Papa, Kongresit të mësuesve katolikë filipinas: të jeni dëshmitarë të vërtetë të fesë
R.SH. - Vatikan
T’i mësojmë të rinjtë të jenë jo vetëm studentë të shkëlqyer, por edhe dëshmitarë të vërtetë të fesë: kjo, me pak fjalë, ftesa e Papës Françesku për edukatorët katolikë filipinas, të cilët janë mbledhur, nga 21 deri më 25 shtator, në Kongresin e tyre vjetor. Takimi është organizuar nga Shoqata Arsimore Katolike e Filipineve (Ceap), organizëm, ku bëjnë pjesë mbi 1.500 shkolla katolike në vend. Për shkak të pandemisë së koronavirusit, Kongresi mbahet në formën virtuale, me transmetim të drejtpërdrejtë në internet dhe në rrjetet shoqërore.
Përgjegjësia i ka rrënjët në doktrinë e në moral
Mesazhi drejtuar të gjithë arsimtarëve nga Papa, nënshkruhet nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin. Në të, Ati i Shenjtë kujton se edukimi katolik duhet të formojë mendimin kritik tek nxënësit e studentët, duke u bazuar në “doktrinën dhe moralin e krishterë”. Burrat e gratë e formuara në këtë mënyrë, “do të jenë të gatshëm të marrin përgjegjësi të mëdha në shoqëri dhe të dëshmojnë fenë e vërtetë para botës”. Mesazhi papnor u lexua nga atë Elmer Dizon, kryetar i Shoqatës, i cili më pas, në fjalën e hapjes, vuri në dukje pasojat e pandemisë së koronavirusit në sektorin e arsimit. “Në mes të sfidave aktuale - pohoi ai - po bëhen përpjekje të vazhdueshme për t’u siguruar që shkollat katolike të bëhen tharm për ndryshimin”.
Shkollat të formojnë në mënyrë krijuese
Nga ana e tij, imzot Roberto Calara Mallari, anëtar i Komisionit Ipeshkvnor për Katekizmin dhe Edukimin Katolik, inkurajoi çdo shkollë të jetë krijuese, në mënyrë që të gjejë mënyra të reja mësimdhënieje, të cilat plotësojnë më mirë nevojat e studentëve. “Shoqata – theksoi prelati - nuk do të bllokohet nga frika, por do të impenjohet të shërbejë si udhërrëfyese për nxënësit e për shkollat”, që “luftojnë në mes të pandemisë”. Të premten, më 25 shtator, pritet fjala e kardinalit Luis Antonio Tagle, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve.