2020.09.22-Eutanasia-1.jpg

“Eutanazia është krim kundër jetës. I pashërueshëm nuk do të thotë i pamjekueshëm”

“Samaritanus Bonus”, letra e Kongregatës për Doktrinën e Fesë, miratuar nga Papa, dënon sërish çdo formë eutanazie dhe vetëvrasjeje të asistuar. Shpreh edhe mbështetjen e Kishës për familjet dhe punonjësit shëndetësorë.

R.SH. - Vatikan

“I pashërueshëm nuk është kurrë sinonim me i pamjekueshëm”: kush është i sëmurë në gradën e fundit ka të drejtë të pritet mirë, të ketë gjithë kujdesin e dashurinë, që i nevojitet. Kështu shkruhet në “Samaritanus Bonus”, letra e Kongregatës për Doktrinën e Fesë, kushtuar “kujdesit për njerëzit në fazat kritike dhe përfundimtare të jetës”, miratuar nga Papa Françesku. Qëllimi i letrës, që u paraqit sot në një konferencë për shtyp në Vatikan, është të japë udhëzime konkrete për të aktualizuar mesazhin e Samaritanit të Mirë të Ungjillit. Edhe kur “shërimi është i pamundur, ose me probabilitet të paktë, shoqërimi mjekësor, infermieristik, psikologjik dhe shpirtëror është detyrë e pashmangshme”.

I pashërueshëm, por kurrë i pamjekueshëm

         “Shëroni nëse është e mundur, por gjithmonë kujdesuni”. Këto fjalë të shën Gjon Palit II shpjegojnë se i pashërueshëm nuk do të thotë i pamjekueshëm, në kuptimin e kujdesit, që duhet treguar për njeriun deri në fund. Vërtet, deri në fazën më të mbrame të jetës, pacienti duhet shoqëruar, duke e dëgjuar, duke e bërë të ndihet i dashur, duke mos e lënë vetëm me frikën nga vuajtja dhe vdekja. I gjithë dokumenti përqendrohet në kuptimin e dhimbjes dhe të vuajtjes në dritën e Ungjillit dhe të flijimit të Jezu Krishtit.

Vlera e padhunueshme e jetës

         “Vlera e paprekshme e jetës është një e vërtetë themelore e ligjit moral të natyrshëm dhe bazë themelore e rendit juridik” thuhet në letër. “Njeriu nuk mund të zgjedhë drejtpërdrejt ta cënojë jetën e një njeriu tjetër, edhe kur ai ia kërkon këtë”. “Aborti, eutanazia dhe vetëvrasja vullnetare e dëmtojnë qytetërimin njerëzor” dhe “e lëndojnë rëndë nderin e Krijuesit”.

Pengesat, që errësojnë vlerën e shenjtë të jetës

Dokumenti përmend disa faktorë, që kufizojnë aftësinë për ta kuptuar vlerën e jetës, siç është fakti se shpesh, jeta konsiderohet “e denjë” vetëm në prani të disa karakteristikave psikike e fizike. Pengesë tjetër është edhe kuptimi i gabuar i “dhembshurisë”: dhembshuria e vërtetë “nuk shprehet, duke i shkaktuar vdekjen” ndokujt, por duke e dashur dhe duke e mbështetur të sëmurin me të gjitha mjetet për t’ia lehtësuar vuajtjet. Pengesë tjetër është individualizmi në rritje, që çon drejt vetmisë.

Magjisteri i Kishës

Kisha e ka deklaruar magjister përfundimtar qëndrimin e saj për eutanazinë, e cila është “krim kundër jetës njerëzore”, një veprim “thelbësisht i lig” në të gjitha rrethanat. Çdo bashkëpunim formal o material është mëkat i rëndë kundër jetës njerëzore, që asnjë autoritet “nuk mund ta legjitimojë”, ta imponojë, ose ta lejojë. Ata, që miratojnë ligje mbi eutanazinë “bëhen bashkëpunëtorë” dhe janë “fajtorë për shkandullin” e shkaktuar, sepse këto ligje kontribuojnë në shpërfytyrimin e ndërgjegjes. Akti i eutanazisë mbetet i papranueshëm edhe kur dëshpërimi, ose ankthi, mund ta zvogëlojnë e, madje, edhe ta shlyejnë përgjegjësinë personale të personave, që e kërkojnë atë.

