FOTO_Per-un-sapere-della-pace_OKaem.jpg

Françesku: veprimtari i paqes sot, realizëm dhe humanitet

Në parathënien e vëllimit të Lev “Për diturinë e paqes”, Papa u drejtohet veçanërisht të rinjve, që synojnë të specializohen në “Shkencat e Paqes”: dëshira për studim, thotë ai, duhet të shoqërohet me një zemër të frymëzuar nga Ungjilli, e aftë të ndajë shpresat dhe ankthet e njerëzve të sotëm.

R.SH. - Vatikan

Nevoja për të investuar në brezin e ri, në mënyrë që ai të jetë në gjendje të përballet me atmosferën e luftës dhe të dhunës, që karakterizon shoqërinë bashkëkohore. Është ky synimi i Papës Françesku në parathënien e librit “Për diturinë e paqes”, publikim i ri i Shtëpisë Botuese të Vatikanit. Përgatitur nga Gilfredo Marengo – zv.rektor dhe profesor i Antropologjisë Teologjike në Institutin Papnor të Teologjisë “Gjon Pali II” për Shkencat e Martesës dhe të Familjes - vëllimi reflekton për të ardhmen. Ati i Shenjtë shpjegon se objektivi i librit është të ndihmojë në përcaktimin e tipareve të veçanta të veprimtarit të paqes, duke kujtuar vendimin e tij të fundit për të themeluar një cikël studimesh në Shkencat e Paqes në Universitetin Papnor Lateranens.

Veprimtari i paqes, sipas Papës

“Një veprimtar i mirë i paqes – shkruan Papa - duhet të jetë në gjendje ta vështrojë botën dhe historinë, pa rënë në “ekzagjerimin diagnostik” të tyre, që nuk shoqërohet gjithmonë nga zgjidhje vërtet të zbatueshme”. Është fjala, vëren Ati i Shenjtë, “për të shkuar përtej reflektimit thjesht sociologjik, që pretendon ta përqafojë krejt realitetin në mënyrë neutrale dhe aseptike”, pra nga larg, pa i ndotur duart. Përkundrazi, duhet të mësojmë “të jemi të vëmendshëm ndaj shenjave të kohës” për të “ditur si të bëjmë një shoshitje të vërtetë ungjillore”.

Kontributet në libër

Ndër kontributet kryesore në libër, edhe një shkrim nga kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar vatikanas për Marrëdhëniet me Shtetet dhe nga kardinali Renato Raffaele Martino, kryetar nderi i Këshillit Papnor për Drejtësinë dhe Paqen e i Këshillit Papnor për Baritorinë e Migrantëve dhe Endacakëve.

15 shtator 2020, 10:29