lonely-1822414_1920.jpg

“Jezusi na jep guxim”. Tweet i Papës për Ditën e parandalimit të vetëvrasjeve

Papa vë theksin në “ngushëllimin e Zotit që na mban” në këtë kohë pandemie, e cila shemb çdo siguri. Alarm i ekspertëve, që parashikojnë shtimin e vetëvrasjeve të lidhura me “lockdown” dhe me krizën ekonomike.

R.SH. - Vatikan

Dita Botërore për Parandalimin e Vetëvrasjes, që bie sot, 10 shtator, në qendër të mendimit të Papës Françesku, shprehur përmes një tweet-i:

“Sot, në dramën e #pandemisë, përballë kaq shumë sigurive që shemben, përballë zhgënjimit të kaq shumë pritshmërive, me ndjenjën e braktisjes që na mbërthen zemrat, Jezusi i thotë secilit: “Guxim: hape zemrën për dashurinë time. Do ta ndjesh ngushëllimin e Zotit, që të mbështet”.

Vlera e shenjtë e çdo jete

         Papa kujton kështu shenjtërinë dhe paprekshmërinë e çdo jete, që gjithmonë ia vlen të jetohet, si edhe thekson forcën e fesë e të afërsisë vëllazërore me më të brishtët, që vuajnë nga pasojat shoqërore, shëndetësore dhe ekonomike të pandemisë së koronavirusit.

800.000 vdekje në botë, çdo vit

Vetëvrasja mbetet një problem i madh i shëndetit publik, që prek njerëzit e të gjitha moshave, gjinive dhe klasave shoqërore. “Rreth 800.000 vetë vdesin çdo vit nga vetëvrasja, një person çdo 40 sekonda; ajo është shkaku i dytë kryesor i vdekjeve në moshat 15-29 vjeç”, kujton profesor Gabriele Sani, drejtor i Njësisë Operative Komplekse të Psikiatrisë Klinike dhe Urgjente në Spitalin Universitar “Gemelli”, në Romë. Sipas ekspertit, njerëzit shtyhen drejt vetëvrasjes, për shkak të humbjeve të ndryshme, vetmisë, diskriminimit, prishjes së marrëdhënieve me të tjerët, problemeve financiare, dhimbjes kronike, sëmundjes, dhunës, abuzimit dhe konfliktit, ose emergjencave të tjera humanitare.

10 shtator 2020, 16:18