Kërko

 Papa pret  Fondacionin Banco Farmaceutico Papa pret Fondacionin Banco Farmaceutico 

Françesku: nuk duhen bërë dallime për ilaçet. Të gjithë kanë të drejtë të mjekohen

Papa priti sot në audiencë rreth 200 vullnetarë dhe miq të Banco Farmaceutico, me rastin e 20 vjetorit të themelimit të kësaj shoqate e cila, që nga viti dymijë, organizon Ditën e Mbledhjes së Ilaçit për më të varfërit. Propozimi i Papës është “globalizimi i mjekimit”, për t’u krijuar të gjithëve mundësinë e përdorimit të ilaçeve, që mund të shpëtojnë shumë jetë.

R. SH. - Vatikan

Ekzistojnë në botë shumë përjashtime, që krijojnë padrejtësi ndërmjet kombeve e popujve. E theksoi sot Françesku, duke pritur në audiencë delegacionin e Fondacionit Banco Farmaceutico, domethënë, të prodhimeve farmaceutike, që mund të shiten pa recetë, me rastin e 20 vjetorit të themelimit, duke nënvizuar rreziqet e asaj, që e quajti “përjashtim farmaceutik”:

“Nganjëherë rrezikohemi të na mungojnë mjekimet, për mungesë parash, ose sepse disa popullsi të botës nuk kanë mundësi t’i përdorin disa ilaçe. Ekziston edhe ‘mënjanimi farmaceutik’, gjë që krijon një hendek të ri  ndërmjet kombeve e popujve. Në planin etik, nëse ekziston mundësia për ta mjekuar një sëmundje me ilaçe, këta duhet të kenë mundësi t’i përdorin të gjithë, përndryshe përjetohet një padrejtësi e madhe, që të revolton. Shumë njerëz, sidomos fëmijë, vdesin  nëpër botë, sepse nuk mund ta gjejnë një ilaç, që në vendet e tjera gjendet lehtësisht”.

Mjekim gjithpërfshirës

Propozimi i Françeskut është angazhim me frymë globale:

“E njohim të gjithë rrezikun e globalizimit të indiferencës; po unë, në vend të globalizimit të indiferencës, po ju propozoj globalizimin e mjekimit, domethënë,  mundësinë  për përdorimin e përgjithshëm të atyre ilaçeve,  që mund të shpëtojnë shumë jetë për të gjitha popullsitë. Por për ta bërë këtë, duhet një përpjekje e përbashkët”.

Angazhim i të gjithëve

Mendimi i Papës shkoi edhe tek punonjësit shkencorë, puna e çmuar e  të cilëve është shembull i shkëlqyer! Tregon sesi studimi dhe inteligjenca njerëzore janë të afta të hapin, përsa është e mundur, shtigje të reja, që shërojnë e mjekojnë njeriun e sëmurë.

Për Françeskun, ata që prodhojnë ilaçe dhe i shpërndajnë munden, secili në fushën e vet, t’i venë gjithnjë aftësitë e tyre në shërbim  të njeriut:

“Ndërmarrjet farmaceutike, duke  e ndihmuar kërkimin shkencor dhe duke orientuar prodhimin, mund të krijojnë mundësitë për shpëndarjen më të drejtë të ilaçeve. Farmacistët janë të thirrur t’u qëndrojnë pranë e t’u shërbejnë nevojtarëve”.

Eshtë si një zinxhir, në të cilin çdo hallkë është e domosdoshme. Edhe hallka e qeveritarëve, që duhet të ndërtojnë një botë më të drejtë, përmes rrugëve ligjore e financiare, në të cilat  të varfërit nuk harrohen.

Pandemia dhe varfëria farmaceutike

Përvoja e kohëve të fundit e pandemisë - kujtoi më pas Papa - shkaktoi një krizë të rëndë ekonomike, nga e cila lindin varfëri të reja e, posaçërisht “edhe varfëri farmaceutike”. E kjo krijon rrezikun e përjashtimit të shumëkujt nga mundësia për ta mposhtur sëmundjen:

“Asistenca bamirëse duhet ta luftojë edhe varfërinë farmaceutike, posaçërisht kur flitet për përdorimin e gjerë të vaksinave të reja nëpër botë. E përsëris se do të ishte tepër e trishtueshme nëse në shpërndarjen vaksinave, të parët që do t’i përdornin, do të ishin të pasurit, ose nëse këto vaksina do të bëheshin pronë e këtij apo atij shteti, e nuk do t’u përkisnin të gjithëve”.

Udha ungjllore

Pasi i falënderoi të pranishmit për shërbimin në favor të më të ligshtëve, Françesku  përfundoi duke kujtuar vlerën  e njërës nga nismat më të njohura  të Bankës Famaceutike:

“Dita e ‘Mbledhjes së Ilaçit’ është shembull i rëndësishëm, që tregon sesi bujaria dhe ndarja e përbashkët e të mirave materiale mund ta pëmirësojnë shoqërinë tonë e të dëshmojnë atë dashuri në afërsi, që kërkohet nga Ungjilli”.

19 shtator 2020, 13:02