Kërko

Vatican News

Papa: duhet mjekim edhe kundër viruseve shoqërore e ekonomike

Në audiencën e përgjithshme, në oborrin e Shën Damazit, nëVatikan, Papa Françesku kujtoi viruset e shumta, që sulmojnë strukturën e sotme shoqërore. E këshilloi ilaçin e “shoqërisë solidare e gjithëpërfshirëse” si mjekim për t’u shëruar nga “indiferenca, shfrytëzimi dhe interesat vetjake”.

R.SH. - Vatikan

Pandemia dëshmoi qartë pabarazitë e botës, duke nxjerrë në pah padrejtësitë e thella të shkaktuara nga njeriu. Mbi këtë reflektim u mbështet sot, katekizmi i Papës Françesku, gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur në oborrin e shën Damazit në Vatikan, ku mund të sigurohet distancimi i parashikuar nga masat kundër koronavirusit. Pikërisht, duke folur për Covid-19, Ati i Shenjtë fotografoi skenarin aktual global:

 “Një virus i vogël vazhdon të shkaktojë plagë të thella dhe demaskon brishtësitë tona fizike, shoqërore e shpirtërore. Vë në dukje pabarazitë e mëdha, që mbretërojnë në botë: pabarazia e mundësive, e pasurive, e kujdesit shëndetësor, e teknologjive e kështu me radhë. Këto padrejtësi nuk janë as të natyrshme dhe as të pashmangshme. Janë vepër e njeriut, vijnë nga një model zhvillimi, i shkëputur nga vlerat më të larta. E kjo bëri që shumë njerëz ta humbin shpresën dhe shtoi pasigurinë e ankthin”.

Mjekim, jo vetëm për koronavirusin

Kriza, jo vetëm ajo shëndetësore, e pasojat e saj, kërkojnë kujdes të gjithanshëm, në gjendje të zhdukë frytshëm koronavirusin, por edhe të këqijat e shumta, që e mundojnë botën. Ati i Shenjtë theksoi, në veçanti, se modeli aktual ekonomik, baza e një zhvillimi jo të drejtë, nuk mund t’i ndihmojë njerëzit të dalin nga pandemia.

“Për këtë arsye, për të dalë nga pandemia, duhet të gjejmë një mjekim jo vetëm për koronavirusin, por edhe për viruset e mëdha njerëzore dhe shoqëroro-ekonomike. E sigurisht, nuk mund të presim që modeli ekonomik në themel të zhvillimit të padrejtë dhe të paqëndrueshëm t’i zgjidhë problemet tona. Nuk e ka bërë e nuk do ta bëjë këtë, megjithëse disa profetë të rremë vazhdojnë të premtojnë ‘efektin ujëvarë’, që nuk vjen kurrë”.

Shoqëria të jetë solidare dhe gjithëpërfshirëse

T’u rezistosh viruseve, edhe atyre shoqëroro-ekonomike, sipas Papës Françesku, do të thotë të respektosh larminë e ndryshimet, duke marrë parasysh të gjithë, veçanërisht të fundmit, për të përforcuar bashkimin.

“Ne duhet që të punojmë urgjentisht për të krijuar politika të mira, për të planifikuar sisteme organizimi shoqëror, të cilat shpërblejnë pjesëmarrjen, kujdesin dhe bujarinë, në vend të indiferencës, shfrytëzimit dhe interesave vetjake. Një shoqëri solidare dhe e drejtë është shoqëri më e shëndetshme. Një shoqëri gjithëpërfshirëse - ku ‘të fundmit’ konsiderohen njëlloj si ‘të parët’ – e forcon bashkimin. Një shoqëri, ku respektohen ndryshimet është shumë më rezistente ndaj çdo lloj virusi”.

Vështrimin ngulur mbi Krishtin

Pas udhëve të dinjitetit, solidaritetit dhe subsidiaritetit, për të cilat foli në audiencat e përgjithshme të javëve të fundit, Papa këshilloi një rrugë tjetër të domosdoshme për të promovuar dinjitetin njerëzor: atë të së mirës së përbashkët. E shtoi se udha e përvijuar me ciklin e katekizmit kushtuar pandemisë nuk duhet konsideruar e përfunduar. Papa uroi që “të vazhdojmë të ecim së bashku, duke e mbajtur shikimin të ngulur te Jezu Krishti, i cili e shpëton dhe e shëron botën”.

“Si dishepuj të Jezu Krishtit, synojmë të ndjekim gjurmët e Tij, duke zgjedhur të varfërit, duke e rimenduar përdorimin e pasurisë dhe duke u kujdesur për shtëpinë e përbashkët. Në mes të pandemisë, që na mundon, jemi ankoruar në parimet e doktrinës shoqërore të Kishës, duke e lënë fenë, shpresën dhe dashurinë të na udhëheqin. Këtu kemi gjetur ndihmën e fuqishme për të qenë veprimtarë të shndërrimeve, me ëndrra të mëdha, të cilat nuk ndalen në meskinitetet, që ndajnë dhe lëndojnë, por nxisin krijimin e një bote të re, më të mirë”.

30 shtator 2020, 10:47