“Jo” këmbënguljes së tepruar terapeutike

Dokumenti shpjegon se “mbrojtja e dinjitetit të vdekjes” do të thotë edhe të mos lejohet këmbëngulja e tepruar terapeutike për pacientët e pashërueshëm. Prandaj, kur njeriu është pashmangshmërisht në prag të vdekjes “është e ligjshme të merret vendimi për të hequr dorë nga trajtimet, që do të çonin vetëm në një zgjatje të pasigurt dhe të dhimbshme të jetës”. Gjithsesi, edhe në këtë rast, nuk duhet ndërprerë kujdesi i zakonshëm për pacientin, i cili ka të drejtë të ushqehet dhe të hidratohet. Kurat paliative janë një “mjet i çmuar dhe i domosdoshëm” për ta shoqëruar atë. Ndër këto kura, që nuk duhet të përfshijnë kurrë mundësinë e eutanazisë, letra vë në dukje edhe ndihmën shpirtërore për të sëmurët dhe familjet e tyre.

Ndihma për familjet

Gjatë trajtimit, është thelbësore që pacienti të mos e ndiejë veten barrë, por të rrethohet me “dashurinë dhe vlerësimin e të afërmve të tij. Në këtë mision, familja ka nevojë për ndihmë dhe mjete të përshtatshme”. Shtetet duhet ta “njohin funksionin kryesor dhe themelor shoqëror të familjes, si edhe rolin e saj të pazëvendësueshëm edhe në këtë fushë, duke siguruar fondet dhe strukturat e nevojshme për ta mbështetur”.

Kujdesi para lindjes dhe në moshën pediatrike

Nga çasti i zënies, fëmijët me keqformime, ose patologji, duhet të shoqërohen “me respekt për jetën” e tyre, nënvizohet më tej në letër. Në rastin e “patologjive para lindjes, që me siguri çojnë drejt vdekjes së shpejtë” dhe në mungesë të terapive, në gjendje të përmirësojnë kushtet e këtyre fëmijëve, “në asnjë mënyrë, ata nuk duhet të braktisen nga pikpamja asistenciale, por duhet të shoqërohen” deri në vdekjen e natyrshme, pa ua pezulluar ushqimin dhe hidratimin. Dënohet përdorimi “nganjëherë obsesiv i diagnozës para lindjes” dhe kultura kundër njerëzve me aftësi të kufizuar: aborti pra, “nuk është kurrë i ligjshëm”.

Sedatimi i thellë

Për të lehtësuar dhimbjet, përdoren ilaçe, që mund ta bëjnë njeriun jo të vetëdijshëm. Kisha nënvizon se ky lloj sedatimi është i lejuar, në mënyrë që “fundi i jetës të mund të vijë në paqe sa më shumë të jetë e mundur”. Ky qëndrim mbahet edhe në rastin e trajtimeve, që “e afrojnë çastin e vdekjes (sedatimi i thellë paliativ në fazën përfundimtare)”. Por ky sedatim është i papranueshëm, nëse përdoret drejtpërdrejt me qëllimin për të shkaktuar vdekjen.

Gjendja vegjetative

Edhe në gjendjen e mungesës së vetëdijes, pacientit “duhet t’i njihet vlera dhe të ndihmohet me kurat e duhura”. Sidoqoftë, mund të ketë raste në të cilat “masa të tilla mund të bëhen të tepruara”, pasi nuk janë më të frytshme, ose sepse mjetet për t’i zbatuar rëndojnë tepër. Në dokument theksohet se duhet siguruar “përkrahja për anëtarët e familjes, që të jenë në gjendje ta mbajnë barrën kohëgjatë të asistencës për të sëmurët në gjendje vegjetative”.

Kundërshtimi, për shkak të ndërgjegjes

Letra kërkon që Kishat lokale të mbajnë qëndrime të qarta dhe i fton institucionet katolike shëndetësore të japin dëshminë e tyre. Vërtet, ato kanë “një detyrim serioz dhe të patjetërsueshëm për t’iu  kundërvënë” ligjeve, që miratojnë eutanazinë, duke zbatuar kundërshtimin, për shkak të ndërgjegjes, parashikuar nga normat e disa vendeve. Është e rëndësishme që mjekët dhe punonjësit shëndetësorë të këtyre institucioneve të formohen që të jenë në gjendje t’i shoqërojnë me fe të sëmurët në prag të vdekjes. Përsa i përket shoqërimit shpirtëror të atyre që kërkojnë eutanazinë, përfundon letra e Kongregatës për Doktrinën e Fesë, “është e nevojshme një afërsi, që fton gjithnjë për kthesë”, pa “asnjë gjest të jashtëm, që mund të interpretohet si miratim”, siç është prania kur eutanazia vihet në praktikë.

22 shtator 2020, 11:31