Lutja e Engjëllit të Tënzot Lutja e Engjëllit të Tënzot 

Françesku: falja e mëshira, stil i jetës së kaluar në paqe

Jezusi na fton t’ia falim tjetrit borxhet e fajet jo shtatë herë, por shtatëdhjetë herë shtatë! Këtë theksoi Papa në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, kremtuar në mesditë, në Sheshin e Shën Pjetrit, duke kujtuar kufirin që e ndan sjelljen hyjnore nga ajo njerëzore lidhur me drejtësinë! Në sjelljen hyjnore, falja është përplot me mëshirë, ndërsa në atë njerëzore, kufizohet vetëm me drejtësinë.

R. SH. - Vatikan

Sot, në shëmbëlltyrën e Mbretit të mëshirshëm, në qendër të Engjëllit të Tënzot,  gjejmë dy herë këtë lutje: “Ki durim me mua e do t’i kthej të gjitha” (vv26.29). Herën e parë  e dëgjojmë nga goja e shërbëtorit, që i ka borxh zotërisë së tij dhjetë mijë talente, një shumë tepër e madhe. Herën e dytë, përsëritet nga një shërbëtor tjetër, i të njëjtit zotëri. Edhe ai i ka borxh, jo zotërisë së tij, por të njëjtit shërbëtor, borxhli i zotërisë. Me një ndryshim: borxhi i tij është tejet i vogël në krahasim me atë të shokut.

Mëshira buron nga zemra  

Zemra e shëmbëlltyrës – shpjegoi Papa - është  qëndrimi që mban zotëria ndaj shërbëtorit që i kishte borxh të madh. Ungjilltari nënvizon se “zotëira pati mëshirë për këtë shërbëtor, e la të shkojë në punë të vet e ia fali krejt borxhin”. Borxh tejet i madh! E, prej këndej, edhe falje e madhe. Por pikërisht ky shërbëtor, pakëz më vonë, tregohet krejtësisht i pamëshirshëm me shokun e vet, që i kishte një borxh fare të vogël. Nuk do t’ia dijë fare për lutjet e tij. E shan, e nëm, e mallkon e, së fundi, e flak edhe në burg, në pritje që t’ia lajë borxhin. Zotëria e merr vesh ngjarjen e, i pezmatuar keqas, e thërret shërbëtorin e lig dhe e dënon.

Dy sjellje, krejt të ndryshme

Në shëmbëlltyrë gjejmë dy sjellje krejt të ndryshme: atë të Zotit, që përfaqësohet nga mbreti, e atë të njeriut. Në sjelljen hyjnore, drejtësia  është përplot me mëshirë, ndërsa në atë njerëzore, kufizohet  me drejtësinë. Jezusi na fton të pranojmë me guxim forcën e faljes, sepse jo gjithçka ndodh në jetë zgjidhet me rrugën e drejtësisë. Duhet edhe dashuria përdëllyese, që është edhe në bazë të përgjigjes, që i jep Zoti pyetjes së Pjetrit, e cila i paraprin shëmbëlltyrës: “Zot, nëse im vëlla bën faj kundër meje, sa herë  duhet ta fal?”. E Jezusi i përgjigjet:

“Nuk të them deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë”.

Në gjuhën simbolike të Biblës, kjo do të thotë se jemi të thirrur të falim gjithmonë.

Kujto fundin e mos urre më!

Sa vuajtje, sa dhimbje, sa luftëra mund të shmangen - pohoi Papa në vijim të lutjes së Engjëllit të Tënzot - nëse falja e mëshira do të ishin stili i jetës sonë!

“Duhet ta zbatojmë dashurinë përdëllyese në të gjitha marrëdhëniet njerëzore: ndërmjet bashkëshortëve, prindërve e bijve, në gjirin e bashkësive tona e edhe në shoqëri e në politikë”.

Kjo, porosia e Françeskut, i cili kujtoi,  në vijim, një frazë të shkëputur nga libri i Siraçidit, që e kishte prekur fort:

“Kujto fundin e mos urre më: frazë e bukur. Mendo fundin, do të jesh në arkivol. Do ta marrësh edhe inatin me vete? Edhe aty?”.

Nëse nuk fal - kujtoi Ati i Shenjtë - mllefi  rikthehet, si mizë e besdisshme, rikthehet, rrotullohet, besdis, torturon! Më mirë të falësh - që të të falin, sepse falja nuk është punë çasti, po stil jete, që duhet të vijojë përgjithmonë e jetës:

“Shëmbëlltyra e sotme na ndihmon ta kuptojmë me fund  këtë frazë, që e themi në lutjen e Atynës: ‘Na i fal fajet tona, si ua falim ne fajtorëve tanë’”. (Mt 6,12)

Në këto fjalë përmblidhet e vërteta vendimtare. Nuk mund të pretendojmë  të na falë Zoti, nëse edhe ne nuk e falim të afërmin. Po të mos përpiqemi  të falim e të duam, as ne nuk do të falemi, as nuk do të duhemi!

Në përfundim, ftesa e Papës për t’i drejtuar lutjen tonë Zojës së Bekuar:

“T’ia besojmë vetveten ndërmjetësimit të Nënës së Krishtit: Ajo na ndihmoftë  ta kuptojmë sa borxhe i kemi Zotit e ta kujtojmë këtë gjithnjë, kështuqë ta kemi zemrën të hapur për mëshirë e mirësi”.

13 shtator 2020, 13:03