Thirrja e Papës për Nagasakin e për Libanin
R. SH. - Vatikan
E nisi me një kujtim të hidhur, të paharruar, Papa, përshëndetjen e besimtarëve pas Engjëllit të Tënzot. Kujtoi 6 e 9 gushtin tragjik të vitit 1945, 75 vjet më parë, mbi Hiroshimën e Nagasakin shpërthenin bombat atomike. E me to, plot me emocion e mirënjohje, edhe vizitën që bëri në këto vise vitin e kaluar, duke përsëritur ftesën për t’u lutur e për t’u angazhuar për një botë të çliruar nga armët bërthamore,
E me një mendim tjetër të hidhur e vijoi. Në këto ditë - kujtoi- mendimi im kthehet shpesh në Liban. Katastrofa e së martes së kaluar, na bën thirrje të gjithëve, duke nisur nga libanezët, të bashkëpunojmë për pasurinë e përbashkët të këtij vendi të dashur. Libani- vijoi të kujtojë Papa - ka një trashëgimi të veçantë, fryt i takimit të kulturave të ndryshme, që spikat në rrjedhë shekujsh si model i të jetuarit së bashku. Natyrisht, kjo bashkëjetesë tani është shumë e brishtë , por lutem që, me ndihmën e Zotit e me pjesëmarrjen e të gjithëve, vendi të mund të rilindë, i lirë e i fortë.
Ftesë, Kishës së Libanit
Në vijim Papa e ftoi Kishën e Libanit të jetë pranë popullit në Kalvarin e tij, siç po bën këto ditë, me solidaritet e përdëllim, me zemër e krahë hapur për të ndarë me të gjithçka mund të ndajë. E edhe e porositi të jetojë me frymën e varfërisë ungjillore, në një kohë kur populli i saj po vuan, e po vuan tepër! Më pas, thirrja drejtuar bashkësisë ndërkombëtare:
“Përsëris thirrjen time për ndihma bujare nga ana bashkësisë ndërkombëtare”.
E, sidomos, lutja Zojës së Harisës:
“Zoja e Harisës, Mbretëreshë e Libanit, lutu për ne!”
Më pas Papa përshëndeti edhe romakët e shtegtarët e ardhur nga vende të ndryshme: familjet, grupet famullitare, shoqatat. Në mënyrë të posaçme, përshëndeti të rinjtë nga Pianengo, në dioqezën e Kremës, që përshkuan udhën Francigene nga Viterbo - në Romë.
Së fundi përshëndetja drejtuar pjesëmarrësve në garën çiklistike ndërkombëtare organizuar sivjet për kujtim të Shën Gjon Palit II, në njëqindvjetorin e lindjes së Papës polak.
Të gjithëve, në përfundim - urimi për një të diel e javë të gëzuar. E kërkesa për t’u lutur për Papën, para urimit: “Ju bëftë mirë buka e mirupafshim!”.