Kërko

Shën Jeronimi i Karavaxhos Shën Jeronimi i Karavaxhos

Letër e Papës në 1600-vjetorin e vdekjes së Shën Jeronimit

I kushtohet dashurisë së Shën Jeronimit për Shkrimin Shenjt, Letra Apostolike “Scripturae Sacrae Affectus” e Papës Françesku, botuar pikërisht në ditën kur të krishterët përkujtojnë Atin e madh të Kishës, në 1600-vjetorin e vdekjes. Papa i fton të gjithë të përfitojnë nga trashëgimia e atij, të cilit i detyrohemi për përkthimin e Biblës në latinisht. Të rinjve, thirrja: shkoni në kërkim të gjithçkaje na ka lënë Shën Jeronimi.

R.SH. - Vatikan

“Figura e e tij mbetet me aktualitet të madh për ne të krishterët e shekullit XXI”, prandaj, pikërisht për këtë, 1600 vite pas vdekjes, Papa Françesku i kushton Shën Jeronimit, njërit prej Etërve më të mëdhenj të Kishës, Letrën Apostolike “Scripturae Sacrae Affectus”, që u botua sot. Pikërisht “affectus”, dashuria për Shkrimin Shenjt është trashëgimia, që Shën Jeronimi i “la Kishës me jetën dhe veprat e tij”. “Studiues i palodhur, përkthyes, ekzegjet, njohës i thellë dhe divulgator i apasionuar i Shkrimit Shenjt”, “interpretues i hollë i teksteve biblike”, “mbrojtës i flaktë dhe nganjëherë plot vrull i së vërtetës së krishterë”, eremit asketik dhe tejet kërkues, përveçse udhërrëfyes ekspert shpirtëror: ky ishte Shën Jeronimi.

Dy çelësat për ta kuptuar Shën Jeronimin

Pa hyrë në jetën e shenjtit të madh, për të cilën ju ftojmë të lexoni Letrën e plotë, ku Papa përshkruan gjerë e gjatë edhe lidhjet e tij me Romën, nga Betlehemi ku jetonte e punonte, vëmë në dukje dy karakteristika të përkthyesit të Biblës në gjuhën latine (Vulgata), që Ati i Shenjtë i përvijon kështu: “Për ta kuptuar plotësisht personalitetin e Shën Jeronimit - thekson Françesku – duhen kombinuar dy përmasa tipike të jetës së tij si besimtar: nga njëra anë, përkushtimi absolut dhe rigoroz ndaj Zotit, duke hequr dorë nga çdo kënaqësi njerëzore, për dashurinë e Krishtit në kryq (shih 1 Kor 2,2; Fil 3,8-10); nga ana tjetër, impenjimi me zell të jashtëzakonshëm në studime me të vetmin qëllim për ta kuptuar gjithnjë e më mirë misterin e Zotit”. Këto dy karakteristika, që theksohen edhe në artin, me të cilin paraqitet ky Atë i Kishës, e bëjnë atë model “për murgjërit, para së gjithash, që ata, të cilët jetojnë në asketizëm e lutje të inkurajohen t’i përkushtohen punës së zellshme të kërkimit dhe të mendimit; e pastaj, për studiuesit, të cilët duhet të kujtojnë se dija është e vlefshme nga pikpamja fetare, vetëm nëse bazohet në dashurinë ekskluzive për Zotin, në zhveshjen nga çdo ambicie njerëzore dhe nga çdo aspiratë e kësaj bote”.

Dashuria për Shkrimin Shenjt

“Tipari i veçantë i figurës shpirtërore të Shën Jeronimit - vëren më tej Papa Françesku - mbetet pa dyshim dashuria e tij e apasionuar për Fjalën e Zotit”. Nga Shkrimi Shenjt, Shën Jeronimi nënvizon “karakterin e përvuajtur të zbulesës së Zotit, që shprehet përmes natyrës së ashpër e gati primitive të gjuhës hebraike, nëse e krahasojmë me përkryerjen e latinishtes ciceroniane”, dhe na mëson se “nuk duhen studiuar vetëm Ungjijtë e nuk duhet komentuar vetëm tradita apostolike, e pranishme në Veprat e Apostujve e në Letrat e ndryshme, sepse e gjithë Besëlidhja e Vjetër është e domosdoshme për të depërtuar në të vërtetën dhe në trashëgiminë e Krishtit”. “Shën Jeronimi – shkruan Papa – është udhërrëfyesi ynë, sepse… e çon çdo lexues drejt misterit të Krishtit, për faktin se merr përsipër me përgjegjësi e sistematikisht ndërmjetësimin kishtar e kulturor të nevojshëm për leximin e drejtë e të frytshëm të Shkrimit Shenjt”. Ati i Shenjtë kujton më pas kompetencat e tij gjuhësore, analizën e saktë dhe vlerësimin e dorëshkrimeve, punën kërkimore arkeologjike, si edhe njohuritë  e kohës mbi historinë e interpretimit e të metodologjisë së studimit të Shkrimit Shenjt, që Shën Jeronimi i përdori dhe i vuri në jetë me mjeshtëri të rrallë. Përkthimi i tij, sipas Papës, është “inkulturim” i Biblës në gjuhën e në kulturën latine.

Sfida e Papës Françesku për të rinjtë

Së fundi, Papa vë në dukje se “një nga problemet e sotme, jo vetëm të fesë, është analfabetizmi: janë të paktë njerëzit me aftësi hermeneutike, që i bëjnë ata interpretues dhe përkthyes të besueshëm të traditës sonë kulturore”. Prej këtej, ftesa: “Kam një sfidë, sidomos për të rinjtë – shkruan Ati i Shenjtë - shkoni në kërkim të trashëgimisë tuaj. Krishterimi ju bën trashëgimtarë të një pasurie kulturore të paimagjinueshme, të cilën duhet ta bëni tuajën. Apasionohuni pas kësaj historie, është e juaja. Me guxim nguleni vështrimin tek ai i ri i shqetë, tek Jeronimi, i cili, si protagonisti i shëmbëlltyrës së Jezusit, shiti gjithçka kishte për të blerë ‘margaritarin me vlerë më të madhe’”. “Shën Jeronimi është ‘Biblioteka e Krishtit’ - vëren Papa - një bibliotekë e përhershme, që gjashtëmbëdhjetë shekuj më vonë, vazhdon të na mësojë ç’është dashuria për Krishtin, një dashuri e pandashme nga takimi me Fjalën e Tij. Prandaj, 1600-vjetori i tanishëm përfaqëson një thirrje për të dashur atë, që donte Shën Jeronimi, duke rizbuluar shkrimet e tij dhe duke e lënë veten të prekemi nga një përshpirtëri, që mund të përshkruhet, në thelbin e saj më jetësor, si dëshirë e shqetë dhe e apasionuar për njohjen më të thellë të Zotit të Zbulesës”. Dhe me fjalët e vetë Shën Jeronimit, Papa Françesku këshillon: “Lexojeni shpesh Shkrimin Shenjt; madje, mos e lëshoni kurrë nga dora librin e shenjtë”.

30 shtator 2020, 14:05