Hapet viti i ri shkollor - pas Covid Hapet viti i ri shkollor - pas Covid 

Papa Françesku familjeve: përgjegjësi të lartë për vitin e ri shkollor

Papa Françesku përshëndeti dhe inkurajoi pjesëmarrësit në shtegtimin e 13-të italian të Familjeve për familjen, që përfundoi në Shenjtëroren e Shtëpisë së Loretos me “Aktet e kushtimit Marisë”.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku iu drejtua familjeve, që morën pjesë  shpirtërisht, përmes mediave, në Shtegtimin e 13-të italian në Pompei e Loreto, për të uruar që viti i ri shkollor të jetohet me ndjenjë të lartë përgjegjësie e të vërë në qendër të rinjtë. Mesazhi, nënshkruar nga sekretari i Shtetit, kardinali Pietro Parolin,  i drejtohej  imzot Stefano Russo, sekretar i përgjithshëm i Konferencës ipeshkvnore italiane, organizator i nismës, së bashku me Përtëritjen në Shpirtin Shenjt (RnS) dhe Forumin kombëtar të Shoqatave familjare, me përkrahjen e Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri. I pranishëm fizikisht, vetëm një grup i vogël besimtarësh, për shkak të rrezikut të infektimit nga Covid-19.

Të merret forcë nga feja e nga solidariteti

Nisma kishte si moto fjalët e Shën Palit apostull, cituar në mesazh: “Gëzohuni, inkurajojeni njëri-tjetrin, kini të njëjtat ndjenja”:.

“Papa Françesku - lexohet në tekst - i përgëzon organizatorët dhe bashkëpunëtorët e  nismës  që, në këtë kohë kur familjet vuajnë në mënyrë të posaçme nga pasojat e pandemisë, propozuan këtë dëshmi feje e solidariteti, që secili të mund  të gjejë, në lutje e në bashkimin vëllazëror, shpresë e forcë për të ecur përpara!

Mendimi i Papës për hapjen e shkollave

 Papa uroi që rifillimi i vitit të ri shkollor të jetohet nga të gjithë me ndjenjë të madhe përgjegjësie, në perspektivë të një pakti edukativ, që  ka si protagoniste familjen e vë në qendër të rinjtë e të rejat: rritja e tyre e shëndetshme, e mirëformuar dhe e shoqërueshme është kusht për ardhmërinë e  qetë e të begatë të mbarë shoqërisë.

Lutja për familjet: urohet që të çojnë kudo jetën e fenë

Mesazhi siguron, në përfundim, se Papa  ishte i bashkuar shpirtërisht me shtegtarët “në lutjen drejtuar Marisë, që familjet e krishtera, në Itali, në Evropë e në botë, të vijojnë të formojnë lumin e madh, që i freskon brigjet me fe, me jetë, me shpresë e me dashurinë në popullin e Zotit e në mbarë shoqërinë”. 

14 shtator 2020, 12:09