraqitje propozimesh në nivel kombëtar dhe evropian.

Realiteti i sotëm

         Gjatë audiencës së sotme me pjesëmarrësit në projekt, Papa Françesku nënvizoi:

“Skenari aktual i migrimit është i ndërlikuar dhe shpesh, ka pasoja dramatike. Ndërvarësitë globale, që përcaktojnë flukset e migrimit duhet të studiohen dhe të kuptohen më mirë. Sfidat janë të shumta dhe i prekin të gjithë. Askush nuk mund të mbetet indiferent para tragjedive njerëzore, që vazhdojnë të ndodhin në rajone të ndryshme të botës. Ndër to, na prekin shpesh ato, që ndodhin në skena si Mesdheu, det kufitar, por edhe ndërlidhës ndërmjet kulturave”, pohoi Bergoglio.

Muret nuk janë zgjidhje

         Duke kujtuar takimin e tij me ipeshkvijtë e Mesdheut në Bari, shkurtin e kaluar, Papa Françesku vuri në dukje se shumë prej atyre që vuajnë në Mesdhe po largohen nga terrori në kërkim të një jete më të mirë. Shpesh këta njerëz refuzohen dhe bien viktima të indiferencës. “Kurrë nuk mund të pranojmë që njerëzit në kërkim të një shprese nga deti të vdesin pa marrë asnjë ndihmë”, ngriti zërin Ati i Shenjtë. Megjithëse pritja dhe integrimi nuk janë faza të lehta të procesit të migrimit “është e pamendueshme të përballohet ai duke ngritur mure”, theksoi Françesku. Përballë këtyre sfidave, ndihet nevoja për “solidaritet konkret dhe përgjegjësi të përbashkët”, si në nivelin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar, shtoi Papa, duke kërkuar “të veprojmë të gjithë së bashku, jo vetëm”.

         “Bashkësia ndërkombëtare – denoncoi Bergoglio - është ndalur në ndërhyrjet ushtarake, ndërsa duhet të ngrejë institucione, që garantojnë mundësi të barabarta dhe vende ku qytetarët të kenë hapësira për të marrë përsipër përgjegjësinë për të mirën e përbashkët”.

Perspektivat

         Papa Françesku vuri më pas në dukje rëndësinë e “ndryshimit në mënyrën e tregimit të emigracionit”, duke vendosur fytyrat dhe historitë e emigrantëve në qendër. Për këtë arsye, projekte si ai i “Fotografive nga kufijtë” janë tejet të rëndësishme. Të frymëzuar nga kultura e takimit, u tha Ati i Shenjtë pjesëmarrësve, ju përpiqeni të “propozoni qasje të reja”, që e kthejnë udhën drejt një “humaniteti të ri”, në filozofi jete, përshpirtërie dhe qëndrimi. Së fundi, Papa Françesku vuri në dukje se kufijtë kanë qenë gjithnjë “barriera ndarëse”. Por ato “mund të bëhen ‘dritare’, hapësira të njohjes e të pasurimit të ndërsjellë, hapësira bashkimi në larmi; vende, ku eksperimentohen modele për të kapërcyer vështirësitë, që sjellin të ardhurit e rinj për bashkësitë vendase”.

10 shtator 2020, 13:48