Ambiente: 114 Associazioni contro riduzione Parco Lessinia Ambiente: 114 Associazioni contro riduzione Parco Lessinia 

Mjedisi: Papa, ‘natyra sot nuk admirohet, por gllabërohet’

"Sot, natyra qё na rrethon nuk admirohet më, por 'gllabërohet'. Duhet të kthehemi të kundrojmё; në mënyrë që të mos e hutojmë veten në një mijë gjëra të padobishme, duhet të rigjejmë heshtjen; në mënyrë që zemra të mos sëmuret, duhet të ndalojmë". Kёshtu ripohon Papa në një tweet të ri, botuar sot, 17 shtator 2020, nё faqen e internetit @Pontifex.

R.SH. - Vatikan

"Sot, natyra qё na rrethon nuk admirohet më, por 'gllabërohet'. Kёshtu ripohon Papa në një tweet të ri, botuar sot, 17 shtator 2020, nё faqen e internetit @Pontifex. "Duhet të kthehemi të kundrojmё; në mënyrë që të mos e hutojmë veten në një mijë gjëra të padobishme, duhet të rigjejmë heshtjen; në mënyrë që zemra të mos sëmuret, duhet të ndalojmë", vërejti Papa.

T’i kushtojnë vëmendje Krijimit

Dëshirojmë të japim ndihmesën tonë për kapërcimin e krizës ekologjike, që po jeton njerëzimi. Është shumë e rëndësishme që të krishterët t’i kushtojnë vëmendje Krijimit, edhe pse bota që na rrethon  është rrënuar tepër, nga ata që nuk mendojnë tjetër, veçse ta bëjnë natyrën para. Bota rrezikon të numërojë çastet e fundit. Në mos bota, sigurisht që mund të marrë fund gjithë njerëzimi. Duhet trajtuar me respekt gjithçka krijoi Zoti, sepse në çdo skaj e skutë të natyrës shihet e preket dora e Zotit. Zoti nuk na dëftohet vetëm  si Vetje, por duket vazhdimisht në fytyrat e të tjerëve e në bukuritë e natyrës. Natyra duhet respektuar njëqind për qind. Ka ardhur koha t’i jepet fund prerjes së drunjve e të fillohet mbjellja e filizave të rinj. E edhe kafshët duhen respektuar. Në këtë periudhë, në vendin ku jetoj, kanë varur një afishe me një kokë të prerë ujku: më duket gjë e turpshme. Edhe kafshët, që ishin para nesh, duhet të vijojnë të jenë. Nëse vijojmë ta vrasim natyrën, do të kemi vrarë veten, sepse nuk është aspak në natyrën e Zotit të rrënojë gjithçka.

Heshtje, dëgjim, kundrim!

E Ilaçi më i mirë kundër shpërdorimit të shtëpisë sonë të përbashkët, është kundrimi, kёshtu pohoi Papa Françesku dje gjatё audiencёs sё pёrgjithshme, mbajtur parada dite nё oborrin e Shёn Damasit, nё Vatikan. “Kur nuk mësohesh të ndalesh një çast e ta kundrosh të bukurën, nuk është për t’u çuditur që çdo gjë të shndërrohet në objekt përdorimi e shpërdorimi, pa të brerë fare ndërgjegjja. Pa menduar se shtëpia jonë e përbashkët, krijimi, nuk është thjesht ‘burim të mirash materiale’”.

Krijesat - theksoi Papa Bergoglio në vijim të audiencës së djeshme tё përgjithshme -  kanë vlerë në vetvete e pasqyrojnë, secila sipas mënyrës së vet, një rreze nga urtia dhe nga mirësia e pambaruar e Zotit. Kjo vlerë e kjo rreze drite hyjnore duhet zbuluar, e, për ta zbuluar, kemi nevojë të heshtim, të dëgjojmë, të kundrojmë!

Papa na nxit, pastaj, tё mos e keqtrajtojmë mё tokën: “Besojmë se jemi në qendër, duke pretenduar të zëmë vendin e Zotit; e kështu e rrënojmë harmoninë e planit të Tij. Bëhemi cuba, e harrojmë  se thirrja jonë është ta mbrojmë jetën. Natyrisht mundemi e duhet ta punojmë tokën për të jetuar e për t’u zhvilluar. Po  fjala punë nuk është sinonime me fjalën shfrytëzim! Përkundrazi: shoqërohet gjithnjë me fjalën kujdes: të lërosh, të mbrosh, të kujdesesh! Ky është misioni ynë”.

Nuk mund të pretendojmë të vijojmë  rritjen e nivelit material, nënvizon Papa, pa u kujdesur për shtëpinë e përbashkët, që na strehon. Vëllezërit tanë më të varfër e toka, nëna jonë, rënkojnë nga keqtrajtimet tona e na kërkojnë të ndërrojmë rrugë.

17 shtator 2020, 14:55